Opinion

A ka një alternativë europiane ndaj populizmit?

Roza Balfur, bashkëpunëtore në Programin e Europës në “German Marshall Fund”:

Fatkeqësisht ende jo. Nuk ka shumë kohë në dispozicion, dhe imagjinatë politike në horizont, por nëse demokratët europianë të së majtës, të djathtës dhe qendrës do ta marrin veten nga rënia e madhe elektorale që kanë pësuar, mund të jenë alternativa ndaj populizmit.

Partitë e vjetra politike, të mbërthyera në një hapësirë ​​më të vogël në spektrin politik, mund të tundohen të lidhin marrëveshje, qofshin këto koalicione të mëdha, apo pakte për t’i mbajtur partitë populiste jashtë pushtetit.

Ky ka qenë modeli në Parlamentin Europian. Por pikërisht kjo është një nga arsyet, që i nxit qytetarët që të votojnë kundër establishmentit. Partitë politike tradicionale, duken të ngjashme, për shkak të mitit të fundit të ideologjive. Mungesa e ideve, reflektohet në pamundësinë e aktorëve politikë për t’u rinovuar, dhe për të pasur qasje tek segmentet më të gjera të shoqërisë.

Ndërkohë, populistët nuk kanë përgjigje ndaj shqetësimeve që po diktojnë sjelljen e votuesve të tyre. Këtu mund të paraqiten edhe alternativat:idetë e reja për adresimin e pabarazisë dhe pasigurisë për vendin e tyre në shoqëri, për krijimin e vendeve të reja punës në ekonominë e gjelbër, dhe se si të lidhen pozitivisht me pjesën tjetër të botës, në vend të ndërtimit të mureve. Këto janë ato që nevojiten. E majta, e djathta dhe qendra, duhet të zhvillojnë betejën e tyre të ideve, dhe jo të vendeve në parlament dhe atë të pushtetit.

Kalorin de Gryjter, korrespondente e çështjeve evropiane për “NRC Handelsblad”:

Sigurisht që ka. Populistët në të djathtën dhe në të majtën ekstreme, shprehin pakënaqësinë e votuesve mbi shumë gjëra:globalizmin, emigracionin, rëndësinë e tregjeve financiare etj. Bërthama ekstremiste mbetet mjaft e vogël, por bën shumë potere.

Problemi kryesor në shumë vende evropiane, por edhe në Amerikë, është se partitë e qendrës po largohen nga qendra politike, në drejtim të populistëve. Ato po e përvetësojnë diskursin populist, dhe e bëjnë atë një pjesë të tyre të zakonshme. Për pasojë, populistët po dominojnë kudo debatin publik. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitet 1930.

Problem janë partitë e qendrës, dhe jo populistët. Në vend se t’i përmbahen historisë së tyre, dhe të mbrojnë terrenin e tyre, ata atashohen me ekstremistët. Shumë parti tradicionale konservatore, e cilësojnë tashmë emigrimin si një “problem të multikulturalizmit”. Socialdemokratët bëjnë të njëjtën gjë.

Kjo është në fakt, ajo që duan të dëgjojnë votuesit. Tema të tjera po zhduken nga diskutimet publike:për shembull, disa politikanë të qendrës politike, nuk guxojnë të mbrojnë përfitimet ekonomike të emigracionit. Shumë votues në qendrën politike, ndihen si jetimë. Ka pak politikanë të besueshëm dhe të aftë për t’u votuar. Kjo është një kohë e shkëlqyer, për të qenë një Makron ose një Van der Bellen- nuk ka thuajse asnjë konkurrencë!

Xhosef Janing, drejtues i zyrës së Berlinit dhe bashkëpunëtor në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë:

Po, Europa e ka një alternativë ndaj populizmit – të paktën për një nga pretendimet e saj kryesore. Populistët rreth BE-së, mbështesin ideologjinë e tyre mbi dy çështje kryesore: pabarazia sociale dhe sovraniteti kombëtar. Ata e akuzojnë BE-në për rritjen e të pares, dhe shkatërrimin e të dytës.

Mbi sigurinë sociale, Europa nuk mund të japë një përgjigje të duhur. Megjithatë, mbi sovranitetin, politikanët europianë duhet ta bëjnë kauzën e tyre forcimin e sovranitetit kombëtar. Populistët këmbëngulin mbi sovranitetin formal, që sipas pikëpamjes së tyre mund të jetë vetëm kombëtar.

Ata harrojnë qëllimin e shteteve sovrane, që është më së shumti aftësia për të ofruar siguri dhe prosperitet për qytetarët e vet. Riatdhesimi i kompetencave, do të thotë në fakt humbje e aftësisë për t’i arritur rezultate të tilla për qytetarët në shtetet anëtare të BE.

Europa ka nevojë për konceptin e sovranitetit europian; domethënë kërkesa për të mbështetur dhe mbrojtur interesat, integritetin, liritë dhe vetëqeverisjen e BE-së dhe të shteteve anëtare të saj. Është ideja e “bashkë-sovranitetit”, me fuqi të mirëfillta europiane dhe të drejta dhe privilegje të përbashkëta sovrane. Nacionalizmi, kundërshtohet më së miri duke mbrojtur shtetin kombëtar nga efektet e mosfunksionimit të tij. BE u ndërtua për të bërë pikërisht këtë.

Denis Mekshejn, ish-ministër për Europën i Britanisë së Madhe:

Po. Europa ka bashkëjetuar përherë me populizmat. Partitë më populiste pas vitit 1945, ishin partitë komuniste të Francës dhe Italisë, të cilat morën 25 përqind të votave në zgjedhje deri në vitet 1970. Të Gjelbrit, Syriza, Podemos, dhe Lëvizja Pesë Yjet, janë të gjitha parti të bazuara tek sloganet populiste.

Populizmi i identitetit kombëtar apo rajonal në Europë, duke përfshirë nacionalistët skocezë, separatistët katalanas, irredentizmin hungarez në Rumani dhe Sllovaki, Lidhjen e Veriut në Itali dhe Shin Feinin në Irlandën e Veriut, kërkojnë autonomi dhe respekt për kulturat e ndryshme.

Sot, populistët e suksesshëm si Kazinski në Poloni, mbështesin rishpërndarjen e të ardhurave pro-të varfërve dhe rritjen ekonomike.

Europa nuk ka shumë nevojë për një alternativë ndaj populizmit, por se si të prodhojë politika që janë popullore. Fokusi mbi menaxhimin në formën e masave shtrënguese në eurozonë, ushqen populizmin. Populizmi venitet, kur u jepet përparësi politikave, që mbështesin rritjen ekonomike dhe drejtësinë sociale.

Parlamenti Europian pas 2019, do të ketë shumë mini-grupe populiste, dhe metoda e tij zgjedhore ka nevojë për reforma. Populizmi që prodhoi Brexit, është i destinuar të dështojë, pasi Britania do të bëhet më e varfër dhe më e izoluar, dhe e ndarë. Një Komision Europian koherent në vitet 2019-2024, që fokusohet mbi atë që njerëzit kanë nevojë, mund të bëjë diferencën dhe t’u japë populistëve vendin që u takon.

Burimi: “Carnegie Europe”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button