Kronika

Debati i ekspertit të ONM me prokurorin: Po na thua se bleve bukë te kasapi…

Vetingu rinisi pas pushimeve verore me prokurorin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, Bujar Hoti.

Ky i fundit është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndaj i është nënshtruar me përparësi procesit të vetingut. Ai është një ndër katër kandidatët e KLP-së që ende nuk i janë nënshtruar vetingut.

Seanca e djeshme e KPK Hoti ishte i pranishëm ditën e djeshme në seancë i shoqëruar nga avokati Julian Mërtiri. Hetimi administrativ i KPK-së për prokurorin me karrierë të gjatë në organin e akuzës është zhvilluar në të tria kriteret e përcaktuara në ligj. Trupa gjykuese përbëhej nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.

Edhe pse ILDKPK e ka nxjerrë të pastër në raportin e saj Hotin, KPK zbuloi disa manovra për të përfituar një kredi, destinacioni i së cilës ishte i dyshimtë. Në seancë madje pati edhe debate mes prokurorit dhe vëzhguesit ndërkombëtar, Theo Jacobs. Ky i fundit e thumboi jo pak prokurorin e Apelit.

PASURIA

Sipas KPK, prokurori Hoti zotëron një apartament banimi 157 metra katrorë me një shtesë 30 metra katrorë në Durrës. Prokurori ka nën pronësi edhe një automjet të blerë për 6500 euro; një tokë arë 4 mijë metra katrorë në Spitallë të Durrësit, marrë nëpërmjet Ligjit 7501 për ndarjen e pronave; një zyrë noteriale me sipërfaqe 41.3 metra katrorë me një shtesë prej 19.6 metrash katrorë.

Në sitë është futur edhe pasuria e së shoqes së tij, e cila ka deklaruar 43 milionë lekë të ardhura nga viti 2003 deri në vitin 2016 nga puna si notere. Ndërsa Hoti të ardhurat e tij i ka llogaritur si 22 milionë lekë nga vitit 2003 deri në vitin 2016. Dyshimet janë mbi apartamentin 157 metra katrorë të porositur në vitin 2004 me një vlerë prej 70 mijë eurosh. Hoti vetë ka deklaruar se apartamentin e ka blerë për 68 mijë euro.

KPK konkludon se Hoti ka deklaruar një çmim dhe kontratë fiktive për blerjen e apartamentit dhe nuk ka deklaruar shtesën prej 30 metrash katrorë, që përdoret si garazh. Gjithashtu, probleme janë vërejtur edhe në tokën arë në Spitallë të marrë me Ligjin 7501. Sipas KPK-së, prokurori është zhvendosur nga Qerreti drejt Durrësit në vitin 1990 dhe meqenëse kishte marrë banesë, nuk mund të trajtohej me pronë aty. Po kështu, toka, sipas KPK-së, nuk mund të jetë bujqësore, pasi ndodhet në bregdet.

DEBATI

I gjithë debati më pas u zhvendos te apartamenti, ku prokurori ka deklaruar në veting se e ka blerë për 23 mijë euro, ndërkohë që ka marrë kredi 70 mijë euro për të. Sipas KPK-së, prokurori ka bërë dy kontrata për dy apartamente të tjera. Këto kontrata ai i ka paraqitur në bankë për të marrë kreditë, ndërkohë që ka një apartament dhe pa hipotekë. Vetë prokurori tha se ka qenë firma ajo që ka bërë një lapsus dhe se ai s’ka firmosur dy kontrata. Këtu ka ndërhyrë edhe përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs, i cili ka ironizuar prokurorin.

“Ju po na thoni se keni blerë bukë te kasapi dhe prisni që ne ta besojmë këtë. Ne këtu presim të na thuash të vërtetat. Ju folët edhe për kursime, që nuk i keni deklaruar asnjëherë. Morët një kredi 70 mijë euro dhe këto para përfunduan në llogarinë bankare personale të një administratori firme”, tha ai.

“Kam 32 vite që punoj si hetues. Askush s’ka kurajë të më kërkojë anën morale dhe ekonomike. Kam standard dhe jam përplasur me grupe kriminale të ndryshme. Kam mbuluar mbi 60% të Shqipërisë dhe për këto jam shpërblyer. Moto kam vetëm punën e s’kam asnjë vërejtje apo ankesë”, i është përgjigjur prokurori. Trupa gjykuese u tërhoq për vendim, i cili shpallet më 10 shtator në orën 10:00.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button