Home / Kosova / “Zëri i Amerikës”: Dështon takimi në Bruksel-Vuçiç refuzon të takohet me Thaçin

“Zëri i Amerikës”: Dështon takimi në Bruksel-Vuçiç refuzon të takohet me Thaçin

Por, ata u takuan secili veç e veç me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, por jo edhe më njëri tjetrin, meqë presidenti serb refuzoi të takohej për shkak të sic u tha “qasjes kërcënuese të Prishtinës”.

Shefi i zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriç, tha madje se nuk dihet nëse do të ketë mundësi të vazhdohen bisedimet me njerëz të tillë “që kanë kërcënuar, sulmuar presidentin Vuçiç dhe duke provuar që t’i pengohet vizita ne Kosovë”.

​Autoritetet serbe ju referuan një deklarate të kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli i cili kishte thënë se vizita e paralajmëruar e presidentit të Serbisë në Kosovë gjatë fundjavës është lejuar nga autoritetet në Prishtinë, por kishte tërhequr vërejtjen se nuk mund të lejohet çfarëdo veprimi destabilizues dhe presidenti serb nuk ka arsye të qëndrojë në liqenin e Gazivodës, që është një nga çështjet e diskutueshme në bisedimet ndërmjet palëve.

Mediet serbe thanë se presidenti serb ka urdhëruar ushtrinë, policinë dhe shërbimin serb të zbulimit që të shkëpusin çdo kontakt me autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë dhe se të premten në mbrëmje do të vendos nëse do të shkojë apo jo në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten ne Bruksel se “institucionet e Kosovës e kanë marrë vendimin e tyre. Unë e respektoj interesim e përfaqësuesve të Serbisë për të diskutuar me serbët e Kosovës dhe shpresoj që mesazhet e tyre do të jenë në funksion të paqes e stabilitetit në Kosovë dhe rajon”.

View image on TwitterView image on Twitter

Hashim Thaçi

@HashimThaciRKS

Good start of the day with a bilateral meeting with HRVP Mogherini in Brussels today. We’re talking about the framework for a peace final agreement for normalisation and enabling of european integration for and the region.

Para se të fillonte takimin dypalësh me shefen e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se procesi përfundimisht po hyn në një periudhë të re drejt një marrëveshjeje të paqes.

“Jam i vetëdijshëm se do të kemi pengesa për të ecur përpara, por jam i bindur se do të kemi përparim. Kjo gjendje e konfliktit të ngrirë është e paqëndrueshme, duhet të ecim përpara drejt paqes përfundimtare, drejt të ardhmes euro-atlantike të Kosovës, por edhe të ardhmes evropiane të Serbisë, që nënkupton më pak hapësira për ideologji jo perëndimore në Ballkan”, tha presidenti Thaçi.

Sipas tij, ky dialog dhe marrëveshja përfundimtare ka kuptim kur të ndodhë njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Para se të shkonte në Bruksel ai tha se do të shtrojë në bisedimeve kërkesën për bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë serbe në jug të Serbisë, me Kosovën, me gjithë mospajtimet në skenën politike në Kosovë rreth ideve të tij për “korrigjimin e kufirit”.

“Kosova është unike në favor të dialogut, qeveria, Kuvendi, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat janë në favor të dialogut, marrëveshjes paqësore dhe demarkacionit të kufirit që nënkupton edhe përfshirjen e kësaj pjese”, tha ai në Bruksel.

Raundi i ri i bisedimeve ndodhë pak ditë pasi që të dy presidentët kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedime, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e ka shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

Presidenti Thaçi shkoi në Bruksel duke lënë në shtëpi një skenë politike thellësisht të ndarë rreth bisedimeve me Serbinë. Partitë opozitare thonë se do të ndërmarrin çdo veprim politik, përfshirë edhe protestat, për të penguar presidentin dhe këdo tjetër të negociojë për tërësinë tokësore të Kosovës.

Kundër diskutimeve të tilla janë shprehur edhe një pjesë e partive në pushtet përfshirë edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

As presidenti i Serbisë, e as presidenti i Kosovës nuk kanë shpalosur ndonjë hollësi se si mund të dukeshin e zbatoheshin idetë e tyre. Në asnjërën nga paraqitjet e tij, presidenti Thaçi nuk e ka shpjeguar se në ç’kushte do të pranonte Serbia të heqë dorë nga Lugina e Preshevës dhe çfarë mund të përfitojë ajo. Ideja e tilla nuk është komentuar asnjëherë nga presidenti serb i cili ka përsëritur se marrëveshja duhet të jetë e dhimbshme për të dyja palët. Të dy pohojnë se arritja e marrëveshjes do të jetë shumë e vështirë.

Debatet rreth marrëveshjes përfundimtare përfshijnë edhe dallimet e shfaqura në komunitetin ndërkombëtarë.

Dy javë më parë, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

Një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Gjermania e Britania e Madhe, kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve, për shkak të pasojave që mund të kishte për Ballkanin Perëndimorë, që ende po rimëkëmbet nga pasojat e luftërave të përgjakshme të fundshekullit të kaluar.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha ditë më parë se pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje ligjore ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa theksoi se “do të do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në krijimin e shteteve njëetnike”.

Ajo shfaqi shpresën se marrëveshja mund të arrihet deri vitin e ardhshëm kur mbushen 20 vjet që nga lufta në Kosovë dhe sipas saj, është koha që t’i jepet fund atij konflikti”.

Lufta e vitit 1999 mori fund më ndërhyrjen e NATO-së për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Nëntë vjet pas luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, por është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.

Afrimi i zgjedhjeve në Bashkimin Evropian që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm ka shtuar trysninë mbi të dyja palët për një marrëveshje më të shpejtë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se menjëherë pas Brukselit do të shkojë në Kosovë, për të realizuar takime me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe qytetarët serbë për të diskutuar me ta rrugët e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: