Home / Kosova / Qosja i përmend Berishës lidhjet me Serbinë, akuzon Thaçin si despot, udhëheqjen kosovare e quan juntë

Qosja i përmend Berishës lidhjet me Serbinë, akuzon Thaçin si despot, udhëheqjen kosovare e quan juntë

Akademiku Rexhep Qosja udhëheqjen kosovare e ka quajtur juntë. Gjersa, ka drejtuar akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës. Ai ka thënë se Berisha nuk ka aspak të drejtë të flas për çështjen e kufijve të Kosovës, pasi me naftën e Shqipërisë e ka furnizuar ushtrinë serbe që masakronte shqiptarë në Kosovë dhe se ka mohuar mundësinë që Kosova të bëhet shtet ndonjëherë. Derisa ka akuzuar Presidentin Thaçi se është bërë si despot dhe se i ndërron qëndrimet çdo ditë.

Në debatin për korrigjimin e kufijve është përfshirë edhe akademiku Rexhep Qosja. Ai udhëheqjen e tanishme të vendit e ka quajtur si juntë. Derisa ka thënë se ata që po flasin kundër korrigjimit të kufijve nuk po e kanë parasysh të ardhmen paqësore të fëmijëve.

Qosja ka drejtuar akuza të rënda edhe ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës.

Sipas akademikut Rexhep Qosja, në qoftë se ka politikan shqipëtarë që nuk ka të drejtë politike e morale të flaës për çështjen e kufijve të Kosovës, ai është Sali Berisha. Të gjithë këto deklarime të tij, vijnë pas deklaratës së Sali Berishës në takimin me Albin Kurtin.

Ai ka deklaruar se Berisha është ai që që duke e quajtur Kosovën djep të binjakëve shqiptarë e serbë e ka ndarë Kosovën.

Madje, ka thënë se ai e ka furnizuar ushtrinë serbe që masakronte shqiptarë në Kosovë dhe se ka mohuar mundësinë që Kosova të bëhet shtet ndonjëherë.

Ndërsa, e ka këshilluar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin që të mos ta dëgjojë retorikën e një njeriu që siç thotë ai e ka humbur të drejtën politike e morale për të folur për kufijtë e Kosovës.

Ky është postimi i plotë i tij:

E dëgjova dhe e lexova deklaratën që anëtari i sotëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetari e kryeministri i djeshëm i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, tha në takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ishte kjo fjalë e ngarkuar me retorikë pseudoatdhetare dhe me fyerje ndaj të gjithë atyre që për bisedimet Kosovë-Serbi nuk mendojnë si ai!

Në këtë turr të tij sulmues, Sali Berisha nuk ngurroi t’i quajë argatë të Serbisë të gjithë ata që flasin për korrigjimin e kufirit, a për lëvizjen e kufirit, a për shkëmbimin e territorit midis Kosovës e Serbisë.

Në qoftë se ka politikan shqiptar që nuk ka të drejtë politike e morale të flasë për çështjen e kufijve të Kosovës ky është para së gjithash Sali Berisha.

Dhe, them kështu sepse Sali Berisha është ai që nga postet më të larta të Shqipërisë shtetërore ka mohuar mundësinë që Kosova të bëhet shtet ndonjëherë!

Dhe, them kështu sepse Sali Berisha është ai që duke e quajtur Kosovën djep të binjakëve shqiptarë e serbë e ka ndarë Kosovën!

Dhe, them kështu sepse Sali Berisha në vitet e despotizmit të tij, kur drejtpërdrejt e kur përmes Malit të Zi, duke e thyer embargon e vendosur prej faktorëve ndërkombëtar ndaj Serbisë,me naftën e Shqipërisë e ka furnizuar ushtrinë serbe që masakronte shqiptarë në Kosovë.

Për këto arsye e quaj të palejueshme gatishmërinë e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që në kohën kur BE-ja dhe SHBA-të po bëjnë përpjekje për t’u arritur marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë të dëgjojë retorikën e një njeriu që ka humbur të drejtën politike e morale për të folur për kufijtë e Kosovës.

Kjo që them për Albin Kurtin nuk do të thotë se unë pajtohem me sjelljet e qëndrimet politike, të bëra para se të mendohen, të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi. Jo. Unë me dëshpërim i dëgjoj e i shikoj në televizione varavingat politike të këtij despoti, i cili atë që e thotë në mesditë e mohon në mbrëmje, e ripohon të nesërmen dhe e mohon sërish në mbrëmje. Varavingat e tij politike janë bëtë shumë komprometuese për mendjen politike të Kosovës.

Dhe, të them në fund, se të gjithë ata që po mohojnë idenë e korrigjimit të kufirit, të lëvizjes së kufirit verior, të shkëmbimit të territorit midis Kosovës e Serbisë nuk duan të shohin se junta e sotme politike e Kosovës e ka levizur tashmë kufirin shtetëror të Kosovës me Maqedoninë dhe me Malin e Zi, kurse me Aneksin e Marrëveshjes për caktimin e kufirit me Malin e Zi mundësia e lëvizjes së mëtejme të këtij kufiri është e hapur! Dhe, kështu e ka shkelur dhe e mbanë të shkelur Kushtetutën e Kosovës! Dhe, po u kërkua prej saj, do të vazhdojë të shkelë e të tkurrë Kosovën edhe më tej. Deri kur?

Dhe, të them në fund se ata që po flasin kundër korrigjimit të kufirit, kundër lëvizjes së kufirit verior dhe kundër shkëmbimit të territorit mes Kosovës dhe Serbisë po flasin duke pasur parasysh postet e tyre, të sotmen e tyre, mundësitë e tyre për të qenë çka dëshirojnë të jenë e në asnjë çast duke pasur parasysh edhe të ardhmen paqësore të Kosovës, të ardhmen paqësore të fëmijëve tanë, të pasardhësve tonë!

Ata po tregohen çka janë në të vërtetë: njerëz politikë pa vizion politik?

E ata që merren me politikë sot e nuk mendojnë, e nuk e dinë se si duhet të jetë Kosova pas 20 vjetësh, ata s’kanë të drejtë morale të merren me politikën e shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.