Bota

Makroni, audicion për rolin që po lëshojnë anglo-saksonët si udhëheqës botërorë

Sam Kiley, CNN
Do të ketë qenë shumë e sikletshme. Udhëheqësja e kombit që dikur leu shumicën e hartës së planetit me të kuqen e perandorisë, tani premton ulje taksash për bizneset e mëdha, pasi vendi i saj u largua nga blloku më i madh tregtar në botë, BE-ja.
Biznesmenët amerikanë që dëgjonin kryeministren britanike, Tereza Mej, mund të jenë kollitur në siklet teksa ajo jepte premtime të parealizueshme para Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, si të ishte shitëse makinash të përdorura.

Donald Trump, presidenti i SHBA-ve, nuk e tregoi një vetëpërmbajtje të tillë. Kur tha se arritjet e administratës së tij ishin ndoshta më të mëdhatë në gjithë historinë e Amerikës, udhëheqësit e botës qeshën me zë të lartë.

Të dy spektaklet tregojnë tërheqjen e anglo-saksonëve nga arena ndërkombëtare.

Të shtyrë nga vota populiste e britanikëve për t’u shkëputur nga BE-ja, dhe refuzimi po aq populist që i ka bërë Trump globalizmit, Britania dhe SHBA-të duken se po shkojnë drejtë një vetë-dëmtimi të turpshëm.

Emanuel Makron bën një hap përpara.

Njeriu që simbolizon fytyrën e re të politikës dhe një alternativë të tretë, e kërkoi pastër dhe qartë postin (tashmë të lënë bosh) të udhëheqësit botëror.

Makroni ishte qartazi në mision për ta vendosur veten, (dhe Francën), në qendër të gjithçkaje, duke dënuar me zë të lartë politikat izoluese të ndjekura nga Britania dhe SHBA-të.

“Vetëm të vepruarit në bashkësi bën që të ruajmë barazinë dhe sovranitetin e atyre njerëzve, në emër të të cilëve veprojmë.”, tha Makroni. “Kjo ësytë arsyeja se pse duhet të marrim masa kundër sfidave me klimën, demografinë dhe dixhitalizimin. Askush nuk u bën dot ballë i vetëm këtyre sfidave”.

Administrata e presidentit Trump e ka alergji Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, një institucion që gjykon personat e dyshuar për krime lufte, e madje ka kërcënuar të tërhiqet.

Tereza Mej, kur ishte Sekretare e Brendshme e Britanisë, shprehte shpesh shqetësime kundër Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (e cila u krijua nga Britania e pas Luftës së Dytë Botërore) kur erdhi puna që gjykata kërkoi të drejtat e të burgosurve dhe të terroristëve.

Britania po del nga Bashkimi Europian, blloku më i madh tregtar në planetin Tokë. SHBA-të kanë shpallur një luftë tregtare me Kinën, janë shkëputur nga Partneriteti Trans-Paqësor, një bllok me 12 ekonomi të fuqishme, dhe duan të rinegociojnë kushtet për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë për Amerikën e Veriut (NAFTA).

SHBA-të janë tërhequr edhe nga marrëveshja e Parisit për të luftuar ndryshimet klimatike.

Makroni besoi se foli në emër të shumicës së kombeve të bashkuara kur tha: “Nëse mungon guximi për të mbrojtur parimet bazë, atëherë rendi botëror bëhet i brishtë dhe kjo mund të na çojë, siç kemi parë dy herë rresht, drejt një lufte botërore. E kemi parë me sytë tanë.”

Pikëpamja botërore e Donald Trumpit  doli hapur fare përpara Kombeve të Bbashkuara, dhe duhet të shqetësojë këdo që merr vesh nga historia.

Sigurisht, për një president francez me 28% miratim nga populli, (sipas një sondazhi të muajit të fundit nga OpinionWay), është veprim shumë jo-popullore të dalë kundër anglo-saksonëve.

Por sado që t’i qortojë një politikan francez Les Rosbif-ët [Nofkë e francezëve për britanikët, që vjen nga fjala “mish i pjekur”] dhe  Les Yanquees [nofkë për Amerikanët], thirrja që i bëri ai internacionalizmit, pasioni plot stil në foltore, dhe thirrja e përgjithshme që i bëri logjikës së shëndoshë, do të ketë bërë jehonë përtej sallave të OKB-s.

Në fund të fundit, po flet udhëheqësi i të vetmes nga demokracitë që kanë mbetur midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit që ende vazhdon të besojë se duhet të ruajmë një botë të organizuar nëpërmjet një diplomacie shumëpalëshe dhe nën struktura jo të përkryera.

Lidhja ekonomike që krijoi Europa brenda BE-së, apo lidhjet e shumicës së vendeve të botës nëpër konventa ndërkombëtare, nuk tregojnë që globalizmi ka qenë ai që i ka shmangur konfliktet, por që pa të, gjërat do të kishin qenë shumë herë më keq.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button