Home / Ekonomia / Konkurrenca miraton përqendrimin e “Air Albania”: Fluturimet pas Stambollit, në Romë, Bolonjë dhe Londër

Konkurrenca miraton përqendrimin e “Air Albania”: Fluturimet pas Stambollit, në Romë, Bolonjë dhe Londër

Autoriteti i Konkurrencës në një vendim të kësaj jave(date27 shtator) ka autorizuar  përqendrimin për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët “Air Albania”. Në dokument ky institucion argumenton se përqendrimi nuk përbën kufizim të konkurrencës. Ndër të tjera Autoriteti bën një vlerësim të profilit që ka secili aksionet ku i pari është “Albcontrol” me 10 për qind të aksioneve, 41 për qind “MDN Investment” dhe  “Turk Hava Yollari A.O” me 49 për qind. I njëjti dokument jep detaje për linjat që do të mbulojë kompania ajrore shqiptare, regjistruar në QKR në 13 shtator, ku nënvizohet se Stambolli është destinaiconi i parë dhe më pas fluturimet do të shtrihen në Romë, Bolonjë dhe Londër. Aktualisht kompania “Air Albania” nuk ka filluar ende fluturimet e rregullta me kalendar të përcaktuar për pasagjerët. Edhe pse është pranuar që gjithçka do të fillojë në tetor, nuk ka një datë të saktë. Aktualisht po kryhen fluturime test në linjën Tiranë-Stamboll ku stafi i “Air Albania” asistohet edhe nga “Turkish Airlines”. Me poshtë vendimi i plotë i Konkurrencës:

Procedura dhe përqendrimi

Autoriteti i Konkurrencës është njoftuar nga Albcontrol SHA, lidhur me zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.309, datë 16.05.2018 “Për përcaktimin e procedurave të krijimit të shoqërisë “AIR ALBANIA SHPK”, nga tre ortakët “Albcontrol” SHA, “Turk Hava Yollari A.O” dhe “MDN Investiment” SHPK.

Ortaku 1: ALBCONTROL SHA, një shoqëri aksionare, 100% shtetërore me objekt të aktivitetit ofrimin e shërbimeve të navigimit (lundrimit) ajror, të nevojshëm për tëgarantuar sigurinë, eficencën dhe rregullshmërinë e operimit të avionëve në hapësirën ajrore dhe në aerodromet civile të Shqipërisë dhe më gjerë, të publikuara në AIP Albania, në përputhje me standardet ndërkombëtare, marrëveshjet dhe rregulloret në fushën e lundrimit ajror të ratifikuara.

Ortaku 2: MDN INVESTIMENT SHPK, është një shoqëri shqiptare me përgjegjësi të kufizuar me objekt të aktivitetit projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimi si dhe menaxhimi i Aeroportit Ndërkombëtar, i cili përfshin ndër të tjera marrjen në pronësi nga shoqëria të terminalit të Ri, Zyrave të reja të Administrimit, Qendrës së re të Ngarkesës Ajrore, Pajisjeve të reja të karburantit, rrugës së re të hyrjes së Urës së Re dhe zotërimi dhe ushtrimi i uzufruktit nga shoqëria në lidhje me zonën e koncesionit. Ofrimin e shërbimeve të transportit të udhëtareve brenda dhe jashtë vendit etj.

Ortaku 3: TURK HAVA YOLLARI A.O, një kompani që ekziston sipas ligjeve të Turqisë. Veprimtaria ekonomike e Turkish Airlines është transporti ajror i udhëtarëve, postës, kafshëve, sendeve dhe çdo lloj transporti të lidhur me to dhe për rrjedhojë: të shesë bileta në lidhje me transportin ajror, të ortakërisë dhe me të tjerë dhe të bëj depozitime; të prodhojë dhe riparojë çdo gjë në lidhje me avionët dhe pjesë të avionëve, të sigurojë ruajtjen/mirëmbajtjen e tyre dhe në këtë drejtim te ketë depo dhe qendra rregullimi/riparimi; të administrojë mjete transporti; të themelojë, të ndërtojë dhe të vërë në punë qendra telegrafike, telefonike, energjetikë, lidhje komunikimi pa tela dhe çdo gjë

lidhur me vijimin e punës me to, etj.

Shoqëria Target: AIR ALBANIA SHPK, me NUIS L82113028I, regjistruar më 13.09.2018 me tre aksionar/ortakë kryesore, Albkontrol SHA që zotëron 10% të aksioneve; MDN Investiment SHPK që zotëron 41% të aksioneve dhe Turk Hava Yollari A.O që zotëron 49% të aksioneve. Objekti i aktivitetit të shoqërisë së re është kryerja e të gjitha llojeve të transportit ajror të brendshëm dhe ndërkombëtar duke përfshirë të gjitha llojet e transportit ajror për pasagjerët, postën, kafshët dhe ngarkesën për në dhe nga çdo pikë brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe për të gjitha punët dhe angazhimet e tjera të rastit lidhur me to, duke përfshirë por jo kufizuar në shërbimin e furnizimit me ushqim, shërbimet në tokë dhe shërbimet në sallat e pritjeve si dhe operacione tregtare të avionëve/riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve.

Transaksioni plotëson kriteret e përcaktuara në nenet 10 dhe 12 të Ligjit Nr. 9121, date 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar duke përberë objekt shqyrtimi dhe vlerësimi nga Autoriteti i Konkurrencës.

Vlerësimi i përqendrimit

Referuar nenit 3, pika 7, të Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, si edhe Udhëzimit Nr.76, datë 07.04.2008 “Për përcaktimin e tregut përkatës”, përcaktimi “treg përkatës” përfshin dy komponentë:

I). tregu përkatës i produktit, dhe

II). tregu përkatës gjeografik.

Tregu përkatës i produktit: treg përkatës të produktit do të konsiderohen tregu I transportit ajror të udhëtareve dhe kargos në linjat direkte. Tregu përkatës gjeografik: Zona gjeografike e shërbimit të transportit ajror do të  konsiderohet territori i Republikës së Shqipërisë. Shoqëria e re Air Albania SHPK do të fillojë fluturimet në linjën Tiranë-Stamboll dhe anasjelltas dhe më vonë do shtrihet në Romë, Bolonjë, Londër dhe në linjat ndërkontinentale duke plotësuar kërkesën konsumatore për zgjedhje të reja dhe duke rritur shkallës e zëvendësueshmerisë së shërbimit nga ana e ofertës.

Me fillimin e aktivitetit të kësaj shoqërie, Shteti shqiptar do të paraqitet me linjën e vet kombëtare, duke ofruar shërbim në linja të cilat me parë ofroheshin vetëm nga operatorë të huaj. Shoqëria e re pritet të sjellë efekte pozitive mbi konkurrencën në tregun e transportit ajror nëpërmjet çmimeve konkurruese dhe cilësisë së shërbimit.

Për sa më sipëri ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese dhe për këto arsye propozojmë t’i kërkoni Komisionit autorizimin e këtij përqendrimi në përputhje me nenin 56, pika 1 të Ligjit Nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.

Si konkluzion ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.(Monitor)

Leave a Reply

%d bloggers like this: