Kosova

Udhëheqësit e Kosovës nderojnë vëllezërit Bytyçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj bënë të martën mbrëma një paraqitje të përbashkët në Nju Jork, ku ndodhen për takime në periferitë e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Rasti ishte dekorimi i tre vëllezërve Bytyqi: shtetasit amerikanë Agron, Mehmet dhe Ylli, që u vranë nga forcat serbe në vitin 1999, kur lufta në Kosovë sapo kishte mbaruar. Kolegu ynë Ilir Ikonomi njofton nga Nju Jorku.

Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj erdhën në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork për një ceremoni ku nuk munguan emocionet.

Dy udhëheqësit kryesorë të Kosovës kanë qenë bashkëluftëtarë me vëllezërit shqiptaro-amerikanë Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi, që u arrestuan në korrik 1999, pak pas mbarimit të luftës në Kosovë, kur kishin kaluar gabimisht kufirin në Serbi, dhe ku më pas u ekzekutuan.

Prindërve të vëllezërve Bytyçi, Ahmet dhe Bahrije, si dhe pjestarëve të tjerë të familjes, iu dorëzuan dekoratat që i shpallin tre vëllezërit “Heronj të Kosovës”.

Më të vegjëlit e familjes së madhe Bytyçi, nipër e mbesa të vëllezërve të vrarë, dukshëm janë krenarë për njerëzit e tyre.

“Këto janë medalje për xhaxhallarët e mi. Iu dhanë atyre sepse mbrojtën Kosovën,”thotë Sumea Bytyçi.

Rasti i tre vëllezërve nga Prizreni prej vitesh është kthyer në një simbol të betejës për të detyruar Serbinë të njohë dhe të zbardhë krimet e kryera prej saj në Kosovë.

“Kemi diskutuar me SHBA dhe me Bashkimin Evropian që t’i bëjnë më tepër presion Serbisë për vrasjen e kësaj vrasjeje makabre që ka bërë shteti i Serbisë. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar maksimalisht për zbardhjen e 400 masakrave që ka kryer Serbia në Kosovë, përdhunimin e rreth 20 mijë grave shqiptare që ka bërë shteti, ushtria dhe policia e Serbisë,” i tha Presidenti Thaçi Zërit të Amerikës.

Edhe pse po mbushen dy dekada, ka qenë pothuajse e pamundur që këto çështje t’i diskutosh drejtpërsëdrejti me Serbinë, tha zoti Thaçi.

Uk Lushi ka luftuar në Kosovë si pjesë e Batalionit Atlantiku, bashkë me vëllezërit Bytyçi.

“Unë mendoj se tash, në një situatë të re në Ballkan, ka ardhur koha që shteti serb ta pranojë përgjegjësinë, t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë dhënë urdhrat, jo vetëm ata që kanë ekzekutuar vëllezërit Bytyçi, dhe nëse nuk e bën këtë, mendoj se shteti amerikan duhet të vendosë sanksione nga më të fuqishmet, siç bën në raste të tjera për çdo shtetas amerikan i cili ekzekutohet ose vritet në një shtet tjetër.”

“Është padrejtësi që ata s’janë me ne, s’janë gjallë. Por në të njëjtën kohë një drejtësi ka ndodhur: Është liria e Kosovës. Liria e Kosovës është e drejta e Zotit, e drejta e luftës prandaj besoj se edhe drejtësia për vëllezërit Bytyçi duhet të vendoset,” thotë Kryeministri Haradinaj.

Ky takim mes ish-bashkëluftëtarëve, ata që kanë ardhur nga Kosova dhe ata që jetojnë në diasporë, mbahet në një kohë kur në mendjen e të gjithëve janë idetë e hedhura, ende të turbullta, për ndryshime kufijsh me Serbinë.

Gani Shehu, ish-komandant i shtabit të Junikut gjatë luftës në Kosovë, thotë se mendimi i disporës nuk mund të injorohet:

“Kur bëhet fjalë për çështje madhore dhe për interesin kombëtar, të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës duhet të jenë pjesë e zhvillimeve, sidomos kur është në pyetje përmbyllja e ciklit të dialogut dhe fazës finale me Serbinë.”

Edhe pse të martën mbrëma Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj erdhën të dy bashkë në konsullatë për të nderuar bashkëluftëtarët e tyre, ka padyshim një pyetje tjetër me rëndësi në mendjen e diasporës: A do të jenë dy udhëheqësit në gjendje të dialogojnë mes tyre dhe me forca të tjera politike për të dalë me një qëndrim të përbashkët për zgjidhjen me Serbinë?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button