Opinion

Nacionalistët e Europës po marshojnë

Takimi i javës së kaluar midis Viktor Orban dhe Mateo Salvinit, ishte më shumë se sa vetëm fillimi i një miqësie të bukur. Partneriteti anti-emigracion, i formuar nga kryeministri hungarez dhe ministri i Brendshëm i Italisë është i rëndësishëm, pasi mund të formojë embrionin e një koalicioni të ri.

Në Europë, është e vështirë të organizohen komplote politike. Në sistem, ka shumë elementë të fshehur. Aritmetika zgjedhore e Parlamentit Europian, e bën të pamundur që një apo edhe dy grupime partiake të formojnë një shumicë. Por nëse nacionalistët dalin mirë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ata mund të jenë në pozitën për të formuar një koalicion jozyrtar.

Partia Fidesz e Orban, është anëtare e Partisë Popullore Evropiane, grupimi kryesisht pro-europian i qendrës së djathtë në Parlamentin Europian. Lidhja e Salvinit, është pjesë e Lëvizjes për Europën e Kombeve dhe Lirisë, e cila përfshin Marin Lë Penin, drejtuesen e Frontit Nacional në Francë.

Ekziston edhe një grup tjetër i djathtë, i cili përfshin konservatorët britanikë dhe partinë polake Ligj dhe Drejtësi. Këto grupime të ndryshme, vështirë se mund të cilësohen të bashkuara, por shumica e tyre dëshirojnë të ri-nacionalizojnë politikën e emigracionit. Çështja është nëse nacionalistët do të arrijnë të marrin në koalicionin e tyre anëtarët e PPE të qendrës, përveç Orbanit. Nëse ata e bëjnë këtë, mund të fitojnë.

Deri më tani, ia kanë dalë të shmangin një kurth të dukshëm. Ata nuk i binden kërkesës së Italisë për shpërndarjen e refugjatëve në BE sipas kuotave. Zoti Orban, është ndër ata që e kanë bllokuar këtë nismë. Zoti Salvini dhe zoti Orban, mbrojnë kësisoj interesa diametralisht të kundërta.

Ajo që i bashkon ata, është një qëllim strategjik gjithëpërfshirës:të dëshmojnë se BE-ja është duke dështuar të zbatojë një politikë funksionale mbi këtë problem. Dhe sa më i dukshëm ky dështim, aq më e lehtë do të jetë që ata të ri-nacionalizojnë politikën e emigracionit.

Ndjenja kundër emigrantëve, depërton thellë në rradhët e PPE. Kriza më e fundit qeveritare në Gjermani, u shkaktua nga propozimi për të dëbuar në kufi refugjatë të caktuar. Shumë deputetë kristiandemokratë, janë kritikë ndaj politikave pro-emigracionit të kancelares Angela Merkel.

Brenda PPE, të ashtuquajturit pro-evropianë komandojnë një shumicë. Unë e kam sot të vështirë të pranoj etiketimin e kancelares gjermane si një pro-europiane, në dritën e ngurrimit të saj të vazhdueshëm për të reformuar eurozonën.

Por edhe unë do ta pranoj, se ekziston një dallim cilësor mes mbrojtësve të statuskuosë së qendrës si ajo e Merkel, dhe anti-europianëve të thekur si zoti Orban. Disa brenda PPE-së dëshirojnë ta përjashtojnë, por deri tani kanë dështuar. Ata nuk kanë luksin të humbasin atë.

Pas vitit 2019, do të kenë madje më shumë nevojë për të. PPE rrezikon të humbasë shumë vende në zgjedhjet e vitit 2019, por grupimi i zotit Orban ka gjasa të mbetet i fortë. Pesha e tij relative në bllok do të rritet.

Partia më e madh e PPE-së, kristiandemokratët gjermanë, janë më të dobët, nga sa ishin 5 vjet më parë. Qendra e djathtë franceze, është sot shumë më e vogël se dikur, dhe shumë më tepër euroskeptike. Forca Italia e Silvio Berluskonit, renditet me më pak se 10 për qind në sondazhe. Partia Popullore në Spanjës, e ka humbur kohët e fundit pushtetin në Madrid, dhe për pasojë është më e dobët.

Qendra e majtë, do të përfundojë si humbësja më e madhe nga të gjitha. Në Francë dhe Holandë, partitë e qendrës së majtë u rrënuan në zgjedhjet e fundit. Ish-kryeministri italian Mateo Renci, mori më shumë se 40 për qind të votave në zgjedhjet evropiane të vitit 2014. Por Partia Demokratike, votohet tani nga më pak se 20 për qind e italianëve.

Në një pozitë të ngjashme ndodhen socialdemokratët gjermanë. Ajo që mund të parashikohet me një siguri të lartë, është se qendra e majtë dhe ajo e djathtë, s’do të jenë më në gjendje të formojnë një koalicion të madh, dhe të diktojnë agjendën politike.

Ato do të jenë të kushtëzuara nga dy të sapoardhurit në politikën europiane – nacionalistët anti-emigrantë dhe një grupim i ri në rritje i liberalëve pro-europianë nën udhëheqjen e Emanuel Makron. Presidenti francez, ishte në një turne europian javën e shkuar, në kërkim të partnerëve politikë.

Një aleat i natyrshëm është Ciudadanos, një parti liberale dhe një yll në rritje në skenën politike spanjolle. Por kjo parti nuk ka bashkë-komplotistë në Gjermani apo Itali. Zgjedhjet e vitit 2019, do të përcaktohen në një masë të madhe nga suksesi i zoti Makron, në udhëheqjen e një koalicioni të forcave pro-europiane.

Nacionalistët e kanë një avantazh. Meqë nuk kanë agjendë pozitive për BE-në, ata janë më pak xhelozë për njëri-tjetrin se sa centristët. Zonja Merkel dhe zoti Makron janë kundërshtarë politikë, veçanërisht tanimë që ajo ka kundërshtuar praktikisht të gjitha idetë e tij për reformën e eurozonës.

Sfida e vendosur nga nacionalistët, është më serioze se sa do të sugjeronte mbështetja e yre aktuale elektorale. Salvini dhe Orban, janë përcaktues të rendit të ditës. I vetmi diktues i rendit të ditës në anën tjetër është Makron. Ata janë tani kundërshtarët e vërtetë në politikën europiane. Nuk ka asnjë garanci, se do të dominojnë pro-europianët. Kjo garë do të jetë shumë e ngushtë, për të fjetur mbi gjethe dafinash.

Burimi: “Financial Times”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button