MaqedoniaRajoni

Stoltenberg: Presim Maqedoninë si vendi i 30-të anëtar i NATO-s

“Ne jemi të angazhuar, por ju duhet të zbatoni Marrëveshjen për emrin për t’u bërë anëtare e plotë dhe për të përfunduar negociatat e pranimit”, deklaroi sot Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, ka deklaruar se NATO është e gatshme të presë Maqedoninë si vendi i 30-të anëtar i Aleancës, por se për këtë do të duhet të vendos populli në referendumin e 30 shtatorit.

I shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, shefi i NATO-s ndoqi stërvitjen demonstrative të pjesëtarëve të forcave speciale të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) në kazermën “Ilinden”.

Pas stërvitjes, në konferencën e përbashkët për media me ministren maqedonase, Stoltenberg tha se kjo stërvitje dëshmon se ushtria maqedonase ka pjesëtarë të trajnuar mirë dhe se ata janë të gatshëm të marrin pjesë në operacione të vështira dhe përpjekje të stabilizimit në shumë vende në botë.

“Popullit i mbetet të marrë vendimin, por atë që mund të them unë është se NATO është e gatshme që t’u presë juve si vendi i 30-të anëtar i Aleancës. Siç e dini, të gjithë 29 vendet anëtare vendosën në Samitin në korrik për ftesën për të qenë anëtare e plotë dhe për të filluar negociatat e pranimit. Ne jemi të angazhuar, por ju duhet të zbatoni Marrëveshjen për emrin për t’u bërë anëtare e plotë dhe për të përfunduar negociatat e pranimit”, deklaroi Stoltenberg, duke iu referuar referendumit për çështjen e emrit që do të mbahet më 30 shtator.

Stoltenberg theksoi se shumë pjesëtarë të ushtrisë së Maqedonisë kanë marrë pjesë në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak, gjë me të cilën, sipas tij, Maqedonia ka treguar se është e gatshme të kontribuojë në sigurinë ndërkombëtare.

Ndërkaq, ministrja Shekerinska tha se stërvitja demonstrative dëshmon për njohuritë, profesionalizimin dhe cilësitë që i posedon Maqedonia dhe ushtria e këtij vendi. Ajo bëri të ditur se në vitet e kaluara mbi 4.000 pjesëtarë të ARM-së kanë marrë pjesë në misione të ndryshme të udhëhequra nga NATO.

“Për ne kjo është partneritet ku mund të mbështetmi. Kur na nevojitej NATO ishte këtu për të na ofruar, por edhe ne jemi partner ku NATO mund të mbështetet. Çdo pjesëtar i ARM-së që në kohën e kaluar ka marrë pjesë në misione të ndryshme të NATO-s ishte argument në favor të anëtarësimit tonë në NATO”, tha Shekerinska.

Shefi i NATO-s, i cili gjatë ditës së sotme qëndron për vizitë në Maqedoni, takoi edhe presidentin Gjorge Ivanov, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, kryeministrin Zoran Zaev si dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Krahas aktiviteteve tjera dhe takimeve, ai vizitoi edhe Stajkovcin, ku në vitin 2016 ushtarë dhe pajisje të NATO-s ishin të angazhuar për tejkalimin e pasojave nga përmbytjet ku humbën jetën 24 persona.

Kujtojmë se më 30 korrik, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mori vendim që më 30 shtator të këtij viti të mbahet referendumi për emrin, i cili do të jetë konsultativ.

Referendumi është pjesë e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrin të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

Në vigjilije të referendumit të 30 shtatorit, sot në takime në Shkup qëndron shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Jean Asselborn. Gjatë ditës së nesërme vjen kancelari austriak, Sebastian Kurz, ndërsa të shtunën në Ditën e Pavarësisë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button