Home / Ekonomia / Ahmetaj: Nuk ka ndryshim në ligjin e lojërave të fatit. Taksohen me 15%

Ahmetaj: Nuk ka ndryshim në ligjin e lojërave të fatit. Taksohen me 15%

Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi Dekretin e  Presidentit të Republikës i cili sillte për rishqyrtim ligjin për tatimin mbi të ardhurat, pasi, sipas tij, ulja e barrës fiskale për lojërat e fatit stimulonte këtë industri, duke krijuar efekte negative në aspektin social dhe ekonomik.
I pranishëm në mbledhjen që zhvilloi dje Komisioni, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, u shpreh se nuk ka ndryshim në ligjin e lojërave të fatit, përveçse do të taksohet me 15%.
“Qëndrimi i mazhorancës është i prerë përsa i përket lojërave të fatit. Ne unifikuam standardin. Mënyra se si definohet baza e taksimit në këto lojëra fati ka pasur një përjashtim Lotaria Kombëtare që taksohej ndryshe, të gjitha kompanitë e tjera taksoheshin me 15% dhe ajo 10%. E vërteta është se qeveria Nano e ka lënë taksën mbi lojërat e fatit 20%, ndërsa qeveria Berisha e bëri 10%”, – sqaroi ministri Ahmetaj
Gjithashtu, ministri tha se nga 1 janari nuk do të ketë më në qytete kazino elektronike.
Kryetari i këtij komisioni Erjon Braçe tha se dekreti i Presidentit fizikisht është i vërtetë, por në përmbajtje është i rremë.
Sipas tij, Presidenti i Republikës pretendon se ne kemi ulur normën e tatimit mbi lojërat e fatit, gjë që rezulton thelbësisht e pa vërtetë.
Një tjetër shqetësim që ngriti Braçe ishte ndalimi i financimeve të ekipeve garuese, nga ekipet sportive.
“Është e paimagjinueshme që media t’i japë akses reklamave që nxisin qytetarët të bëhen pjesë e këtyre lojërave. Të ndalohet financimi i ekipeve sportive me para nga lojërat e fatit”
Në përfundim, anëtarët e komisionit e rrëzuan Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10850, datë 30.07.2018, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: