Opinion

Forum / A është Bashkimi Europian një histori suksesi?

Projekti ambicioz i pasluftës në Europë, konsiderohet nga disa si një histori suksesi, që siguroi paqe dhe ekonomi të qëndrueshme në mbarë kontinentin. Por ai kritikohet nga të tjerët, si një makth burokratik. Ndërsa britanikët përgatiten për Brexit në marsin e 2019-ës, 4 ekspertë vlerësojnë arritjet dhe dështimet e unionit.

Denisa Djun, lektore e historisë në Universitetin Maynooth, Irlandë:BE është e papërsosur, por do hyjë në histori si një nga eksperimentet më kreative në ndërtimin e komuniteteve

Bashkimi Europian, është kulmimi i një procesi bashkëpunimi, që nisi në vitin 1952 me themelimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), i cili synonte ta bënte luftën midis anëtarëve të saj “jo thjesht të paimagjinueshme, por praktikisht të pamundur”. Ndonëse Europa nuk ka qenë e lirë nga lufta, nuk ka pasur një konflikt të armatosur midis shteteve anëtare që nga themelimi i BE-së – një arritje kjo e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh historinë e konfliktit të egër në gjysmën e parë të shekullit XX-të. Ruajtja e paqes midis anëtarëve, nëpërmjet partneritetit ekonomik, mbetet qëllimi kryesor i BE-së. Që nga viti 1952, procesi i integrimit ka ecur shumë. Thellimi i ndërvarësisë përmes traktateve, është shoqëruar me zgjerimin e unionit në 28 anëtarë, me një popullsi prej mbi 512 milionë banorësh.

Shtetet anëtare, përfitojnë nga lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, dhe 19 prej tyre kanë një monedhë të përbashkët, euron. Megjithatë bashkimi ekonomik dhe monetar është i paplotë. BE nuk mund të flasë me një zë të përbashkët për çështjet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes. Institucionet e saj dhe procedurat e vendim-marrjes e shqetësojnë publikun, dhe duket se kanë nevojë për një reformë të përhershme. BE-ja po evoluon në përgjigje të sfidave, megjithëse dalëngadalë. Ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur me sfidat me të cilat ajo ballafaqohet – Brexit, kriza e migracionit, një Rusi e militarizuar agresive. Por BE-ja është dëshmuar e aftë në menaxhimin e krizave, gjë që përbën thelbin e mbijetesës së saj. Në balancë, deri më sot arritjet i tejkalojnë të metat.

Haidi Morer, Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër:BE ka pasur sukses në thellimin e bashkëpunimin mes shteteve anëtare, por më pak në integrimin e popujve

Bashkimi Europian, ka qenë një histori suksesi në sigurimin e bashkëpunimit midis shteteve anëtare. Institucionet e tij, lehtësojnë negociatat diplomatike në bazë të rregullave, dhe në një mënyrë efikase. Intensiteti i lartë i këtij shkëmbimi, është i pashembullt në çështjet ndërkombëtare:në vitin 2017, past 92 ditë samitesh për ministrat e 28 shteteve anëtare, dhe 3.000 takime të grupeve të punës, përveç shkëmbimeve të rregullta ndërmjet presidentëve dhe kryeministrave. Këto takime, ofrojnë një mjedis unik për ndarjen e përvojave, dhe për të rënë dakord mbi përgjigjet e përbashkëta të politikave. Ndërkohë ajo ka qenë më pak e suksesshme në nxitjen e integrimit në mes të popujve evropianë. Megjithatë, pavarësisht refuzimit të draft-traktatit kushtetues të vitit 2005, nismat synojnë të rritin më tej ndjenjën e pronësisë dhe identifikimin e qytetarëve me BE. Sot, qytetarët europianë kujdesen më shumë, dhe dinë më shumë mbi BE-në, dhe kësisoj po e kritikojnë dhe kundërshtojnë gjithnjë e më shumë atë.

Harold Xhejms, profesor në studimet europiane në Universitetin e Prinstonit në SHBA:Suksesi i madh historik i BE-së, është anashkaluar nga debatet e natyrës ekonomike

Kohët e fundit, integrimi europian krijoi një pikëpamje post-moderne të shtetit, duke u larguar nga konceptet moderne të sovranitetit të përcaktuar qartazi në një kontrast më të madh me shtetin klasik modern apo super-shtetëror, të ofruar në veçanti nga rrjedha e historisë amerikane. Suksesi i këtij vizioni të Europës ka të bëjë me vlerat, me një angazhim ndaj diversitetit dhe tolerancës, ndaj një larmie kulturave dhe feve dhe trashëgimisë, sesa me rezultate specifike dhe të përcaktuara ngushtë.

Problemi modern europian, është se suksesi i tij i madh historik, është lënë në hije nga një diskutim i ashpër mbi çështje ngushtësisht ekonomike. Është e thjeshtë të kundërshtosh aspiratat e larta të traktateve themeluese të Bashkimit Europian, dhe theksin e tyre tek “bashkimi gjithnjë e më i ngushtë”, me rekordet e përziera të praktikës europiane.

Objektivi i parë i vendosur në Traktatin e Mastrihtit të vitit 1992, ishte “të nxisë përparimin ekonomik dhe social, i cili është i balancuar dhe i qëndrueshëm”, por rritja ekonomike europiane ka qenë zhgënjyese dhe e pabalancuar:bumi i huave në Europën periferike para vitit 2008 nuk ishte i qëndrueshëm, dhe pësoi një kolaps me pasoja katastrofike. Sfida sot është të rregullohen çështjet ekonomike, duke ruajtur vizionin e thellë.

Alehandro Kiroga, lektor i historisë spanjolle në Universitetin e Njukasëllit:Zgjerimi i BE në lindje në vitet 2000, ishte një projekt i suksesshëm i ekspansionit politik dhe ekonomik.

Etërit themelues të Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut (1952) dhe Komunitetit Ekonomik Europian (1957), synonin të siguronin paqen midis shteteve anëtare, të nxisnin kapitalizmin dhe konsolidonin shtetet kombëtare liberale në mesin e Luftës së Ftohtë. Deri në fundin e viteve 1980, objektivat fillestare të projektit evropian ishin përmbushur plotësisht, ndërsa blloku sovjetik filloi të shkërmoqet. Pas rënies së Murit të Berlinit, u vendosën objektiva të reja. Vënian nën kontroll e tregjeve kapitaliste në vendet ish-komuniste dhe konsolidimi i demokracive liberale në Europën Lindore, u bënë prioritetet e Komunitetit Europian. Në vitet 2000, zgjerimi lindor i BE ishte një projekt i suksesshëm i ekspansionit ekonomik dhe politik.

Rrethanat e reja historike, mundësuan gjithashtu një integrim të mëtejshëm ekonomik dhe politik. Traktati i Mastrihtit i vitit 1992, përfshiu një kartë sociale, forcimin e politikës së jashtme, bashkëpunimin ushtarak dhe gjyqësor, dhe hodhi themelet e monedhës së përbashkët.

Kriza financiare e vitit 2008, çoi në një ripërcatim të synimeve të BE. Masat shtrënguese, shpëtimet e bankave dhe ndërhyrjet e drejtpërdrejta ekonomike në shtetet anëtare, janë zbatuar në dekadën e fundit, duke i dhënë prioritet performancës ekonomike, mbi drejtësinë sociale. Në kontekstin e krizës, janë sfiduar vlerat e BE-së për barazinë dhe solidaritetin, edhe nga rritja e së djathtës nacionaliste dhe ksenofobisë në të gjithë Evropën. Ky kërcënim, nga i cili Brexit është vetëm një manifestim, është një kërcënim i vërtetë, pasi ai minon disa nga parimet kryesore të projektit të përbashkët europian. Nga një perspektivë afatgjatë, s’ka dyshim se BE-ja ka qenë një histori suksesi. Megjithatë arritjet historike, nuk sigurojnë domosdoshmërisht sukses në të ardhmen e afërt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button