Ekonomia

Shqipëri-Kosovë, unifikimi doganor, kjo “gënjeshtër” e madhe

Pas deklaratave politike për lehtësimin e tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ajo që në të vërtetë do të ndodhë gjatë vitit 2019 është që procesi i zhdoganimit nga dy shtetet të ofrohet në një godinë të vetme.
Projekti që më parë është zbatuar në doganën e Muriqanit me Malin e Zi dhe është në zbatim edhe me Maqedoninë dhe Greqinë, nuk ndryshon asnjë procedurë dhe tarifë ndërmjet shteteve të të njëjtit komb. Pse nuk funksionoi dogana e Kosovës në Durrës, si është vështirësuar tregtia nga tarifat ekstra. Eksportuesit kanë një propozim të thjeshtë që lehtëson me 50% kostot e tregtisë, Shqipëri-Kosovë

Blerina Hoxha

Ajo që gjerësisht në opinionin publik po cilësohet një “unifikim” i doganave ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk është asgjë tjetër vetëm ofrimi i shërbimit të zhdoganimit të mallrave në një godinë të përbashkët, secili me rregullat e veta. Pas deklaratave me tone të larta patriotike, marrëveshjeve, mbledhjeve të përbashkëta ndërmjet qeverive për lehtësimin e tregtisë, në të vërtetë qeveritë e të njëjtit komb do të zbatojnë një projekt në fushën e doganave, që vite më parë është vënë në funksion me Malin e Zi dhe shumë shpejt do të vihet në zbatim edhe me pikat doganore Greqinë dhe Maqedoninë. Projekti “Singlewindow” është një financim i Bashkimit Europian nëpërmjet projektit IPA 2012 dhe parashikon që procedurat e dy shteteve të ofrohen në një godinë të vetme, si për Kosovën dhe Shqipërinë.

Projekti për godinën e përbashkët ka nisur katër vite më parë, teksa parashikohet që shërbimi me një ndalesë të nisë nga funksioni vitin e ardhshëm. Drejtori i Procedurave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Saimir Sinani, shpjegoi se ofrimi i shërbimeve doganore me një ndalesë nuk i ndryshon tarifat doganore dhe as numrin e procedurave që aplikon secila palë. Në këtë kontekst, shërbimi për bizneset do të jetë me një ndalesë, ashtu siç ofrohet edhe sot për pasagjerët. Por në diskutim janë ende dy variante. I pari, që është edhe më i mundshmi për zbatimin, është kryerja e procedurave në një ndalesë ku të dyja palët të jenë të pranishme, ndërsa varianti i dytë është që kontrolli të kryhet vetëm nga pala pritëse, si në rastin e pasagjerëve.

Por teksa doganat kanë nisur punën për projektin, të cilin do ta shtrijnë në të gjitha pikat doganore, si një detyrim që duhet të plotësohet në procesin e anëtarësimit në BE, deklaratat politike e kanë përkthyer këtë projekt në një unifikim të procedurave doganore Shqipëri – Kosovë, duke krijuar pritshmëri të larta te bizneset që në realitet nuk ekzistojnë. Madje në kuadër të nismës rajonale për një zonë të lirë tregtare në Ballkan, Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit, janë ende të vonuara për të lehtësuar tregtinë drejt tarifave zero deri në vitin 2023.

Përpos inflacionit të deklaratave politike për të përmirësuar tregtinë ndërmjet dy anëve të të njëjtit komb, arritjet në realitet janë modeste.
Volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës u rrit gjatë periudhës 7-mujore (janar-korrik 2018) me 14%, por baza e ulët e tregtisë e zbeh arritjen. Rezultatin më të madh në volumin tregtar e dhanë eksportet nga Shqipëria, të cilat u rritën në janar-korrik me 17.8%, teksa rritje shënuan edhe importet nga Kosova me 5.7%. Produkti më i eksportuar në Kosovë gjatë këtij viti ishin materialet e ndërtimit, energjia elektrike, ndërsa mallrat më të importuara ishin ushqimet.

Alban Zusi, kryetar i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, thotë se aktualisht tregtia ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është e bazuar në vlera të vogla, por kostot e zhdoganimit në raport me to janë shumë të larta. Pavarësisht sasisë së ngarkesës, një biznesi shqiptar i kushton një eksport në Kosovë 276 euro. Ndonjëherë këto kosto zënë 40% të vlerës së mallit. Ai tha se Shoqata e Eksportuesve ka përgatitur një projekt që lehtëson së paku gjysmën e kostove dhe është paraqitur zyrtarisht institucioneve shqiptare të financave.

Si do të funksionojë dogana e përbashkët

Tashmë doganat e kanë bërë një projektmarrëveshje që është në fazën e konsultimit se si do të funksionojë pika e përbashkët e shërbimit doganor Shqipëri-Kosovë. Pika e përbashkët e kalimit kufitar, e cilësuar (PPKK) do të vendoset në Morinë në territorin e Shqipërisë, ku nëpunësit doganorë të palëve kanë të drejtë të kryejnë kontrollin doganor. PPKK përfshin seksionin e rrugës në territorin e Shqipërisë, mjediset dhe të gjitha mjediset e tjera ndihmëse që duhen për kontrollin doganor.

Për funksionimin e saj do të ngrihet një Komision i Përbashkët i Ekspertëve (KPE), i cili do të jetë përgjegjës për zbatimin e protokollit dhe përbëhet nga tre përfaqësues të përhershëm të caktuar nga palët doganore përkatëse. Administrator i pikës është parashikuar të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë.

Në përputhje me marrëveshjen janë përcaktuar kufijtë e pikës së përbashkët të kalimit kufitar dhe procedurat për transferimin dhe kthimin e mallrave të konfiskuara apo provave që i shoqërojnë ato në një vendndodhje tjetër zyrtare.
Mjediset zyrtare, që do të përdoren për kontrollin doganor nga të dyja palët, do të shënohen me simbole shtetërore dhe në përputhje me rregulloret e brendshme.

Si do të bëhen kontrollet

Kontrollet do të kryhen sipas marrëveshjes, ku nëpunësit e palëve do të shkëmbejnë informacion dhe do të japin asistencë të përbashkët. Të gjitha aktet ligjore të palëve në lidhje me kontrollin doganor do të zbatohen nga Pika e Përbashkët e Kontrollit dhe pasojat për shkeljet do të jenë të njëjta sikur të kishin ndodhur në territorin e secilës palë.

Veprimtaritë ditore nga PPKK, të kryera nga nëpunësit e Kosovës do të konsiderohen si të kryera në territorin e Kosovës. Nëpunësit e secilës palë kanë të drejtë të ndalojnë, të arrestojnë dhe të kufizojnë lirinë e një personi gjatë kontrollit kufitar, por vetëm në përputhje me legjislacionin shtetëror respektiv. Kur merren masa, nëpunësit e secilës palë duhet të informojnë njëra-tjetrën. Në PPKK, kontrolli doganor në hyrje do të ushtrohet mbi bazën e parimit të analizës së riskut. Kontrolli doganor në dalje është në diskrecionin e vendit të daljes. Nëse kryhen të dy, kontrolli i parë është në dalje.

Udhëtarët dhe mjetet

Udhëtarë, mjetet dhe mallrat i nënshtrohen kontrollit doganor vetëm një herë. Nëse gjykohet e nevojshme, dokumentacioni i kontrollit të njërës palë mund t’i shërbejë palës tjetër për procedurat doganore të mëtejshme. Në këto raste, palët detyrohen t’i vënë në dispozicion njëra-tjetrës kopjen e dokumentacionit përkatës.

Marrëveshja përcakton se, në rastet e rrethanave të paparashikuara dhe të jashtëzakonshme dhe kur ka rrezik për sigurinë publike, palët bien dakord që të hiqet parimi me një ndalim dhe të rivendosen kontrollet e veçanta.

Kufizimet

Mallrat për të cilat importi është ndaluar nga vendi hyrës do të lejohen të kthehen në vendin e daljes. Në rastet e parimit me një ndalim, mallrat mund të sekuestrohen nga nëpunësit e vendit hyrës. Në rastet kur kontrollet kryhen në mënyrë të veçantë, nëpunësit e vendit të hyrjes mund të sekuestrojnë mallrat vetëm pasi kontrolli doganor të ketë përfunduar nga vendi i daljes dhe vetëm në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar.

Të hollat dhe letrat me vlerë të sekuestruara nga nëpunësit e secilës nga palët, gjatë kryerjes së kontrollit, si mallrat dhe mjetet e tjera, duhen të trajtohen sipas rregullave të vendit sekuestrues dhe nuk u nënshtrohen rregullave të eksportit. Nëpunësit mund të mbajnë vetëm një armë të shkurtër brezi, ata mund të mbajnë pranga, shkopinj gome. Përdorimi i forcës, sipas marrëveshjes, duhet të jetë në përputhje me rrezikun dhe nuk duhet të tejkalojë kufijtë e nevojës. Dokumentet, pajisjet teknike, posta dhe mjeta të tjetra nuk do të kontrollohen nga pala tjetër.
Palët pajtohen për ndarjen e shpenzimeve që kanë të bëjnë me energjinë, ujin dhe mirëmbajtjen e mjediseve doganore. Shërbimi parashikohet të ofrohet është 24 orë në 7 ditë.

Projekti për Morinën

Pika e Kalimit Kufitar Morinë është ndërtuar në vitet ‘80 dhe është restauruar pjesërisht në vitin 2002. Me qëllim përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese është kërkuar përmirësimi nëpërmjet Projekteve të financuara nga Bashkimi Europian. Faza e parë e punimeve në PKK Morinë është kryer në kuadër të IPA 2009, duke krijuar një zonë më të gjerë për parkimin e mjeteve të rënda.

Nëpërmjet Projektit aktual të IPA 2012 po finalizohen punimet për ndërtimin e një Pike Kalimi Kufitar të përbashkët me Kosovën, sipas projektit të detajuar të përgatitur nga Konsulentët e BE-së. Sipas burimeve zyrtare nga Doganat, duke përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet në këtë pikë të rëndësishme të kalimit të kufirit kontribuohet në përmirësimin e menaxhimit të kufirit në përputhje me standardet e BE-së, veçanërisht në lidhje me standardet Schengen.

Në dhjetor 2015 është nënshkruar kontrata midis Delegacionit të BE-së dhe fituesit të punimeve të ndërtimit (Kompania VEGA sha) si dhe supervizorit (IC Consultant). Në prill 2016, në Morinë u bë hapja e frontit të punimeve dhe aktualisht punimet janë drejt fazës finale.
Projekti përfundimtar i PKK Morinë, ku do të akomodohen të dyja Administratat Doganore (Shqiptare dhe Kosovare) i përgatitur nga Delegacioni i BE-së, ka tejkaluar fondin në dispozicion nga IPA 2012. Për këtë, është rënë dakord që Administrata Doganore Shqiptare të financojë vlerën shtesë të projektit, si pjesë e bashkëfinancimit. Një projekt i njëjtë po zbatohet edhe në pikën doganore të Hanit të Hotit dhe do të nisë edhe me pikat doganore me Maqedoninë dhe me Malin e Zi, teksa është aplikuar më së pari në pikën doganore të Muriqanit me Malin e Zi.

Sa shumë paguajnë bizneset në kufi për procedura

Një biznesi nga Shqipëria që eksporton në Kosovë i duhet të harxhojë vetëm për një procedurë 276 euro. Sipas një studimi që është bërë nga Qendra Shqiptare e Eksporteve, në këtë shumë 30 euro shkojnë për agjencinë doganore, 40 euro janë pagesë terminali, 68 euro kushton certifikata fitosanitare (ku 28 euro është pagesa standarde për 20 tonë plus 2 euro të tjera për çdo tonë). Ndërsa 138 euro të tjera janë pagesa për tarifat e hyrjes në rastin e një kamioni.

Ndërsa bizneseve të Kosovës u kushton një procedurë eksporti me Shqipërinë mesatarisht 144 euro. Në këto pagesa, 25 euro bizneset i Kosovës i paguajnë agjencisë doganore, 10 euro është pagesa e terminalit, 15 euro certifikata fitosanitare, 22 euro tarifa e skanimit në Shqipëri dhe 71 euro në total janë tarifat e hyrjes dhe shërbimet për një kamion në ditë. Struktura e tarifave ndërmjet doganës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës krijohet më së shumti nga disa tarifa ekstra që vendet aplikojnë dhe më së shumti nuk janë tarifa klasike doganore. Një tarifë e tillë në territorin e Kosovës është parkimi, i cili shkon 40 euro për kamion edhe nëse, bizneset e përdorin atë vetëm për një orë. Kjo tarifë është në vullnetin e qeverisë së Kosovës që të lehtësohet dhe nuk hyn në procedurat e zhdoganimit. Për një biznes nga Kosova, që do të eksportojë në Shqipëri, më së shumti peshon tarifa e skanimit prej 22 eurosh, që është një shërbim ekstra nëpërmjet koncesionit privat.

Tarifat

Tarifat që paguajnë bizneset e Kosovës për eksporte në Shqipëri

25 euro- Pagesë për agjencinë doganore
10 euro – Pagesë terminali (për mallrat e importuara)
15 euro – Certifikatë Fito-Sanitare
22 euro – Tarifa e skanerit (Shqipëri)
72 Euro në total – tarifat e hyrjes (vetëm shërbimet, për kamion në ditë)

Tarifat që paguajnë bizneset e Shqipërisë për eksporte në Kosovë

30 euro – Pagesë për agjencinë doganore
40 euro – Pagesë terminali (për mallrat e importuara)
68 euro – Certifikatë Fito-Sanitare (28 euro – pagesa standarde për 20 tonë, plus 2 euro/tonë)
138 Euro në total – tarifat e hyrjes (vetëm shërbimet, për kamion në ditë)

Projekti si mund të lehtësohet tregtia

Alban Zusi nga Qendra Shqiptare ka bërë një studim nëpërmjet të cilit ka dalë me propozime konkrete se si mund të lehtësohen kostot e tregtisë ndërmjet Shqipërisë e Kosovës. Zusi thotë se ka mjete për të lehtësuar tregtinë edhe pa ndryshuar kodin doganor. Ai tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të nisin të aplikojnë faturën-deklaratë. Kjo do të thotë që, kur një kamion niset nga Tirana në Kosovë, fatura fiskale e Shqipërisë të njihet edhe faturë eksporti dhe anasjelltas dhe të deklarohet në dy sistemet, në tatimet e Shqipërisë dhe ato të Kosovës.

Në pikën doganore duhet të instalohet pajisja që të lexojë faturën fiskale dhe kështu, më pas, malli gjurmohet për llogari të Kosovës. Vetëm nëpërmjet këtij investimi, kostot për një procedurë doganore lehtësohen me gati 80 euro, pasi kamionit nuk i duhet të ndalojë në agjencitë doganore. Zusi tha se fatura-deklaratë është lehtësisht e aplikueshme dhe përdorimin e saj e njeh edhe Kodi Doganor. Vetëm nga kjo procedurë, shtoi ai, kostoja dhe koha shkurtohen ndjeshëm.

Aktualisht një biznesi shqiptar i duhet të harxhojë për një eksport 2800 euro mall në Kosovë, rreth 280 euro për procesin e zhdoganimit dhe më shumë se dy ditë. Ai tha se, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin modelin e BE-për doganat, duke thjeshtuar procedurat dhe kostot. Edhe Arben Shkodra nga Shoqata e Prodhuesve Shqiptare ka paqartësi në lidhje me procedurat e ndryshme, që vazhdimisht e kanë penguar biznesin për të tregtuar mallra në të dy anët e kufirit. Shkodra propozon që të nisë puna për hartimin dhe implementimin e sistemit fiskal të unifikuar mes dy vendeve tona dhe përgatitjen e kushteve për heqjen e pikave doganore.

Tregti pa kufij deri në vitin 2023 në kuadër të projektit rajonal

Këshilli i Koordinimit Rajonal (KKR), që funksionon si një strukturë koordinuese e Nismës së Berlinit për Ballkanin Perëndimor (WB6), ka ndërmarrë një nismë për zerimin e tarifave doganore ndërmjet vendeve deri më 2023. Vendet e WB6 janë të angazhuar për Zbatimin e Planit të Veprimit në fushën e tregtisë për të arritur objektivin e krijimit të një zone ekonomike rajonale në CEFTA me rregulla të njëjta si në BE. Masat synojnë uljen e kostos së tregtisë për të eliminuar pengesat dhe për të optimizuar koston e prodhimit.

Kryeministrat e gjashtë vendeve kanë firmosur që deri në vitin 2023 në rajonin tonë mallrat, shërbimet, investimet dhe njerëzit të lëvizin lirisht pa tarifa njësoj si BE-ja sot, pa kuota apo pengesa dhe ku tregtia lehtësohet nga rregullat e OBT-së. Kontrollet e përbashkëta kufitare me një ndalesë duhet të nisin nga puna gjatë 2018-2019. Heqja e barrierave për tregtinë e shërbimeve dhe njohja elektronike e certifikatave duhet të ndodhë deri në vitin 2023. Deri në vitin 2020, duhet të jetë zbatuar protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të CEFTA dhe vendet duhen të kenë kryer gjithashtu investimet në infrastrukturën e brendshme për tregtinë pa tarifa. Deri në vitin 2020, gjithashtu duhet të funksionojë një Task Forcë që të ndalojë subvencionet e fshehta të shteteve të veçanta ndaj sektorëve të caktuar.

Shqipëria aktualisht e ka të kufizuar tregtinë me vendet e rajonit. Sipas të dhënave nga CEFTA, shihet se tregtia e Shqipërisë me këto vende nuk pësoi ndryshime të dukshme që kur u nënshkrua marrëveshja në vitin 2013. Përkundrazi në vitin 2016, Shqipëria importoi më pak mallra nga vendet e CEFTA-s se viti paraardhës. Nga 8% që ishte pesha e importeve në këto vende më 2015, në 2016 zbriti në 6%.

Raporti për tregtinë i CEFTA-s tregon se, Shqipëria ka partnerin e saj më të fuqishëm tregtar për eksportin Italinë. Me këtë shtet, Shqipëria realizon 58% të eksporteve, ndërsa me vendet e CEFTA-s realizoi vetëm 14% të eksporteve, një peshë e njëjtë me atë të vitit 2015. Shihet se gjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka rritur më tej (7%) përqendrimin e eksporteve me Italinë në raport me 2015-n.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button