Home / Ekonomia / Mbi 1 miliardë euro investime: 30 Vjetori i Bashkëpunimit Gjermano-Shqiptar për Zhvillim

Mbi 1 miliardë euro investime: 30 Vjetori i Bashkëpunimit Gjermano-Shqiptar për Zhvillim

Në vitin 1988, vetëm një vit pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, Gjermania dhe Shqipëria nisën edhe marrëdhëniet e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim. Në 30 vite, dy vendet tona i kanë dhënë udhë bashkarisht një numri të madh projektesh në sektorë të shumtë e të ndryshëm, duke arritur suksese të konsiderueshme për zhvillimin e Shqipërisë pas periudhës së gjatë të izolimit prej disa dekadash. Kushtet e jetesës së popullit shqiptar janë përmirësuar dukshëm, ndër të tjera edhe falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer, duke kontribuar që Shqipëria të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian.
Viti 2018 është viti i celebrimit të 30 viteve sukses në partneritetin tonë për qëndrueshmëri. Pas Tiranës, aktivitet festive do ti zhvendosim në Shkodër, nesër, tek Pedonalja më 8 shtator. Atje do të ketë stenda me informacione dhe aktivitete të shumta me ndërveprim publik rreth bashkëpunimit për zhvillim. Nuk do të mungojnë aktivitetet për fëmijët dhe familjen gjatë paradites si dhe performancat muzikore. Ceremonia zyrtare do të nisë në orën 18:00 dhe pas saj do të ketë një diskutim
të hapur me zonja që pavarësisht vështirësive, me mbështetjen e bashkëpunimit gjerman kanë arritur të shndërrohen në histori suksesi dhe burim frymëzimi për gratë e tjera shqiptare.

Qëllimi i bashkëpunimit gjermano-shqiptar për zhvillim është përmirësimi i kushteve të jetesës së popullsisë së Shqipërisë dhe përafrimi i mëtejshëm i vendit me Bashkimin Evropian. Punësim që gjeneron të ardhura, rritje ekonomike me impakt të gjerë, furnizim i sigurt e i qëndrueshëm me energji dhe ngritje e një infrastrukture bazë për ujin dhe mbetjet janë prioritete të këtij bashkëpunimi.

Rreth 1 milionë banorë në zonat urbane të Shqipërisë konsumojnë tashmë ujë të pastër dhe më cilësor, falë investimeve të Bashkëpunimi Gjerman në sektorin e ujit që kapin shifrën e 392 milionë Eurove.

Ndërsa 332 milionë Euro të tjera janë investuar në energji dhe për eficencën e energjisë. Ndërtimi i linjës  së interkonjeksionit me Malin e Zi i dha fund ndërprerjeve të energjisë në vend. Kurse rindërtimi i godinës së Qytetit Studenti nr. 2 në Tiranë sipas parimit të eficencës së energjisë ka përmirësuar kushtet e jetesës për 1.200 studentë.
Në sektorin e Zhvillimit Ekonomik, prej 1988-s janë investuar 171.6 milionë Euro. Mbi 7.200 fermerë janë mbështetur me grante, kredi dhe garanci krediti; 10.000 të rinjve u është ofruar Arsim Profesional dhe trajnime ndërsa rreth 200.600 biznese përballen me më pak procedura burokratike.
Për mjedisin, konkretisht për sektorët e ruajtjes së biodiversitetit dhe menaxhimit të mbetjeve, Bashkëpunimi Gjerman ka investuar rreth 47.9 milionë Euro si dhe është aktive në mbrojtjen e klimës. Një tjetër fushë është ajo e konsulencës mbi mundësitë ligjore të emigrimit drejt Gjermanisë si dhe të mbështetjes së integrimit të personave të rikthyer.
Mbështetja gjermane, përllogaritur prej vitit 1988, shkon gjithsej në më shumë se 1 miliard euro. Gjermania është kësisoj një prej donatorëve më të mëdhenj e më të rëndësishëm për Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.