Home / Ekonomia / Tregu rajonal i gazit, përcaktohen rregullat që duhet të ndjekin operatorët për funksionimin

Tregu rajonal i gazit, përcaktohen rregullat që duhet të ndjekin operatorët për funksionimin

Tregu rajonal i gazit duket se do të ndjekë shembullin e tregut të energjisë të paktën përsa i përket mënyrës sesi funksionon sot sistemi i transmetimit. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nxjerrë për konsultim rregulloren e cila synon të rregulllojë pikërisht këtë marrëdhënie mes operatorëve të transmetimit të gazit në vendet fqinje, një kërkesë kjo e imponuar nga Komuniteti i Energjisë. Kështu referuar rregullores operatorët janë të detyruar që të nënshkuajnë marrëveshje ku marrin përsipër angazhimet respektive ndëkrohë që të njëjtën gjë bëjnë edhe përballë përdoruesve të rrjetit. Asnjë nga operatorët nuk mund të bëjë ndryshime që prekin përdoruesit pa i konsultuar ato.

“Operatorët e sistemeve të transmetimit do të identifikojnë informacionin në përmbajtje të marrëveshjeve të interkonjeksionit që ndikojnë drejtpërdrejt përdoruesit e rrjetit dhe do t’i informojnë ata menjëherë. Përpara nënshkrimit apo amendimit të një marrëveshje interkonjeksioni që përmban rregullat sipas Nenit 3(c), (d) dhe (e), operatorët e sistemeve të transmetimit do të ftojnë përdoruesit e rrjetit të komentojnë mbi tekstin e propozuar të atyre rregullave të paktën dy muaj përpara nënshkrimit apo amendimit të marrëveshjes. Operatorët e sistemeve të transmetimit do të marrin në konsideratë komentet e përdoruesve të rrjetit kur të nënshkrojnë apo amendojnë marrëveshjet e tyre të interkonjeksionit” përcaktohet në rregulloren e nxjerrë për konsultim nga ERE e cila është e njëjtë për të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit të gazit në rajon.

Operatorët do të kenë vetë përgjegjësinë e përcaktimit të rrjedhës së gazit, të sasisë që kalon në rrjetin e tyre në një ditë apo orar të përcaktuar. I njëjti dokument përcakton edhe praktikat që do të ndiqen nga operatorët lidhur me saktësinë e parashikueshmërisë, mbi instalimin, mirëmbajtjen e pajisjeve matëse në pikat e interkonjeksionit apo masat teknike të përcaktuara nga rregullatorët kombëtarë të operatorëve fqinjë.

Dokumenti përcakton gjithashtu parimet e matjes për sasinë dhe cilësinë e gazit, rregullat për procesin e përputhjes apo rregullat për alokimin e sasive të gazit. Rregullorja sanksionon procedurat e komunikimit për rastet e ngjarjeve të jashtzakonshme duke saktësuar se anglishtja do të jetë gjuha e përdorur me përjashtim të rasteve kur është dakordësuar ndryshe.

“Operatorët fqinjë të sistemit të transmetimit do të garantojnë se kanë themeluar procedura lehtësuese të komunikimit, të shpejta dhe simultane në rast të ngjarjeve të jashtëzakonshme. Vetëm nëse është dakordësuar ndryshe, komunikimi midis operatorëve të përfshirë të sistemit të transmetimit do të bëhet me komunikim verbal në anglisht për njoftimet duke e ndjekur dhe me konfirmim elektronik me shkrim” thuhet në dokumentin e nxjerrë për konsultim nga ana e Entit Rregullator të Energjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.