Kryeartikull

Antioligarkia ose haremet lozonjarë në bibliotekë

Lorenc Vangjeli

Bill Klinton kishte të drejtë kur deklaronte: “Is the economy stupid!” E thoshte për realitetin normal të një superfuqie si SHBA. Shtetet e Bashkuara i nënshtrohen në të gjitha rastet dhe rast pas rasti lapsit të bankierit dhe llogarive të ekonomistit. Ashtu siç dhe dikton demokracia dhe ekonomia e tregut; kjo simbiozë e domosdoshme me pjesë që kushtëzojnë njëra-tjetrën dhe nuk ekzistojnë dot pa njëra-tjetrën.

Fraza e ish-presidentit të famshëm amerikan me të gjitha gjasat do ta ishte e gabuar nëse do të përdorej në shqip dhe për realitetin shqiptar. Në Shqipëri kjo simbiozë frakturohet herë në kurriz të demokracisë dhe herë në shpinë të ekonomisë së tregut. Ndaj duhet thënë ndryshe: “Eshtë politika, të marrë!”

Për të kuptuar Shqipërinë, për fat të keq, nuk vlejnë shpjegimet e ekonomistëve, por opinionet e politikanëve, nuk kërkohet mendja e bankierëve, por vendimmarrja e zyrtarëve. Dhe kjo gjë ka qenë e pandryshueshme në vite.

Kryetari i opozitës e ndau sërish opinionin me propozimin e tij kontravers politik për të ndërhyrë në ekonomi duke realizuar kontrollin e oligarkëve.

Tentativa për të gjetur argumente shteruese për t’u duartrokitur apo kundërshtuar ideja e dekriminalizimit të ekonomisë, nuk kalon gjëkundi nga shtegu aksiomatik i amerikanëve. Sepse në Shqipëri gjithçka është politikë dhe jo ekonomi.

Politikë dhe jo ekonomi bënte Sali Berisha kur ndeshej me Fatos Nanon dhe thoshte do të thyente vaskat e floririt të grabitësve të pronës publike. Kur betohej se do të rivendoste drejtësinë sociale duke shmangur pabarazinë. Kur premtonte se do t’ju merte të pasurve çfarë ata kishin fituar padrejtësisht dhe do t’jua shpërndante drejtësisht të varfërve.

Në tetë vitet e Doktorit në fakt ndodhi tërësisht ndryshe. Pati rritje kërkesa për vaskat floriri; zengjinët e rinj kishin nevojë për to.

Politikë dhe jo ekonomi bënte Edi Rama kur fliste kundër koncesioneve dhe premtonte me solemnitet se do t’i zhbënte të gjitha dhe do të ndëshkonte fajtorët. Nuk e bëri sepse siç pranoi vetë, kostoja për prishjen e atyre kontratave ishte e papërballueshme për shtetin shqiptar dhe se shteti do të dënohej rast pas rasti nga gjykata e arbitrazhit. Asnjë nga koncesionet e djeshme kriminale nuk u anullua, përkundrazi, kjo praktikë u shtua dhe më tej. Në vitin e dytë të mandatit të tij të dytë, bashkë me akuzën e bashkëjetesës me krimin e Cannabis-imin e vendit, koncesionet abuzive janë trinia aspak e shenjtë e qeverisjes së Ramës.

Politikë dhe vetëm politikë po bën edhe Lulzim Basha kur flet për ekonominë e kriminalizuar. Propozimi i tij për skanerin ku do të fusë nesër oligarkët që thirri në apel, duhet kuptuar dhe është një akt ngushtësisht politik. Këtë gjë duhet të dallojnë edhe ata që po e duartrokasin sjelljen prej Robin Hudi të kryetarit të opozitës dhe të mos gëzojnë sikur ju kanë rishpikur rrotën.

Këtë gjë duhet të kujtojnë edhe ata që e kundërshtojnë në bllok këtë propozim duke tentuar të tregtojnë virgjëri nga salla e maternitetit.

Edhe propozimi i Bashës fut ujë në shumë anë, edhe kundërshtimi total i tij është problematik. Qëllimi nuk duhet paragjykuar direkt, siç po bën maxhoranca, por nuk duhen himnizuar mjetet e zgjedhura për ta realizuar atë, siç po bën opozita. Ato janë thjesht të  papërshtatshme.

Qëllimi nuk i justifikon mjetet! As i justifikon dhe as nuk i shfajëson kur ato zgjidhen gabim. Mjetet janë po aq të rëndësishme sa edhe vetë qëllimi. Nuk mund të ketë edhe demokraci, edhe treg të kontrolluar; edhe ekonomi të lirë të tregut, edhe kontroll komunist e robinhudist mbi kapitalin, siç propozon Basha. Oazet e gëzueshëm të shpërdorimit të parave publike mbyllen vetëm me moral dhe me mjete politike. Sepse në Shqipëri, gjithçka është politikë. Janë të marrë të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Ata që mendojnë si amerikani Klinton dikur, pa kuptuar se në Tiranë, edhe kur flitet për ekonominë nga politikanët, gjithçka vetëm politikë. Dhe për këtë arsye, nuk duhen marë shumë seriozisht. Eshtë njëlloj si të shpresosh të gjesh një harem në bibliotekë. Në Shqipërinë e sotme ku mungojnë bibliotekat, haremet e lumtura i gjen vetëm në pushtet. Dhe në Tiranë, mirë a keq, të gjitha bathët dëshmojnë se edhe opozita është pushtet!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button