Home / Opinion / Vetingun e politikanëve do e bëjnë SPAK dhe BKH

Vetingun e politikanëve do e bëjnë SPAK dhe BKH

Prec Zogaj

Në Shkodër dhe në Elbasan, opozita bëri lëvizje të mira kundër krimit të fuqizuar falë lidhjeve politike. Shkoi në këto qytete e mbështetje politike, vrasjet si në xhungël, apatinë apo kapitullimin e Policisë në këto qytete, duke qme gjithë deputetët e saj, denoncoi nga afër marrjen peng të lagjeve të tëra nga bandat kriminale menë ajo e tradhtuar nga vetë qeveria. Operacionet policore dhe arrestimet që pasuan lëvizjet e opozitës janë prova më e mirë e dobisë së këtyre lëvizjeve. Pavarësisht se qeveria është përpjekur t’i paraqesë sikur nuk kishin lidhje me aksionin opozitar.

Në fakt, në rastin më të mirë, qeveria ishte në gjumë. Ose kishte ngritur duart. Lëvizjet e opozitës, e zgjuar nga gjumi, e bënë me turp, duke i treguar se nuk mban më ujë pilafi. Qeveria do të kishte bërë mirë të falënderonte opozitën për këtë sirenë alarmi. Por kjo nuk ka rëndësi. Lufta kundër krimit është si të notuarit kundër rrymës. Sapo qeveria t’i lëshojë duart, rryma e kthen në pikën e nisjes. Ndaj, opozita bën shumë mirë ta vazhdojë në qytete te tjera dhe në forma të reja betejën e saj kundër krimit me lidhje, syshkelje apo tolerim qeveritar.

Në Shqipërinë e sotme të një simbioze të panjohur deri më sot midis krimit dhe politikës, opozita është institucioni që ka kushtet dhe mbrojtjen e nevojshme institucionale për të denoncuar me emra dhe mbiemra, me afera konkrete dhe lidhje konkrete banditët që veprojnë si ortakë të qeverisë. Janë edhe gazetarët, është edhe media një institucion i pazëvendësueshëm antikrim. Janë edhe vetë strukturat e Policisë që, kur nuk priten në besë prapa krahëve e nuk tradhtohen nga lart, bëjnë çudira. Por, opozita ka mbrojtje më të madhe. Sa i takon “vijës mbrojtëse”, opozita mund të krahasohet vetëm me ambasadat e fuqishme të vendeve mike, që denoncojnë hapur, me emra kriminelë të rrezikshëm në kërkim, në veprim apo që blejnë drejtësinë.

Duke njohur misionin dhe pozicionin e saj, opozita ka identifikuar me të drejtë se lidhjet e politikës me krimin janë rreziku më i madh për demokracinë, sigurinë, demografinë dhe deri për ekzistencën tonë si vend dhe si popull. Opozita e ka përcaktuar si prioritare luftën kundër krimit në pushtet dhe pushtetit në krim me mjetet që ajo ka. Opozitën nuk ka kush e tradhton veç vetes së saj në këtë betejë. PD, si partia më e madhe, ka qenë dhe është gjithnjë në kërkim të nismave dhe mënyrave efikase të bërjes së kësaj luftë. Kryetari i saj, Lulzim Basha, ka qenë protagonist i Ligjit të Dekriminalizimit, të cilin e arriti falë mbështetjes nga SHBA dhe BE.

Ajo që ndodhi së fundmi në Shkodër tregoi se konkretësia është një mjet shumë efikas i luftës së opozitës kundër krimit. Përmendja e njerëzve të botës së krimit me emër dhe mbi emër, denoncimi konkret, në numrin njëjës i bëmave të tyre, i lidhjeve të tyre me njerëzit e ekzekutivit, i pushtetit real që ata ushtojnë në thellësi të vitrinave të pushtetit, në zyrat e prefekturave, hipotekave, verifikimit të titujve të pronësisë, legalizimeve, licencimeve, tenderimeve e tjerë e tjerë, ku njerëzit e malavitës me lidhje qeveritare bëjnë ligjin- të gjitha këto bëjnë punë me shumë se qindra fjalime. Opozita i ka mundësitë, i ka mjetet, e ka e mund ta ketë njohjen për ta bërë këtë. Konkretësi, konkretësi, konkretësi. Konkretësia e nxjerr bishën jashtë. Konkretësia e vë qeverinë me shpatulla pas murit, e turpëron para qytetarëve, e detyron të bëjë diçka, qoftë edhe për t’u dukur apo për të kaluar radhën.

Mbi të gjitha, konkretësia bën për vete qytetarët. Nuk ngjisin më format e vjetra të denoncimit në shumës të roshëve, noshëve, prengëve e tjerë e tjerë, që duket sikur denoncojnë shumë, por në fakt nuk denoncojnë asnjë. Nuk ngjisin as akuzat e paadresuara që merren vetëm me fenomenin, por shmangin shifrat dhe emrat. Madje, këto forma i lenë indiferentë qytetarët sepse u lënë shijen e një teatri ku sekush po bën rolin. Më konkretisht, nuk bën punë t’u biesh me egërsi PPP-ve dhe nga ana tjetër të mos marrësh mundimin të nxjerrësh me ekspertët e tu kostot për kilometër të këtyre projekteve abuzive dhe t’i shpallësh para publikut si prova të pakundërshtueshme të vjedhjes.

Sa herë demonstron me fakte dhe shifra konkrete si janë grabitur tokat publike nga njerëzit e Ramës apo si po vidhen me thasë paratë në veprat pa garë që Rama ua ka dhënë miqve të tij apo për diversion edhe ndonjë miku të opozitës, opozita bën për vete edhe kundërshtarë. Këtu nuk ka nevojë për shumë investigim. Investigimet janë bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet vjetore të këtij institucioni janë një pasqyrë tronditëse e lidhjes së njerëzve të krimit me degët e ekzekutivit për shqyerjen e Shqipërisë.

Përveç konkretësisë, një tjetër instrument efikas kundër krimit dhe pandëshkueshmërisë në sistem pritet të jetë Drejtësia e re. Në disa shkrime unë kam argumentuar se opozita e ka edhe elektoralisht në favor Drejtësinë e re, që është konceptuar për të luftuar me ligj korrupsionin në sferat e larta. Politikanët e korruptuar janë vetë krimi. Prandaj i kam sugjeruar asaj ta përqafojë si kauzë përshpejtimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Në këtë rast opozita do të gjendej në një gjatësi vale me partnerët amerikane dhe europianë. Sot duhet kuptuar se nëse ka shpresë popullore për një ndryshim për mirë në Shqipëri, shpresa është Drejtësia e re. Një strategji e fitores nga opozita mund të ngrihet mbi këtë shpresë.

Në kërkim të mjeteve dhe nismave, që synojnë këputjen e lidhjeve të politikës me krimin, opozita ka ardhur së fundi të propozimi për vetingun e politikanëve. Është shumë e kollajtë të gjesh argumente pro kësaj nisme – kush nuk e do largimin e politikanëve të korruptuar me lidhje kriminale. Sikurse është e lehtë të kërkosh djallin në detaje, siç u shpreh ambasadori në largim i SHBA-ve, zoti Donald Lu, kur u pyet për nismën e opozitës nga gazetari Sokol Balla. Sidoqoftë, kjo nismë do të ndjekë rrugën e saj institucionale, pasi të marrë formën e një projektligji. Ajo që bie në sy në këtë moment është se nisma nuk ka gjetur ende mbështetje institucionale ndërkombëtare. Nismat e mëdha ligjore antikrim dhe antikorrupsion në Shqipërinë e viteve të fundit janë ndërmarrë e janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe BE.

Kam parasysh këtu ligjin e Dekriminalizimit apo vetë Reformën në Drejtësi që ka bashkautorësi amerikane dhe europiane në hartim dhe në zbatim. Është krejt e logjikshme dhe është rruga e vetme që ligjet e ndëshkueshmërisë në sferat e larta dhe pastrimit të politikës sonë në përgjithësi të bëhen dhe të zbatohen me një pjesëmarrje substanciale të partnerëve. Kjo jo vetëm sepse ligjet që kanë bërë faktorët vendas, siç del qartë nga produkti që shohin sot të gjithë, e kanë bërë politikën më pis se sa ishte, por edhe për faktin se klasa politike që ka penguar qarkullimin e elitave është vetë subjekt i Drejtësisë së re. Sot e dinë të gjithë se partnerët tanë e konceptuan Reformën sui generis në drejtësi për të goditur pandëshkushmërinë në sferat e larta. Pra, politikanët, jo, nuk janë të përjashtuar.

Përkundrazi: janë objekti kryesor i Drejtësisë së re, i SPAKU-t dhe BKH-së që priten të ngrihen së shpejti, i prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj që do të kalojnë vetingun apo do të bëjnë këmbë për herë të parë në sistem. Nga kjo pikëpamje kam përshtypjen se indiferenca e deritanishme e partnerëve ndërkombëtare për nismën e fundit të opozitës shpjegohet me mbajtjen e radhës, si me thënë, me shmangien e mbivendosjeve apo ngatërrimin e stacioneve, siç e themi në gjuhën popullore. Me fjalë të tjera, të ecim njëherë me vetingun e Reformës në Drejtësi pastaj me radhë.

Pak kohë më parë opozita doli me një paketë propozimesh për zhbërjen e ligjeve të Reformës në Drejtësi dhe bërjen e tyre nga e para. Paketa nuk mori mbështetje ndërkombëtare, madje pati disa reagime negative. Nga kjo del se që të ketë sukses, opozita duhet t’i sqarojë dhe t’i përfshijë partnerët, të jetë në sintoni me ta. Siç ka bërë me ligjin e Dekriminalizimit. Një veting i ndërsjelltë i politikanëve në Shqipëri nuk bind dhe nuk premton asgjë. Me partnerët po. Kjo është zgjidhja për të mbajtur ritmin e shpresës popullore për ndryshim. Që është ritmi i historisë së re në fakt.

Leave a Reply

%d bloggers like this: