Home / Ekonomia / Çela: Sektori i energjisë ka dalë njëherë e mirë nga kolapsi

Çela: Sektori i energjisë ka dalë njëherë e mirë nga kolapsi

Flet administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), z. Adrian Çela 

Sektori i energjisë duket se ka dalë njëherë e mirë nga kolapsi dhe rreziku i falimentimit, si rrjedhojë e ristrukturimit të thellë dhe reformave të ndërmarra vitet e fundit.

Ndonëse 2017-a ishte një vit i vështirë për shkak të situatës së pafavorshme hidrike që çoi në rritjen e importeve, administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), z. Adrian Çela pohon në një intervistë për “Monitor” se ky test i fortë u kalua, dhe ndonëse dha një ndikim 100 milionë euro në financat e kompanisë, sërish operatori arriti që të rezultojë me fitim.

OSHEE është tashmë në fazën përmbyllëse të ndarjes në tre shoqëri, që pritet të fillojnë aktivitetin në 2009-n. OSHEE-ja ka marrë një Konsulent të jashtëm dhe ndarja nuk do të ketë asnjë ndikim negativ në performancën e konsoliduar të shoqërisë.

Si ka qenë ecuria e OSHEE-së në 2017-n dhe pjesën e parë të këtij viti?

Së pari, dua të theksoj faktin se reformat thelbësore të Qeverisë në sektorin energjetik, ku pjesë është dhe OSHEE-ja, kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme, duke e shndërruar njëherë e mirë këtë sektor nga një gjendje kolapsi dhe me rrezik falimentimi, në një sektor, i cili gjatë këtyre viteve të fundit ka pasur kontribut të jashtëzakonshëm si në ecurinë pozitive të ekonomisë, ashtu edhe në të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Sa i përket vitit 2017, mund të them se ky vit ishte testi më i fortë që OSHEE ka kaluar prej vitit 2014, për shkak të një situate mjaft të vështirë hidrike, si pasojë e thatësirës më të rëndë të 20 viteve të fundit. Shqipëria është një vend me varësi të theksuar nga burimet hidrike, dhe OSHEE-ja e vuajti këtë varësi përgjatë vitit 2017, çka e detyroi ta siguronte energjinë jo nga burimet e vendit, si KESH apo HEC-et private, por nga importi me çmime shumë të larta (gati dyfish) krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo thatësirë i shkaktoi OSHEE-së impakt negativ me mbi 100 milionë euro në financat e saj.

Vlen të përmendet fakti që në vitet e mëparshme ish-CEZ Shpërndarje apo dikur OSSH, në situata të tilla hidrike ka qenë e detyruar të aplikojë kufizime me orar të furnizimit me energji, si pasojë e pamundësisë së blerjes së energjisë në import, ndërkohë që OSHEE gjatë 2017-s në asnjë moment nuk ka diskutuar furnizimin me energji dhe gjithë blerjet e energjisë janë përballuar me fondet e OSHEE-së.

Me gjithë vështirësitë e sipërpërmendura, OSHEE vijoi të regjistrojë rezultate pozitive edhe për vitin 2017:

  • rezultati financiar i OSHEE-së për vitin 2017 ishte me një fitim neto prej 1.83 miliardë lekësh.
  • Humbjet e energjisë zbritën në nivelin historik prej 26.41%; më të ulëtat e arritura ndonjëherë në historinë e sektorit energjetik në Shqipëri.
  • Arkëtimet nga shitja e energjisë tejkaluan parashikimin në Planin e Rimëkëmbjes me 2.13%, duke u realizuar 97.13% nga 95% të planifikuar.
  • Me gjithë vështirësitë financiare, OSHEE vijoi të realizojë një volum të jashtëzakonshëm investimesh prej rreth 11.9 miliardë lekësh.

Për 6–mujorin e parë të 2018-s, OSHEE u përball me një tjetër situatë, ku prurjet hidrike kaluan në ekstremin tjetër, duke sjellë një prodhim të jashtëzakonshëm të HEC-eve, energji e cila blihet nga OSHEE-ja me 65 Euro/MWH (rreth 40% më shumë se importi). Megjithatë pritet që gjatë 6-mujorit të dytë, efekti financiar të zbutet me prodhimin e KESH-it.

Për sa u përket humbjeve, theksojmë se ato vijojnë të ulen më tej, dhe viti 2018 pritet të shkojë në nivelin 24.5%; që do të thotë: kursime të mëtejshme të OSHEE-së në shpenzimet për blerje energjie.

Gjithashtu, mund të themi se si rezultat i masave konsistente të OSHEE-së gjatë 3 viteve të fundit, edhe sjellja e Konsumatorit është bërë mjaft më e përgjegjshme për sa u përket pagesave në kohë të energjisë. Niveli i arkëtimeve arriti në 101.6%, më i larti i arritur ndonjëherë gjatë një periudhe 6-mujore. Ndërkohë që OSHEE vijon me masa të mëtejshme për identifikimin e abuzuesve në rrjet, të cilët janë pak, por ende ekzistojnë, sidomos në zonat rurale me një shtrirje të madhe në terren që e bën më të vështirë punën.

Për këtë çështje, OSHEE-ja ka përgatitur një plan të detajuar investimesh për 4-vjeçarin e ardhshëm, me qëllim uljen e humbjeve në nivele të pranueshme rajonale rreth 16.5%; kjo është një sfidë mjaft e vështirë, por që pritet të arrihet – gjithmonë dhe me mbështetjen e qeverisë.

OSHEE është ndarë tashmë në tri pjesë. Deri në çfarë faze keni arritur dhe si pritet të ndikojë kjo ndarje në performancën e kompanisë?

Procesi i ndarjes së shoqërisë në zbatim të Ligjit të Energjisë është në fazën përmbyllëse të tij dhe me miratimin e ERE-s për transferimin e licencave përkatëse, si dhe disa vendimeve që priten të merren nga Ministria e Energjisë, shoqëritë e reja parashikohet të fillojnë aktivitetin në vitin 2019.

Aktualisht, ERE sapo ka miratuar Licencën e një prej Shoqërive, atë të FTL (Furnizuesit të Tregut të Lirë), ndërkohë pritet të vijohet edhe me miratimin e transferimit të Licencave edhe për dy operatorët e tjerë, atë të Shërbimit të Shpërndarjes dhe Shërbimit Universal.

Theksojmë se masat paraprake që po merren, si dhe plani i hapave që po ndiqen, kanë si qëllim primar shmangien e çdo lloj ndikimi të procesit të ndarjes së OSHEE-së, për sa i përket:

  1. vijimësisë së përmirësimit të treguesve të shoqërisë, siç ka ndodhur gjatë 2015-2018-s,
  2. shërbimit ndaj konsumatorit, si dhe cilësisë së furnizimit me energji.

Pikërisht për këtë qellim, OSHEE-ja ka marrë një Konsulent të jashtëm, për të aplikuar përvojat më të mira të shoqërive të ngjashme në vendet më të zhvilluara. Kjo do të thotë që ndarja nuk do të ketë asnjë ndikim negativ në performancën e konsoliduar të shoqërisë.

Cilat janë planet e investimeve të kompanisë në të ardhmen, në kuadër edhe të strategjisë së energjisë?

Duke e konsideruar tashmë të tejkaluar situatën e Rimëkëmbjes së Shoqërisë, OSHEE-ja ka përgatitur një Plan Biznesi 4-vjeçar në koordinim dhe me Bankën Botërore, për ta çuar shoqërinë në një tjetër nivel, në atë të të qenët një Korporatë e krahasueshme me vendet e rajonit, madje në disa pika me cilësi më të mira se to.

Për realizimin e këtij hapi të rëndësishëm, i cili konsiderohet një sfidë e re për OSHEE-në, pas atij të vitit 2015, është përgatitur një Plan i detajuar masash i shoqëruar me Investime thelbësore në rrjetin e shpërndarjes, të cilat konsiderohen mjaft të rëndësishme për realizimin me sukses të këtij ndryshimi.

Përmendim faktin që Plani i Investimeve për 2018-2021 është një Plan gjithëpërfshirës, në përputhje me çdo aspekt të zhvillimeve të Shqipërisë, duke bërë të mundur:

  • Mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues për ruajtjen e nivelit të humbjeve, si dhe sigurimin normal të operimit.
  • Reduktimin e mëtejshëm të humbjeve me 9.9% deri në vitin 2021, duke i çuar ato në nivelin e 16.5%.
  • Zhvillimin e Rrjetit në Zonat e kërkuara nga Qeveria për të mbështetur strategjinë kombëtare të zhvillimit të ekonomisë
  • Zhvillimin e Rrjetit në përputhje me politikat e Ministrisë së Energjisë për Burimet e reja të energjisë së rinovueshme.
  • Përmirësimi i cilësisë së furnizimit, në përputhje me Ligjin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë.

Vlen të theksohet fakti që Investimet e parashikuara në OSHEE gjatë viteve 2018 – 2021 kanë një kthyeshmëri nga përfitueshmeria e tyre prej rreth 6 vjetësh, të cilat mund të konsiderohen si investimet më rentabël në listën e investimeve publike të realizuara në vend.

Që nga fillimi i vitit 2013, kur operatori i shpërndarjes kaloi sërish në duart e shtetit, si ka ndryshuar performanca e kompanisë?

OSHEE, prej vitit 2017, ka filluar të mos bëjë më krahasime me vitin 2013 e më parë, por të krahasohet me veten, d.m.th. vitet 2015, 2016, sepse dihet qartë që OSHEE tashmë nuk ka më asnjë lidhje me atë periudhë.

Mund të përmendim këtu disa fakte domethënëse, siç janë:

  • Niveli i Humbjeve në 2013 prej 44.7%, ndërkohë që në 2018-n pritet që ato të jenë 24.5%.
  • Niveli i Arkëtimeve, i cili në 2013-n ishte 38 miliardë lekë, ku arkëtimet faktike të vitit 2017 ishin 64 miliardë lekë.
  • Pagesat ndaj furnitorëve kryesorë KESH dhe OST në vitin 2013 ishin 50%, ndërkohë që prej vitit 2015 deri më sot pagesat ndaj tyre janë në nivelin e 102%, duke shmangur krijimin e borxheve të reja, madje duke i ulur ato.
  • Rezultati financiar i vitit 2013 ishte me një Humbje prej -27 miliardë lekësh, ndërkohë që për të tretin vit radhazi, OSHEE regjistron fitime përfshi dhe vitin e thatësirës gjatë 2017-s, me një fitim mesatar të 3 viteve prej 12 miliardë lekë/vit.
  • Kapitali i shoqërisë nga -66 miliardë lekë në vitin 2013, është përmirësuar në -33 miliardë lekë në 2017.

Përveç treguesve financiarë të përmendur më sipër, shumë tregues të tjerë kanë ndryshuar në mënyrë drastike siç janë:

  • Cilësia e furnizimit me energji elektrike, e cila nuk mund të krahasohet me vitin 2013 e para, kjo si rezultat i investimeve të jashtëzakonshme të kryera gjatë 2015 – 2018
  • i ndërprerjeve dhe kohëzgjatja e tyre e cila është reduktuar dukshëm në çdo situatë të motit
  • Shërbimi ndaj klientit, i cili është shpejtuar si edhe është modernizuar duke e informuar atë në kohë reale dhe në kanale të ndryshme komunikimi.

Por siç edhe përmendëm më sipër, tashmë OSHEE e ka hedhur pas atë të shkuar të vitit 2013 e më parë, dhe është duke punuar për përmirësimin e mëtejshëm dhe modernizimin e aktivitetit të saj, për të kapur sa më shpejt nivelet e shoqërive të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë në vendet më të zhvilluara të rajonit si Kroacia, Serbia, Greqia, etj.

Si parashikohet të jetë ecuria e kompanisë këtë vit, në drejtim të treguesve financiarë?

Rezultatet e arritura gjatë 6-mujorit të parë, si dhe parashikimet për 6-mujorin e dytë tregojnë se edhe 2018-a do të jetë një vit pozitiv për OSHEE-në në të gjithë treguesit e saj, dhe në disa tregues si Kostot e Energjisë do të jetë dukshëm më mirë se viti 2017, kjo si rezultat i prodhimit të energjisë në nivele të konsiderueshme nga furnitori primar i OSHEE që është KESH sh.a.

Sa i përket nivelit të Humbjeve, ato pritet të zbresin në nivelin e 24.5%, Arkëtimet do të vijojnë të jenë mbi Planin e Rimëkëmbjes në nivelin e 97%, ndërkohë që OSHEE do të vijojë me Planin e Investimeve edhe për këtë vit në nivelin e 9 miliardë lekë, për të bërë të mundur që këto investime të japin efektin e tyre në vitin pasardhës 2019, me qëllim sigurimin e vijimësisë të përmirësimit të të gjithë treguesve të OSHEE-së.

Leave a Reply

%d bloggers like this: