Bllokohet aeroporti i Beogradit, devijohet fluturimi nga Tirana
Lajmi konfirmohet nga autoriteti aeroportual serb, që sqaroi se avioni “Boeing 737-800” zbriti pa pasagjerë në orën 4:11 në aeroportin e kryeqytetit serb. Avioni mbeti i ndalur në pistë për shkak të problemeve teknike.
Disa ekspertë teknikë kanë ndërhyrë sipas procedurave të parashikuara në të tilla raste. Të gjithë avionët e linjës serbe “Air Serbia” janë devijuar nëpër aeroporte të ndryshme të rajonit.
Fluturimet nga Tirana e Athina u devijuan në Timisoara të Rumanisë; ato nga Nju Jorku në Zagreb të Kroacisë; nga Bejruti në Sofje të Bullgarisë; ndërsa fluturimet nga Larnaka (Qipro), Selaniku, Shkupi dhe Bukureshti drejt Nishit. Drejt Timisoarës janë devijuar edhe fluturimet nga Abu Dhabi, ndërsa në Budapest u dërgua fluturimi i mëngjesit nga Hurghada.
Ndërkohë, të gjithë ata që kishin planifikuar nisjen nga Beogradi për në destinacione të tjera do të informohen nga autoriteti aeroportual në vend.