Home / Sporti / PSG sjell humbjen e parë për Barcelonën e Luis Enrikes

PSG sjell humbjen e parë për Barcelonën e Luis Enrikes

Natë rekordesh për legjendat Françesko Toti dhe Çavi Hernandez

PSG vs BarcelonaSfidat e djeshme në Ligën e Kampioneve kanë treguar një ekuilibër të jashtëzakonshëm, pasi katër sfida janë mbyllur në barazim, ndërsa katër të tjerat janë fituar me diferencën e vetëm një goli. Suksese të rëndësishme kanë arritur Bajern Mynih, PSG e Çelsi që kanë marrë të vetëm kreun e grupeve të tyre. Ndërkohë, ekipet “e vogla” si Bate, Maribor e APOEL vazhdojnë të tregojnë se nuk marrin pjesë rastësisht në këtë turne.

Grupi E

Bajern Mynih ka bërë detyrën duke marrë fitoren e dytë radhazi 1-0 në po aq ndeshje të luajtura, për të kryesuar i qetë grupin. Bavarezët kanë dominuar mbajtjen e topit, duke realizuar 698 pasime në këtë sfidë, por në fund, diferencën e ka bërë një penallti e transformuar saktësisht nga Tomas Myler në pjesën e parë. Ne një stadium të boshatisur si dënim nga UEFA për thirrjet raciste të tifozëve rusë, edhe CSKA Moska ka krijuar rastet e saj, por është ndalur nga Nojer dhe sidomos pasaktësia e sulmuesve të vet. Në ndjekje të bavarezëve është vënë Roma, e cila ka barazuar 1-1 në fushën e Mançester Sitit. Ndonëse vendasit kaluan shpejt në avantazh me anë të penalltisë së Agueros, italianët u kundërpërgjigjën me Françesko Totin. Ky i fundit shënoi një gol mjeshtëror në minutën e 23 të sfidës, duke hyrë në histori si futbollisti më i vjetër që shënon në Ligën e Kampioneve, në moshën 38 vjeç e 3 ditë, duke kaluar rekordin që mbahej nga Rajan Gigs, i cili kishte shënuar në moshën 37 vjeç e 289 ditë.

Grupi F

Supersfida e ditës së djeshme ishte dueli mes dy pretendentëve për fitoren e Ligës së Kampioneve, PSG dhe Barcelona, e përfunduar me suksesin e merituar 3-2 të parisienëve. Ndonëse në radhët e PSG mungonte sulmuesi kryesor, Zlatan Ibrahimoviç, ekipi vendas krijoi raste të shumta para portës së Ter Shtegen, që nuk u shfaq i sigurt në daljet e tij, sidomos në rastin e golit të dytë të Verratit. Barcelona reagoi duke shënuar dy gola shumë të bukur me Mesi e Neimar, por në fund nuk shfrytëzoi disa mundësi të krijuara para portës vendase për të evituar humbjen e parë të Luis Enrikes në stolin e katalanasve. Në këtë ndeshje, për t’u shënuar është edhe aktivizimi për herë të 143 i Çavi Hernandez në Ligën e Kampioneve, duke kaluar Raul dhe vendosur një rekord të ri për turneun. Ngushëllimi i vetëm i katalanasve mund të jetë fakti se kanë ruajtur vendin e dytë në grup, pas barazimit surprizë 1-1 mes qipriotëve të APOEL dhe Ajaks, ku holandezët regjistruan ndeshjen e tetë radhazi pa fitore jashtë fushe në Ligën e Kampioneve.

Grupi G

Çelsi nuk e ka pasur të vështirë të rimerrte kontrollin e grupit të vet, duke fituar 1-0 në fushën e Sporting Lisbonës. Suksesi nuk ka qenë i thjeshtë për londinezët që kanë krijuar e shpërdoruar shumë raste në pjesën e parë, por edhe kanë lënë hapësira në pjesën e dytë, ku sulmi i shpejtë i portugezëve mund t’i kishte ndëshkuar. Një surprizë e madhe ka qenë barazimi 1-1 jashtë fushe i Maribor ndaj gjermanëve të Shalke, me ekipin slloven që kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë, por nuk arriti të administronte siç duhej rezultatin dhe i fali barazimin Huntelar në pjesën e dytë të sfidës.

Grupi H

Xhekson Martinez ka qenë heroi i Portos, pasi me dy gola në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Shakhtar Donjetsk, ka arritur të siguronte një pikë për ekipin e tij, që deri në minutën e 89 po mundej 2-0. Barazimi 2-2 ka mbajtur portugezët në vendin e parë në grup, ku tani ndiqen në mënyrë të paparashikuar nga bjellorusët e BATE, të cilët kanë fituar 2-1 ndaj Atletik Bilbaos, duke treguar se mund të bëhen edhe ata protagonistë në një nga grupet më të ekuilibruara të këtij edicioni.

Liga e Kampioneve

Grupi E

Mançester Siti-Roma  1-1

5’ (p) Aguero / 23’ Toti

CSKA Moskë-Bajern Mynih    0-1

22’ (p) Myler

Renditja: B. Mynih 6 pikë, Roma 4, M. Siti 1, CSKA Moskë 0.

Grupi F

APOEL-Ajaks     1-1

32’ (p) Manduka / 28’ Andersen

PSG-Barcelona   3-2

10’ D. Luiz, 26’ Verrati, 54’ Matuidi / 12’ Mesi, 56’ Neimar

Renditja: PSG 4 pikë, Barcelona 3, Ajaks 2, APOEL 1.

Grupi G

Sporting L.-Çelsi    0-1

34’ Matiç

Shalke-Maribor  1-1

56’ Huntelar / 37’ Bohar

Renditja: Çelsi 4 pikë, Maribor 2, Shalke 2, Sporting L. 1.

Grupi H

Sh. Donjetsk-Porto   2-2

52’ Teikseira, 85’ L. Adriano / 89’ (p), 90’+4’ Martinez

BATE-A. Bilbao  2-1

19’ Poliakov, 41’ Karnitski / 45’ Aduriz

Renditja: Porto 4 pikë, BATE 3, Sh. Donjetsk 2, A. Bilbao 1.

Sot

Grupi A

Atletiko Madrid-Juventus

Malmoe-Olimpiakos

Grupi B

Ludogorets-Real Madrid

Bazel-Liverpul

Grupi C

Zenit-Monako

  1. Leverkusen-Benfika

Grupi D

Arsenal-Gallatasaraj

Anderleht-B. Dortmund

Leave a Reply

%d bloggers like this: