Ekonomia

“Bien” hungarezët e OTP; Vasil Naçi e Behar Male interes për parablerjen e Societe Generale,32.5 mln euro

Aksionerët ekzistues të Societe Generale kanë shprehur interesin për të parablerë aksionet, që ka nxjerrë në shitje grupi francez. Lajmi është konfirmuar për Monitor, nga një prej aksionerëve, z. Behar Male, i cili tha se sot është zyrtarizuar interesi pranë Bankës.

Banka Societe Generale ka aktualisht 88.89% të aksioneve, të cilat i nxori në shitje pak muaj më parë, në kuadër të një strategjie për të dalë nga rajoni, në ato vende ku nuk ishte ndër tre të parët. Në fillim të gushtit, Société Générale njoftoi se hyri në marrëveshje për të shitur paketën e saj kontrolluese të aksioneve në Société Générale Albania (SGAL) tek hungarezët e OTP Bank.

Por, në bazë të statutit, aksionerët ekzistues, që së bashku kanë 11.11% të aksioneve kanë të drejtën që të shprehin interesin për parablerje. Mësohet se  oferta e tyre është e njëjtë me atë që ka bërë banka OTP, prej 32.5 milionë euro. Por, transaksioni final është subjekt i vendimit të autoriteteve mbikëqyrëse, përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe procesi mund të kërkojë një muaj, ose më shumë. Nëse merret vendim pozitiv, atëhere Societe Gjenerale do të kalojë sërish në duart e sipërmarrësve shqiptarë.

Aktualisht 11.11% të aksioneve zotërohen nga Vasil Naçi, që është më i madhi vendas, me 4.53% të aksioneve; Kosta Sotiri- 2.06; Kristo Naçi-2.07; Behar Male-0.67%; Guxim Resuli-0.9%; Lefter Sota e Vladimir Kosta me nga 0.44% secili.

Banka Societe hyri në Shqipëri përmes blerjes së aksioneve të Bankës Popullore, në vitin 2007, duke shënuar një nga shitjet më të suksesshme të një banke, teksa u shit me gati katër herë mbi kapitalin (sot bankat po shiten me maksimumi një herë mbi kapitalin). Banka Popullore ishte një investim i 32 sipërmarrësve shqiptarë, e hapur në vitin 2004. (Ardian Avdalli, Arben Dervishaj, Adrian Doçi, Arben Meçaj, Avni Ponari, Bledar Elezi, Behar Male, Daniel Gjoni, Dritan Çelaj, Advin Libohova, Faik Bruçi, Genci Kushta, Guxim Resuli, Ibrahim Aksoy, Josif Kote, Koço Kokedhima, Kristo Naçi Kosta Sotiri, Lefter Sota, Llazar angjeli, Qemal Disha, shpresa Prodani, Virjon Lalollari, Vasil Naçi, Ylli Braka, Zenel Tafaj, Ahilea Papuçi, Bardhyl Kellezi, Jovan Bojdani, Leonard Terpo, Vladimir Kosta, Fidel Ylli).

Pjesa më e madhe e aksionerëve hoqën dorë tërësisht nga aksionet dhe vetëm disa prej tyre mbajtën një minorancë në 2007-n, kur u realizua shitja tek Societe.

Societe ka pasur një aktivitet pozitiv në vite, si në drejtim të treguesit të kredive me probleme, që ka qenë më i ulëti në sistem, ashtu dhe të treguesve të përfitueshmërisë (kthyeshmërisë nga kapitali dhe aktivet), teksa ka rritur pjesën e tregut në mënyrë të qëndrueshme.

Në fund të 6-mujorit të dytë 2018, Societe Generale ishte banka e pestë më e madhe në vend, me 5.9% të totalit të aseteve. Banka ka 8.9% të stokut të kredive dhe 5.9% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 6-mujorin, Societe deklaroi një fitim prej 326 milionë lekësh. Banka ka 426 punonjës.

Nëse kjo blerje do të finalizohet, pesha e sipërmarrjes shqiptare në sistemin bankar do të rritet ndjeshëm. Grupi Balfin, në pronësi të sipërmarrësit Samir Mane, ka hyrë në negociata me Tirana Bank, që ka 5.3% të aktiveve të sistemit. Credins Bank (12.3%) dhe Union Bank (3.2%) janë gjithashtu në pronësi të sipërmarrësve shqiptarë.

Në total, pesha e kapitalit shqiptar në sistemin bankar vendas pritet të arrijë në 26.3%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button