Home / Rajoni / Maqedonia / Në prag të referendumit, vizita intensive nga Perëndimi në Shkup

Në prag të referendumit, vizita intensive nga Perëndimi në Shkup

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazinë, Wes Michel, deklaroi në Shkup, se Uashingtoni e mbështet fuqishëm Marrëveshjen e Prespës. Realizimin e saj SHBA e sheh si mundësi për Maqedoninë në NATO.
“E dimë se nevojitet shumë punë dhe kompromise nga të dyja palët. Rruga ishte e gjatë, 27 vite që të arrihet deri këtu. Ju japim përkrahje të madhe, por përfundimisht ky është vendimi të cilin mund ta japin vet qytetarët e Maqedonisë”, u shpreh Wes Michel, Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazinë gjatë qëndrimit në Shkup. Michel ritheksoi interesimin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, i cili po ashtu vizitoi Shkupin inkurajoi qytetarët e Maqedonisë që më 30 shtator të kontribuojnë në procesin integrues të vendit. “Shqiptarët që jetojnë në Maqedoni duhet të vijojnë që të jenë mbështetës të zjarrtë të proceseve euroatlantike dhe unë sërish përfitoj nga rasti për t’u bërë thirrje për të dalë më 30 shtator dhe për të votuar pro së ardhmes së vendit të tyre, për të ndërtuar një jetë edhe më të mirë këtu”, ka thënë Ditmir Bushati ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov vlerëson, se vizitat e shpeshta të miqve ndërkombëtarë japin besimin se referendumi do të kalojë dhe se shumë shpjet Maqedonia do të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. “Kur e kemi pasur referendumin e parë për pavarësi në vitin 1991, nuk kemi pasur kaq vizita. Ky ka qenë problem, sepse të kishim pasur atëherë aq miq dhe aq vizita, sigurisht nuk do të na duhej dy e më shumë vite nga referendumi e deri tek anëtarësimi në OKB. Njeriu dhe shteti janë të fortë aq sa kanë shokë”, ka deklaruar Nikolla Dimitrov.

Autoritetet politike në Shkup do të kenë edhe takimet me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federica Mogherini nga e cila presin përkrahje të pa rezerva për referendumin e 30 shtatorit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: