Politika

Ruçi takohet me raporterët e Komitetit Monitorues të AP të Këshillit të Evropës

Në 6 shtator Kryetari i Kuvendit, Z.Gramoz Ruçi, u takua me raporterët e Komitetit Monitorues të AP të Këshillit të Evropës, Z. Andrej Hunko, përfaqësues i Bundestagut Gjerman, dhe Z. Joseph O’Reilly, senator i Dhomës së Lartë të të Irlandës, të cilët ndodhen në Shqipëri për një vizitë faktmbledhëse për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë. Në takim mori pjesë edhe deputeti Ervin Bushati, kryetar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Gjatë takimit u diskutua mbi zbatimin nga Shqipëria të standarteve të Këshillit të Europës, për zhvillimet e fundit politike, prioritetet e qeverisjes, ecurinë e zbatimit të reformave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Kryetari i Kuvendit, Z.Gramoz Ruçi, nënvizoi se puna e Kuvendit  aktualisht është përqëndruar në dy shtylla kryesore: reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi.

Reforma zgjedhore është prioritet i të gjitha forcave politike. Për këtë, Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm me OSBE/ODIHR, duke synuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas standarteve më të mira ndërkombëtare. Komisioni i reformës pritet të përfundojë punën e tij deri në fund të këtij viti.

Reforma në drejtësi është shtylla tjetër e rëndësishme. Kjo reformë, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, përfshirë opozitën. Deri tani kemi miratuar 17 nga 27 ligjet e paketës së reformës, 2 prej të cilave, pjesë e shtyllës së profesioneve të lira, u miratuan gjatë sesionit të kaluar. 48 seancat e deritanishme të vetingut konfirmuan 21 dhe nxorrën nga sistemi 27 gjyqtarë e prokurorë.  Fakti që rreth 56 % e të verifikuarve dolën nga sistemi, tregon nevojën dhe vlerën e reformës. Reformën në drejtësi Z. Ruçi e vlerësoi si një reformë origjinale dhe unike, një operacion të thellë, të vërtetë, të vështirë, por të pakthyeshëm.  Opozita nuk ka arsye të kërkojë kthimin prapa të kësaj reforme, duke sulmuar organet e vetting-ut, sepse reforma mbështetet mbi urinë dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve për drejtësi. Reforma është krejtësisht jashtë ndikimit të qeverisë dhe të shumicës parlamentare dhë nën monitorimin e rreptë dhe të plotë të ONM. Kjo është theksuar edhe në Kushtetutë dhe është dispozita e vetme kushtetetuese në botë, që pranon një trupë të huaj mbikqyrëse të sistemit. Praktikisht, për vetting-un, nënvizoi z. Ruçi, unë nuk di asgjë, ndërsa ONM di gjithshka. Kjo është e rëndësishme sepse sëmundja kryesore e sistemit të drejtësisë ishte kapja nga politika. Qëllimi ynë është që brenda këtij sesioni të përfundojë ngritja e organeve qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Por për këtë kërkojmë edhe bashkëpunimin e opozitës. Ethet e pushtetit nuk duhet të na bëjnë të “sabotojmë” ndërtimin e shtetit.

Në përgjigje të interesimit të reporterëve për mundësinë e uljes së tensioneve politike dhe zbutjen e polarizimit politik, Z. Ruçi nënvizoi se preokupimi im si Kryetar i Kuvendit është që opozita të ketë akses të plotë në ligjbërje dhe kontroll parlamentar. Që Kuvendi të kontrollojë qeverinë, me pjesëmarrjen dhe kontributin e opozitës. 54% e diskutimeve gjatë sesionit të kaluar i takuan opozitës. Çdo seancë pyetjesh apo interpelancë e kërkuar nga opozita është realizuar me shpejtësi maksimale. Opozita gëzon të gjitha instrumentat e kontrollit parlamentar, por nuk i ka përdorur si e sa duhet. Aktualisht, nuk ka asnjë arsye as për bojkot, as për kushtëzim të Kuvendit.

Deputetet Hunko dhe O’Reilly vlerësuan qëndrimet e hapura dhe me përgjegjësi të lartë të Kryetarit të Kuvendit. Angazhimi dhe kontributi i z. Ervin Bushati si edhe pjesëmarrja e tij në këtë takim tregon pjekuri dhe përgjëgjësi të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Reporterët inkurajuan Kryetarin e Kuvendit që të vazhdojë të mbajë këto qëndrime të matura dhe të bëjë gjithshka mundet, të përdorë çdo nismë parlamentare, brenda kornizës kushtetuese, për të mbajtur opozitën në Kuvend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button