Home / Rajoni / Maqedonia / Maqedoni: Deputetët evropianë Kukan dhe Fleckenstein, thirrje për dalje në referendum

Maqedoni: Deputetët evropianë Kukan dhe Fleckenstein, thirrje për dalje në referendum

Ata thanë se nuk dëshirojnë të mendojnë për një plan B, në rast të dështimit të referendumit, ndërsa përsëritën bindjet për daljen me sukses në këtë proces për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Kukan dhe Fleckenstein u bënë thirrje qytetarëve të Maqedonisë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Të dy ligjvënësit evropianë theksuan rëndësinë që ka referendumi për Republikën e Maqedonisë, ndërkohë që e vlerësuan këtë si një shans historik për të ardhmen e popullit dhe të vendit ballkanik.

“Rezultati pozitiv (në referendum) do të ndikojë në zhvillimin e ardhshëm të vendit dhe në plotësimin e ambicjeve euroatlantike të tij”, tha zoti Kukan.

Ndërkaq, zoti Fleckenstein tha se nuk ka rëndësi se kush do të jetë në pushtet në katër vitet e ardhshme por se bëhet fjalë për një vendim që do të ndikojë tek gjeneratat që vijnë. “Ju lutem dilni votoni! Mos thoni se nuk ka rëndësi për ju. Se si do të votoni varet vetëm nga ju si qytetarë të këtij vendi dhe nga askush tjetër!”, tha ligjvënësi Fleckenstein.

Të dy zyrtarët evropianë janë të njohur për publikun në Maqedoni, për angazhimet e tyre në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës para tre vjetësh, që i dha fund krizës politike të ndezur pas skandalit të përgjimeve të bisedave telefonike të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve dhe mijëra njerëzve të tjerë nga shërbimi sekret i vendit.

Kukan dhe Fleckenstein nënvizuan domosdoshmërinë e realizimit dhe zbatimit të reformave. Ata po ashtu janë nismëtarë dhe ndërmjetës në dialogun e quajtur “Zhan Mone” ndërmjet drejtuesve kryesorë politikë në Maqedoni që parashkohet të vazhdojë në muajin dhjetor.

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër nuk ka marrë një vendim të prerë se si do të veprojë, ndonëse pak ditë më parë tha se do t’i linte përkrahësit e saj të veprojnë sipas bindjeve të tyre personale. Megjithatë një numër deputetësh të kësaj partie po bëjnë thirrje përmes rrjeteve sociale për bojkotimin e referendumit. Kryetari i saj, Hristijan Mickovski vazhdon ta kundërshtojë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë fqinje për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, sepse ajo dëmton, sipas tij, interesat e popullit maqedonas dhe të Maqedonisë; ndërsa, nëpër mitingje porosit mbështetësit e tij që “të veprojnë sipas asaj që ndiejnë në zemër”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: