Bota

The Economist: Zgjidhja që gjeti Lituania për statujat komuniste

Në vitin 1990, kur Lituania shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, qytetarët dolën në protesta dhe rrëzuan statujat e udhëheqësve komunistë. Gjatë këtyre çasteve të nxehta politike, pak prej tyre kishin ngè të mendonin se çfarë do të bënin më pas me monumentet. Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh sot edhe nëpër qytetet amerikanë, ku njerëzit kanë hequr monumentet e Konfederatës (të shteteve jugore që u futën në luftë civile kundër Unionit të veriut, pasi kundërshtuan reformat për heqjen e skllavërisë.) Pas një debati në parlament, Lituania vendosi që statujat do të hiqeshin e do të vendoseshin për t’u ruajtur.

Tani statujat janë në rreth 20 hektarë tokë në parkun Grutas, të ndara sipas roleve që kanë pasur figurat gjatë periudhës sovjetike. Sfera Totalitare quhet zona ku mbahen mendimtarët dhe udhëheqësit kryesorë të ideologjive; Sfera e Kuqe është zona me statujat e heronjve që kishin qenë pjesë e rezistencës kundër nazistëve; Sfera e Vdekjes është zona ku tregohen mënyrat gjakatare të përdorura nga regjimet për të ruajtur pushtetin.

Parku mundëson të krijohet një ide e atyre vuajtjeve, pasi janë rikrijuar pamje të blloqeve ku mbaheshin të përsekutuarit si kulakë, kullat ku rrinin rojat e kampeve, si dhe telat me gjemba të gardheve. Edhe pse në tjetër kontekst, skulpturat nuk janë izoluar nga historia, histori në të cilën kanë qenë aktorë.

Shumë prej këtyre statujave kanë edhe vlera artistike. Detajet janë shumë mbresëlënëse. Shprehja e mosbindjes në fytyrat e revolucionarëve është realizuar me shumë kujdes. Edhe vepra më pak figurative, si mozaikët që tregojnë të rinj komunistë duke luajtur, janë mjaft të ndërlikuara. Parku lejon vizitorët që të vijnë, t’i shohin këto figura historike e t’i tallin, por pa hedhur poshtë faktin që këto statuja janë vepra arti komplekse.

Një nga skulptorët që ka vepra aty është i ndjeri Konstantinos Bogdanas. Ai refuzoi ta shkëpuste veten nga ajo që e quante “punë ideologjike”, dhe prapë shihej me admirim në Lituaninë pas-komuniste, pasi kishte krijuar imazhet e heronjve të vendit që u kishin rezistuar nazistëve. Ai vuri në dukje se edhe ai, ashtu si gjithë lituanët e tjerë, duhej të mbijetonte. “Shumë statuja u bënë edhe për Neron, dhe ai ishte tiran”, ka thënë ai.

Si rrjedhojë, Bogdanasi e kishte për zemër parkun Grutas, duke pranuar se “veprat në atë park ishin skulpturat më të mira të asaj kohe”. Pavarësisht shqetësimeve të tjera, si për shembull për pagesën që duhej bënin njerëzit për ta vizituar, apo elemente të tjera që i përçmonte, ai mendonte se ky vend, si park, kishte vlera fisnike. “Dikur, këto statuja qëndronin në qendrat e qyteteve tona. Duhet të shihen edhe nga të rinjtë e sotëm, të cilët nuk dinë asgjë për epokën sovjetike”, tha ai.

Ky koncept funksionon, sepse e bllokon forcën e statujave. Janë të larguara nga vendet me pushtet politik – gjë që tregon se sa pak vlerësohen sot ideologjitë e tyre, dhe ku bëheshin me myshk e ndoteshin herë pas here. Vetë pylli ku mbahen sot ka qenë dikur shtëpi e rezistencës lituane. Statujat mbahen brenda kufijve të pyllit,  si mënyrë simbolike për të thënë që sistemi sovjetik ishte izolues.

Sigurisht, jo gjithçka shkoi pa debate. Shumë lituanë e shohin parkun Grutas si diçka pa shije. Disa politikanë kanë protestuar në parlament, që në vitin 2001, kur u vendos parku. Debatet ushqehen dhe nga pasiguritë që krijojnë disa gjëra që përdoren në park për të tërhequr vizitorë, si “Dita sovjetike”, kur aktorët interpretojnë skena nga jeta e Leninit, apo dyqani me suvenire komuniste. Madje, në fillim ishte menduar që vizitorët të lëviznin nëpër park me vagona treni që përdoreshin për bagëti, për të imituar transportin që u bënin komunistët të burgosurve që dërgoheshin në kampet e punës në Siberi. Por për fat të mirë, hoqën dorë nga kjo ide.

Megjithatë, parku Grutas mbetet një shembull interesant për të treguar se si mund t’u ndryshohet konteksti statujave me mesazhe të debatueshme. Shumë vende të tjera nëpër botë përplasen me të shkuarën e pakëndshme, dhe shpesh debatojnë se çfarë duhet të bëjnë me monumentet në fjalë. Ky lloj parku është një alternativë ndaj shkatërrimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button