Ekonomia

Investimi 19 milionë euro, Shqipëria me hotelin e parë të rrjetit Hilton

Marka e njohur e hotelerisë botërore, Hilton ka mbërritur edhe në Shqipëri. Hilton Garden Inn Tirana është hapur në kryeqytet, si hoteli që pret të mbushë hapësirën bosh midis hotelerisë së shtrenjtë dhe asaj të lirë në Tiranë, duke ofruar çmime të përballueshme. Ndërkohë, rritja e numrit të turistëve në vendin tonë është një parakusht më shumë për sjelljen e këtij investimi.

Hilton Garden Inn Tirana, sipas drejtuesve më të lartë të kompanisë në Shqipëri, u ofron mysafirëve mikpritje të klasit botëror, në një destinacion turistik në rritje.

Hoteli i ri, i cili është pjesë e markës së vlerësuar me disa çmime, Hilton Garden Inn, iu bashkua listës së 62 hoteleve të hapura në të gjithë Europën.

E pozicionuar në Bulevardin “Gjergj Fishta”, hoteli është i vendosur vetëm dy kilometra larg qendrës së qytetit dhe vendndodhjes së bizneseve, duke ofruar qasje të lehtë tek kompanitë e biznesit dhe atraksionet e vendit. Me lulëzimin e turizmit, Hilton Garden Inn Tirana u ofron udhëtarëve në Shqipëri mikpritjen e markës së mirënjohur. Të gjithë mysafirët në Hilton Garden Inn në mbarë botën akomodohen në dhoma me çmim të përballueshëm, pajisje moderne dhe kanë premtimin e “Hilton Garden Inn”, e cila afirmon qëllimin e markës për të bërë çdo mysafir të ndihet rehat.

“Jemi të lumtur që kemi sjellë përvojën e Hilton Garden Inn në Tiranë”, tha Michael Walker, Menaxher i Përgjithshëm ndërsa shoqëroi një grup gazetarësh për të parë nga afër këtë investim, inaugurimi zyrtar i të cilit pritet të ndodhë më 18 shtator.

“Me dhomat e tij të rehatshme, gamën e gjerë të opsioneve për ushqimin dhe hapësirat për takime dhe evente, Hilton Garden Inn Tirana synon të bëhet zgjedhja e preferuar për vizitorët në qytet.”

“Hilton po rritet në bazë të menaxhimit dhe të drejtave franchise, që do të thotë që ne punojmë me pronarët dhe zhvilluesit (që investojnë në pasuri të paluajtshme) për të prezantuar markat tona. Hilton nuk investon direkt në pasuri të patundshme”, thotë Walker në një intervistë për Agjencinë telegrafike Shqiptare.

Hoteli kushtoi 19 milionë € për t’u ndërtuar dhe marrëveshja për menaxhimin e tij u nënshkrua në vitin 2014 midis Hilton dhe investitorit, Ali Selmani. Hapja e hotelit zgjeron ndikimin global të Hilton në më shumë se 106 vende dhe territore.

Hoteli ka një total prej 143 dhomash, duke përfshirë 2 suita dhe 7 dhoma familjare Deluxe. Më shumë se 40 dhoma kanë ballkone të mëdha të gjera dhe të gjitha dhomat ofrojnë të gjitha shërbimet dhe lehtësitë që mund të prisni me një markë ndërkombëtare hotelt duke përfshirë ËiFi falas. Gjithashtu disponon edhe restorantin tonë të plotë a-la-carte, lounge bar dhe tarracë në natyrë. Një nga karakteristikat e hotelit është një kat i plotë me hapësirë rreth 1200 metra katrorë i dedikuar totalisht për konferenca dhe aktivitete të ndryshme.

“Aktualisht kemi 52 punonjës. Vetëm unë dhe 3 punonjës të tjerë jemi të huaj, kurse i gjithë ekipi është rekrutuar në nivel lokal. Ne shpresojmë që ekipi ynë të rritet ndërkohë që edhe ne rritemi në Tiranë dhe aktualisht kemi disa vende të lira për departamentin e Ushqimit e Pijes si dhe departamentin e Shitjeve”, thotë Michael Walker, Menaxher i Përgjithshëm.

I pyetur nëse ky investim është ndikuar nga politikat fiskale lehtësuese të qeverisë në fushën e hotelerisë për turizmin dhe përmirësimi i klimës së biznesit në përgjithësi, Walker thotë se zhvillimet e fundit janë inkurajuese.  “Ne shpresojmë se kjo do të inkurajojë biznesin e mëtejshëm ndërkombëtar në Tiranë”, thotë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button