Kronika

“Blindohet” Elbasani, policia zbulon planin e masave për ndeshjen me Izraelin

Një ditë para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit, Policia e Shtetit ka lëshuar një deklaratë për mediat ku bën publike planin e masave për mbarëvajtjen normale të këtij takimi.
Policia e Shtetit njofton se ka pasur bashkëpunim për sigurinë në këtë ndeshje futbolli edhe me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, por edhe eksperiencën e ndeshjes së futbollit të vitit 2016 midis dy ekipeve.

Mësohet se, me qëllim garantimin e plotë të sigurisë së ndeshjes së futbollit, do të angazhojë gjatë rreth 670 forca policore, sipas sektorëve për sigurimin e rrugëkalimit nga Tirana në Stadiumin “Elbasan Arena”, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në qytetin e Elbasanit, në pikat e kontrollit dhe të hyrjes së tifozëve, sigurinë e perimetrit të jashtëm të stadiumit, por edhe forca të gatshme për ndërhyrje, nëse do të lindë e nevojshme. Në këto shërbime janë përfshirë policia vendore, Repartet e Ndërhyrjes së Shpejtë, Reparti Special “RENEA”, Reparti Special “DELTA”, njësia antieksploziv, Policia Rrugore, Policia Kriminale, Policia Kufitare për kontrollin e shtetasve, që mund të vijnë nga jashtë shtetit, njësi të tjera të specializuara, por jemi në bashkëpunim edhe me agjencitë ligjzbatuese.

Strukturat e Policisë së Shtetit po monitorojnë rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve, që mund të bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit etj.

Policia ka bërë edhe rikonicioni nga toka dhe ajri i stadiumit, i ambienteve përreth dhe i rrugëve të afrimit në stadium dhe, mbi këtë bazë, janë përcaktuar shërbimet për monitorimin e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë, si dhe për shoqërimin në distancë apo në afërsi, të grupeve të tifozëve, që do të vijnë nga drejtime të ndryshme për në stadium.

Policia i tërheq vëmendjen tifozëve që do të jenë në këtë ndeshje që së bashku me biletën, të kenë me vete edhe dokument identifikimi: letërnjoftim ose pasaportë. Gjithashtu është e nevojshme që sportdashësit të paraqiten në stadium 3 orë para fillimit të ndeshjes, për të akomoduar në tribunat sipas biletave që kanë blerë, për të lehtësuar punën e Policisë së Shtetit dhe të “stjuartëve”, për kontrollin dhe hyrjen në kohë në stadium. Ndaj kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve dhe i ftojmë ata, që të mos e lënë për në minutat e fundit hyrjen në stadium, thotë policia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button