Home / Kronika / Pasuria edhe lekët e dasmës, pse KPA la në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Fatmir Hoxha

Pasuria edhe lekët e dasmës, pse KPA la në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Fatmir Hoxha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi ditën e djeshme që të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Luan Dacin, Natasha Mulajn dhe Rezarta Schetz. Në këtë mënyrë, shkarkimi i Fatmir Hoxhës merr vendim të formës së prerë, çka do të thotë se ai nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Hoxha, sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ngeli në testin e pasurisë. Sipas hetimit administrativ të KPK-së, gjyqtari Hoxha nuk justifikon 1.7 milionë lekë në blerjen e një apartamenti. Po kështu, KPK rendit edhe një shumë prej 275 mijë lekësh si e pajustifikuar nga gjyqtari për vitin 2003, të cilat janë cilësuar nga mbrojtja si para të dhuruara me rastin e dasmës.

Sipas hetimit të KPK-së, gjyqtari Hoxha, deri në vitin 2011, kishte një pasuri prej 5 milionë lekësh dhe një apartament në Shkodër rreth 65 metra katrorë, ku ishte edhe gjyqtar. Atë vit ai është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke u zhvendosur në Tiranë. Hoxha më pas ka shitur asetet në Shkodër dhe ka lidhur kontratë në shkurt të vitit 2011 me një firmë ndërtimi për blerjen e një apartamenti 112,36 metrash katrorë, me një vlerë 140,450 euro.

Sipas avokatit, kostoja e lartë e apartamentit në Tiranë e ka detyruar gjyqtarin që të marrë kredi dhe hua nga persona të afërm. Hoxha ka paguar fillimisht 51 mijë euro kapar te firma për apartamentin dhe ka marrë kredi si i pastrehë në shumën 5 milionë lekësh. Ai ka deklaruar se ka marrë hua 28,500 euro te kunati A.G. dhe kredi tjetër prej 250 mijë lekësh në një bankë të nivelit të dytë. Hoxha ka shitur apartamentin në Shkodër për 3.4 milionë lekë dhe automjetin e tij në vlerën 1800 euro.

Por, sipas KPK-së, Hoxha ka 1.7 milionë lekë pasuri me burime të pajustifikuara. Fatmir Hoxha është gjyqtari i katërt i Gjykatës Kushtetuese, që u shkarkua me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi nuk justifikonte dot pasurinë. Përveç tij janë shkarkuar edhe Altina Xhoxhaj, Fatos Lulo dhe Gani Dizdari, ndërsa është dorëhequr Besnik Imeraj, duke e lënë Gjykatën Kushtetuese me vetëm dy anëtarë.

Të vetmit që e kanë kaluar testin janë kryesuesi Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha. Megjithatë, Komisioneri Publik e ka apeluar vendimin për Dedjen, pas rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Tashmë pritet edhe verdikti i KPA-së për rastin e Dedjes.

Leave a Reply

%d bloggers like this: