Home / Kosova / Ambasadori i ri i Kosovës Edon Cana: “Asgjë nuk na ndan, shumë na bashkon”

Ambasadori i ri i Kosovës Edon Cana: “Asgjë nuk na ndan, shumë na bashkon”

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera, asgjë nuk na ndan, shumë na bashkon” – janë fjalët e para të Ambasadorit të ri të Republikës së Kosovës në Sofje Edon Cana para mikrofonit të Radio Bullgarisë.
Z. Edon Cana është në Sofje që nga fillimi i shtatorit dhe e dha intervistën e vet të parë për një media bullgare pikërisht për Redaksinë e gjuhës shqipe të Radios Kombëtare Bullgare. Sipas tij “Bullgaria është partneri ynë strategjik rajonal kështu që do të përqendrohemi në shumë çështje që ndërlidhen me politikë, por fokusi primar do të jetë në ekonomi dhe kulturë. Më shumë mund të them në ekonomi, sepse ka shumë potencial”.

Në planin e bërë nga Ambasadori i ri të lidhur me punën e tij të ardhshme në Sofje, në vend të parë renditet tregtia dhe rritja e volumit tregtar ndërmjet të dy shteteve. Në vend të dytë është “përfitimi apo  transferimi i njohurive sesi bizneset bullgare kanë arritur që të tërheqin investime të huaja, posaçërisht evropiane.  Aty do të fokusohemi dhekemi një ide se si bizneset kosovare në të ardhmen mund të vijnë këtu dhe të mësojnë nga bizneset bullgare.

Fushat e tjera me potencial të përmendura nga Ambasadori Cana janë bujqësia, blegtoria, vitikultura dhe prodhimi i verës.

Më lapërshtypje për shembull që Bullgaria e ka kaluar Francën në prodhimin e livandës. Ne mund të mësojmë se si një shtet në Ballkan mund të jetë konkurrent me një shtet si Franca, e cila është liderе në botë në këtë fushë me një produkt, që  mund të them se ishte në njëfarë forme simbol i Francës” – tha Edon Cana dhe theksoi edhe mbi një sferë tjetër: “Shohim një potencial të jashtëzakonshëm për shembull se si pjesa e prodhimit të verës është përmirësuar dukshëm në 10 vitet e fundit në Bullgari”. Ambasadori përmendi rastin me një bujtinë kosovare, e cila po përdor shërbimet e një eksperti bullgar në prodhimin e verës.

Në favor të rritjes së kontakteve midis bullgarëve dhe kosovarëve, sipas zotit Cana është ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup. “Me intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, me prezencën e Kosovës në sferën kulturore dhe me ngritjen e vetëdijes lidhur me atraksionet turistike që i ofron Kosova, besoj se do të kemi një rritje të numrit të qytetarëve bullgarë që do të vizitojnë vendin tonë” – mendon Ambasadori i ri.

Lajmi i mirë për shtetasit e Kosovës, të cilët planifikojnë udhëtime në Bullgari është heqja e vizave – gjë që do të bëhet fakt pasi Parlamenti i Evropës ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën. “Në pranverën e ardhshme qytetarët tanë do të kenë mundësi që të vijnë në Bullgari dhe të udhëtojnë pa viza” – tha zoti Edon Cana dhe premtoi se ju, vizituesit e sajtit tonë në gjuhën shqipe, do të jeni të parët që do të mësoni për ngjarjet e organizuara nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje dhe për të gjitha gjërat me rëndësi të lidhura me marrëdhëniet bilaterale.

Leave a Reply

%d bloggers like this: