Ekonomia

Birra vendase mposhtet nga importi

Industria vendase e prodhimit të birrës vijon të humbë terren ndaj importit, i cili në vitin që lamë pas kishte 32% të peshës së tregut. Mes kostove të larta të prodhimit, mungesës së konkurrueshmërisë, uljes së aftësisë blerëse dhe shitëse, si dhe vështirësive financiare për të qenë më të pranishme me promocione në treg, industria po rrudhet vit pas viti…

Nga Ledina Loga

Në rënie vit pas viti, industria shqiptare e prodhimit të birrës nuk di si të ngrejë krye. Shitjet për prodhimin vendas të birrës nuk mundën të gjallëroheshin as gjatë Kampionatit Botëror, ndërsa kushtet atmosferike ishin kundër tyre. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se prodhimi i birrës në vend, edhe për vitin 2017, ka shënuar rënie. Ky ka qenë viti i tretë radhazi kur prodhimi vendas ka njohur tkurrje. Ndryshe ka ndodhur me importet, të cilat kanë vijuar që të fitojnë terren në tregun vendas.

Prodhimi i birrës në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë ishte 885 mijë hektolitra, me një rënie prej 10 mijë hektolitrash krahasuar me një vit më parë. Ndërsa importet kanë fituar më shumë terren. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sasia e importuar në vitin 2017 ishte 418 mijë hektolitra, me një rritje me bazë vjetore prej 35%.

Aktualisht, birra e importuar ka një peshë totale prej 32%, në krahasim me prodhimin vendas, ndryshe nga vitet e mëparshme kur prodhimi i vendit kishte një peshë prej 75% të tregut, ndërsa importet rreth 25% të tij. Tkurrja që ka njohur vit pas viti prodhimi vendas është ndikuar nga faktorë: si mungesa e konkurrueshmërisë, ulja e aftësisë blerëse, trajtimi i diferencuar i importit, kostot e larta në prodhim dhe së fundmi dhe nga ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël, gjë që ka ulur aftësinë shitëse të kompanive shqiptare të prodhimit të birrës.

Birra Tirana vijon të kryesojë tregun vendas sipas qarkullimit vjetor të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Luan Bregasi, administrator i kompanisë më të madhe në vend, me një qarkullim mbi 1 miliard lekë (në vitin 2016), thotë për “Monitor” se kanë arritur së paku që të frenojnë rënien e mëtejshme të shitjeve. “Edhe pse nuk kemi pasur rritje, për ne ka qenë një sukses që frenuam rënien e mëtejshme në treg”, – thotë Bregasi për “Monitor”.

Birra Stela renditej e dyta në tregun vendas për nga qarkullimi vjetor në 2015-n, ndërsa një vit më pas, shitjet e kompanisë do të uleshin me 25%. Stefan Pinguli, administrator i Birrës Stela, argumenton se tkurrja e shitjeve ka ardhur nga disa faktorë të kombinuar bashkë, por më kryesori është pozita e pabarabartë që kishin me birrat e importit.

Barazi e vonuar

Edhe pse aktorët kryesorë të tregut pohojnë se ligji mbi akcizën, që diferencon prodhimin vendas me importin ka filluar të zbatohet, tashmë dëmi është bërë. Zbatimi i ligjit mbi akcizën, sikurse është i shkruar, për Luan Bregasin, administrator i Birrës Tirana, në këtë vit operimi i ka dhënë një dorë industrisë vendase.

Ndërsa për sa i përket kompanisë që ai drejton arriti që të frenojë rënien. Për shkak të mungesës së konkurrencës korrekte në 4 vitet e fundit, sipas aktorëve kryesorë të tregut, birra vendase u detyrua të humbiste tregun vendas dhe të tkurrte shitjet dhe prodhimin. Ndryshe nga vitet e tjera, kompanitë që prodhojnë nën 200 hektolitra kanë paguar një akcizë prej 15 lekësh, ndërsa kompanitë mbi 200 hektolitra kanë paguar 30 lekë për litër akcizë.

Politika e ndarjes me fasha për sasinë e prodhimit dhe detyrimin e akcizës së paguar nuk është diçka shqiptare, është një politikë që e ndjekin me rigorozitet edhe vendet europiane për të mbrojtur prodhimin vendas. Por, sipas industrisë së birrës në vend, kjo praktikë në Shqipëri nuk po funksionon për të gjithë njëlloj.

Stefan Pinguli thotë se zbatimi korrekt i ligjit ka afruar çmimet e birrave të importit me çmimet e birrave vendase, por si do që të jetë dëmi te prodhuesit vendas është bërë dhe do të jetë shumë e vështirë (thuajse e pamundur që të rimarrin tregun përsëri).
“Së fundmi, me shumë vështirësi, rregulluam marrëdhënien me birrën Peja dhe Elbar, të cilat janë trajtuar si birra vendase për 4 vite me radhë, ku kapën edhe tregun. Duhet që shteti të na jepte mundësinë që të konkurronim”, – thotë ai.

Një vit më parë, birrat e importit operonin në treg me një çmim thuajse 15% më lirë në treg se sa prodhimi vendas. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, Stefan Pinguli, e lidh çmimin e ulët edhe me mungesën e konkurrueshmërisë së industrisë së prodhuesve në përgjithësi në vend, duke qenë se kanë kosto mjaft të larta operimi. Ai gjithashtu shton se kompanitë e huaja hynë në tregun vendas me aftësi të mëdha për promocione, por edhe lehtësi fiskale, gjë e cila e ndihmoi që të kapte segmentet e tregut në vend.

Sipas zotit Bregasi, shteti duhet të ketë filozofinë që të mbështesë prodhimin vendas, në mënyrë që ekonomia të riaktivizojë vlerat e veta. “Ne duam politika nxitëse dhe do të kërkojmë ulje të çmimeve për kostot. Kemi kërkuar të hiqet kostoja e ambalazhit, të hiqet kosto për pullën fiskale, janë para që nuk shkojnë as në buxhetin e shtetit, por si e ardhur për koncesionarin”, – argumenton Bregasi.

 

Kostot më të larta të operimit në rajon

Birra është një pije e thjeshtë dhe si lëndë të parë kryesore për prodhimin e saj janë uji, energjia, malto, si dhe elbi të cilin e marrin nga importi, pasi industria nuk ka arritur që të mbyllë ciklin në vend. Aktorët kryesorë të tregut pohojnë për “Monitor” se, krahasuar me rajonin, industria po operon me 60-70% kosto më të larta. Sipas Luan Bregasit, energjia është komponenti më i lartë për sa u përket kostove. “Nëse rajoni paguan rreth 7 cent për kWh, industria vendase paguan 11-12 cent për kWh”

Ndërsa për sa u përket kompanive të importit, ato janë me kapacitete të larta prodhimi dhe për shkak të përfitimit nga ekonomia e shkallës, produkti i tyre del me kosto më të ulët të prodhimit për njësi. Sipas aktorëve kryesorë të tregut, kostot e larta për njësi prodhimi janë arsyeja kryesore pse industria vendase nuk është aspak konkurruese.

Pragu i TVSH ngushtoi aftësinë shitëse

Përveç problemeve të shumta që industria e prodhimit të birrës në vend i mbart vit pas viti në kurriz, këtë vit janë goditur edhe prej uljes së pragut të TVSH-së te biznesi i vogël. Sipas aktorëve të tregut, kjo ngushtoi aftësinë e tyre të shitjes. Për shkak të uljes së pragut, shitësit me pakicë refuzonin që të merrnin mall me faturë prej prodhuesve të mëdhenj. Kjo është kthyer në një problem për industrinë prodhuese në vend.
Stefan Pinguli, kryetari i Bashkimit të Prodhuesve të Birrës, tha për “Monitor” se një pjesë e distributorëve po furnizojnë tregun në informalitet. Ai shtoi se përveç vështirësive që kanë pasur me shitësit me pakicë, edhe fuqia blerëse ka ndikuar në tkurrjen e shitjeve të prodhimit vendas. Sipas Pingulit, vetëm birra Stela që ai drejton ka ulur shitjet në masën prej 25%.

Vendosja e pragut të TVSH në nivelin e 2 milionë lekëve ka qenë problem edhe për Birrën Tirana. Luan Bregasi shton se ky ka qenë një faktor që ka rrudhur tregun për birrën vendase. “Në mendimin tim, duhet që biznesi i vogël ta deklarojë TVSh-në por të mos e paguajë. Pavarësisht lehtësive që u morën ndaj biznesit të vogël, unë jam për lehtësi të mëtejshme. Ne kemi një rezistencë të jashtëzakonshme, një nga arsyet që ka rënie të biznesit prodhues është mospranimi i produkteve me faturë prej nesh, tha Bregasi për “Monitor”.

Po shkurtojnë stafin

Në pamundësi për t’u bërë ballë humbjeve të njëpasnjëshme, zgjidhja që i mbetet një pjese të kompanive të prodhimit në vend është shkurtimi i stafit. Stefan Pinguli, drejtues i Birrës Stela, thotë se ka nisur reduktimin e stafit në fabrikën e tij. Në rast se situata e tregut do të vijojë e njëjtë, do të detyrohet që të ketë shkurtime të mëtejshme. Aktualisht Birra Stela po tenton që të eksportojë birrë jashtë vendit, mirëpo sipas zotit Pinguli, edhe pse kanë lidhur kontrata me disa kompani italiane, e kanë të vështirë që të jenë konkurrues për shkak të kostove të larta të operimit që kanë si industri.

Birra artizanale, mbështetje nga turistët

Xhimi Begeja nuk e kishte menduar kurrë se do të bëhej pjesë e industrisë së birrës. Tani, përveç sportit të alpinizmit, birra është një nga pasionet e tij më të mëdha. Për herë të parë ra në kontakt me birrën kur vendosi të investojë, duke blerë Hotel Turizmin në Pukë, pjesë e të cilit ishte edhe punishtja e prodhimit të Birrës Puka.

Sot, Birra Puka është një ndër birrat vendase, të prodhuara në mënyrë artizanale. Xhimi tregon se birra e tij kërkohet më së shumti nga turistët e huaj, ai merret vetë me shpërndarjen e saj në lokale të ndryshme në të gjithë Shqipërinë dhe tregon se ka shitjen e garantuar për të gjithë sasinë e prodhuar. Birra Puka mban një çmim rekord të lartë krahasuar me të gjitha birrat e tjera vendase, 144 lekë për litër, ndërsa mesatarja e çmimit të birrave është 100 lekë për litër – thotë Begeja për “Monitor”.

Birra Puka është përzgjedhur për të qenë birrë ekskluzive në Hotelin Graden Inn, pjesë e gjigantit të hotelerisë në botë, “Hilton”. Begeja thotë se në pranimin e kërkesës është treguar modest dhe me këmbë në tokë. Kontratën e ka nënshkruar vetëm për tre muaj, për të parë edhe ecurinë.
Nga 36 punishte të vogla artizanale që u ngritën në Shqipëri në vitin 1997, pjesë e një projekti për zhvillimin e qendrave të qyteteve në vend, sot kanë mbetur vetëm 5 ose 6 prej tyre, ndër të cilat edhe Birra Puka.
Begeja, si operator i vogël në treg, pasi punishtja e tij prodhon sasi të limituara, për shkak të kapaciteteve të ulëta, thotë se shkak për falimentimin e tyre, përveç menaxhimit të dobët, është edhe akciza e lartë.

Shqipëria dhe Maqedonia, vendet me konsumin më të ulët të alkoolit në vend

Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet me konsumin më të ulët të alkoolit për frymë. Sipas të dhënave të përpunuara nga portali Our World in Data dhe të publikuara nga Banka Botërore, konsumi mesatar për frymë për popullatën mbi moshën 15-vjeçare në Shqipëri është 6.6 litra. Konsumin më të ulët për frymë në rajon e ka Maqedonia, ku sipas hartës interaktive të portalit, konsumi për frymë në Maqedoni për të njëjtën grupmoshë të popullatës është 5.7 litra.

Konsumi i ulët i alkoolit, referuar të dhënave të përpunuara nga portali i të dhënave, është tipar i vendeve me të ardhura të ulëta. Mesatarja botërore e konsumit të alkoolit në vendet me të ardhura të ulëta, sipas të dhënave të Bankës Botërore (2015 është viti ku ka të dhëna të vlefshme për të gjitha ekonomitë botërore) është 4.2 litra, apo rreth 2 litra më pak se në Shqipëri.

Konsumin më të lartë për frymë të alkoolit në rajon e ka Serbia, ku sipas të dhënave është 12.9 litra, apo sa dyfishi i konsumit të tij në Shqipëri.
Më pas renditet Mali i Zi, ku konsumi i alkoolit për frymë për grupmoshën mbi 15 vjeç, është 11.5 litra për frymë dhe Bosnja me 7.5 litra për frymë (rreth 1 litër më shumë se në Shqipëri). Mesatarja e Bashkimit Europian për konsumin e alkoolit është 10.6 litra, ndërsa ajo e vendeve me të ardhura të larta është 9.3 litra.

Cili vend konsumon më shumë birrë në botë

Vendin e parë, për sa i përket konsumit më të lartë të alkoolit në të gjitha ekonomitë që Banka Botërore ka mbledhur të dhëna, e mban Moldavia. Konsumi vjetor i alkoolit në Moldavi llogaritet 17.4 litra. Vendet e ish-Bashkimit Sovjetik janë në krye të renditjes. Në vendin e dytë pas Moldavisë renditet Bjellorusia me 17.1 litra, më pas Lituania, 16.2 litra; Rusia, 14.5, Australia, 12.6; Irlanda, 10.9 litra dhe Shtetet e Bashkuara, 9 litra.

Vendet me konsumin më të ulët

Për shkak dhe të kulturës së tyre, vendet e Lindjes së Mesme dhe një pjesë e vendeve të Afrikës së Veriut kanë konsum shumë të ulët të alkoolit, nën 1 litër për frymë. Libia është i vetmi vend ku konsumi i alkoolit për frymë është 0 litra. Thuajse i papërfillshëm është dhe konsumi në Arabinë Saudite, Kuvajt, Jemen apo Pakistan.

INTERVISTA 1

Flet Stefan Pinguli, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës

Këtë vit jemi goditur edhe nga rënia e fuqisë blerëse

Liria që i është dhënë importit gjithë këto vite ka çuar drejt depresionit të gjithë industrinë. Shitjet ranë me thuajse 25% këtë vit, ndërsa përveç aftësisë blerëse, ulja e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla dobësoi dhe aftësitë shitëse te kompanitë vendase të birrës. Për të bërë ballë humbjet dhe rrudhjen në treg nuk ka mbetur gjë tjetër veç shkurtimit të vendeve të punës, pohon Stefan Pinguli, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës

Si ka qenë ecuria e industrisë vendase të prodhimit të birrës këtë vit? A është mundur që të kapërcehen problematikat që ka pasur kjo industri në vitet e fundit?

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit tregu është goditur nga aftësia blerëse, gjë të cilën nuk e kemi ndier në vitet e tjera. Ndërsa problematika e dytë dhe më kryesore, është ulja e pragut të TVSH-së për shitësit me pakicë. Ata, duke qenë se janë të interesuar të mos e kalojnë pragun e TVSH-së, nuk marrin faturë.

Ne, si biznes i madh, e kundërshtuam pragun dhe ishim të mendimit që bizneset e vogla të kontrolloheshin nëse kanë tërhequr faturë për mallin ose jo, por jo të kreditonin TVSH. Kur na kërkohet mall pa faturë, ne nuk mund të shesim dhe kjo ka sjellë ngushtimin e aftësisë sonë për të shitur.

Ata nuk marrin dot me faturë. Bizneset e vogla marrin vetëm mallin e domosdoshëm me faturë. Një pjesë e tyre po furnizohen prej distributorëve pa faturë, në informalitet. Të gjitha këto vështirësi që krijohen, nga informaliteti deri tek aftësia e tregut për të blerë këtë mall ka krijuar një lloj stanjacioni që ka rrudhur shitjen.

Tjetër problematikë për tregun e birrës vendase janë birrat e importit, të cilat kanë hyrë me aftësi të mëdha financiare dhe kanë shumë aftësi promocionale për të thithur tregun. Ne si industri, më saktë si prodhues vendas, jemi larg vëmendjes së shtetit. Industria prodhuese hap vende pune. Me rrudhjen e mëtejshme të tregut, ose do të ulim rrogat, ose do të nxjerrim njerëzit nga puna.
Deri më tani, për shkak të kësaj tkurrje në treg, kemi shkurtuar vende pune dhe mund të shkurtojmë më tej në rast se situata do të vijojë e njëjtë.

Cilët janë disa nga faktorët që kanë çuar në tkurrjen e tregut për prodhimin vendas?

Faktori i parë është pushtimi nga birrat e huaja. Në krahasim me importin, ne kishim kushte të papërshtatshme për t’u rritur më tej në tregun vendas. Për shkak të pamundësisë për të bërë promocione të mëdha, ne humbëm tregje. Gjithashtu, edhe pamundësia për të shitur në zona ku ka prodhues të vegjël.

Një tjetër faktor për mosrritjen tonë në tregun vendas është marrëdhënia që kemi me institucionet kontrolluese. Industria e prodhimit të birrës ka një kontroll të trefishtë. Së pari nga pulla, së dyti nga DSHA-të, kalimet elektronike që bëjmë si dhe parapagimet akcizës, kur ne edhe mallin që e marrim nga jashtë e paguajmë me 30 ditë vonesë, edhe kontrollet shumë të shpeshta që na bëhen në fabrikë. Në mendimin tim, ky është një lloj presioni mbi prodhimin vendas. Për të zgjidhur këtë, kemi shtuar njerëz në administratë. Nga ana tjetër, shteti nuk ka asnjë lloj mënyre për të penguar pushtimin nga birrat e huaja.

Nuk ka pasur politikë lehtësuese për prodhimin vendas dhe nuk ka pasur asnjë diferencë për prodhimin vendas nga importi. Së fundmi, me shumë vështirësi rregulluam marrëdhënien me birrën Peja dhe Elbar, të cilat janë trajtuar si birra vendase për 4 vite me radhë, ku kapën edhe tregun. Shteti duhet të na jepte mundësinë që të konkurronim. Sot Shqipëria më shumë importon se sa prodhon në vend. Nuk ka asnjë vend, përveçse Shqipëria, me këtë lloj raporti, 60% birrë importi dhe 40% birrë e prodhuar në vend. Në pjesën më të madhe të vendeve lindore, birrat e importit janë vetëm 5%.

Rënia e fuqisë blerëse na ka dëmtuar edhe më tej, tregu është larguar dhe sot po preferon birrat e huaja që i shikon më shpesh në reklama. Shqipëria është i vetmi vend që i krijon kushte më shumë prodhimit të huaj se prodhimit vendas. Pati dhe probleme të tjera, pasi klima nuk qe në favorin tonë. Një tjetër faktor është largimi i njerëzve, të gjithë të rinjtë po ikin jashtë. Prodhimi është ulur krahasuar me një vit më parë, rreth 25%.

Çfarë mund të jetë një zgjidhje, masat që do të merrni si industri?

Liria që i kanë dhënë importit na ka futur në një depresion që nuk kemi zgjidhje, ose do të shkurtojmë vendet e punës. Po luftojmë për eksport, por sasitë janë ende modeste, është e vështirë pasi i kemi kostot më të larta se sa bota. Po shesim pa fitim, sa për të mbajtur njerëzit në punë. Sot ne kemi kosto të larta në prodhim, transport dhe administrim, gjë që na bën më pak të konkurrueshëm me importin.

INTERVISTA 2

Flet Luan Bregasi, administrator i Birra Tirana

TVSH te biznesi i vogël, faktor në rënien e shitjeve

Për Luan Bregasin, administrator i kompanisë më të madhe në vend për nga qarkullimi, tregu i birrës në vend vijon të sillet në mënyrë të paqëndrueshme. Ndër faktorët kryesorë, sipas Bregasit, është sjellja përkëdhelëse shtetërore ndaj 2-3 kompanive të importit. Për vitin 2017, Bregasi është optimist duke qenë se së paku është frenuar rënia, ndërkohë që shton se faktor në rënien e shitjeve ishte dhe ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël.

Si ka qenë ecuria e Birra Tirana këtë vit?

Nuk mund të themi se jemi më mirë, për sa u përket shitjeve. Tregu i birrës vijon të sillet në një mënyrë të paqëndrueshme. Disa nga arsyet kryesore që kanë penalizuar industrinë janë mungesa e konkurrencës korrekte, sjellja shtetërore përkëdhelëse ndaj 2-3 kompanive që sjellin birrë importi dhe në treg serviren si produkte vendase.

Pavarësisht se qeveria shqiptare zbatoi ligjin që për kompanitë që prodhojnë nën 200 hektolitra ka një fashë të pagimit të akcizës 15 lekë, ndërsa kompanitë që prodhojnë mbi 200 hektolitra të paguajnë 30 lekë për litër. Në tre-katër vitet e fundit, ky ligj nuk është zbatuar. Për këtë arsye, tregu nën këto vitet e fundit u deformua, po ashtu edhe çmimet. Kjo solli pabarazi në treg dhe goditje të prodhuesve vendas të birrës, ndër to edhe Birrës Tirana.

Zbatimi i këtij ligji, që nxit prodhimin vendas, ku në bazë edhe të direktivave të BE-së, kompanitë që prodhojnë nën 200 hl mund të paguajnë një akcizë të diferencuar, sigurisht ka dhënë rezultat pozitiv në këtë vit, që do të thotë se çmimet e këtyre dy kompanive, Elbar dhe Peja, janë përafruar me çmimet e prodhimit vendas. Ne, përsëri nuk jemi të favorizuar nga pikëpamja e mundësisë për të pasur një çmim më të lirë në treg, por të paktën këto dy kompani nuk janë më ulët në çmime se sa kompanitë vendase.

Në kushtet që është sot industria, a mendoni që ka nevojë për të rishikuar paketën ligjore?

Mendoj se industria e birrës, ashtu si ndoshta edhe shumë industri vendase, përballet sot me pamundësinë për të konkurruar për disa arsye. Së pari, le të themi që kostot e prodhimit për produkte vendase janë ende të larta. Kjo jo se nuk dimë të vlerësojmë kostot e prodhimit, pasi ne jemi biznesmenë, jemi sipërmarrës, por sepse disa inpute të prodhimit, siç energjia dhe uji janë ende të larta dhe rrisin kostot e prodhimit. Vendet e rajonit e kanë çmimin e energjisë 7 cent, ndërsa ne, 11-12 cent kWh, që do të thotë është gati 60-70% më shtrenjtë.

Atëherë si mund të konkurrojë produkti ynë vendas kur kostot e prodhimit janë të larta dhe marzhi i fitimit me këto çmime që janë sot në treg është modest dhe mjaft kompani mund të dalin dhe me humbje për shkak të kostove të larta. Kjo ndodh edhe për një arsye tjetër. Duke qenë se kompanitë importuese kanë kapacitete të larta prodhimi, kostot e tyre janë të ulëta për njësi prodhimi. Shto këtu edhe kostot e energjisë, ujit, të lëndëve të para, që të gjitha vijnë nga importi, e vetmja gjë që ne kemi “Made in Albania” është energjia dhe uji, dhe këto janë 60-70% më shumë se në vendet e rajonit. Çmimet e shitjeve krahasuar me kostot janë shumë qesharake, jemi në kufij nëse fiton diçka ndërmarrja ose mund të jemi dhe me humbje.

Keni menduar për të bërë investime, apo keni kryer ndonjë riorganizim?

Sigurisht të gjithë këtë ballafaqim që kanë produktet vendase, në këtë rast birra, në një treg që nuk sillet në mënyrë konkurruese dhe shteti është larg vëmendjes për të mbështetur këtë industri, biznesi vendas nuk e ka shpërndarë këtë mungesë as te shkurtimi i vendeve të punës dhe as te mungesa e investimeve. Në mënyrë modeste, me këto kredi që ne kemi marrë, ku edhe kredia është element që rrit koston, kemi bërë investime dhe përmirësuar cilësinë e produktit. Birra Tirana, në këtë vit që unë e kam marrë vetë në dorë drejtimin e kompanisë, ka bërë investime që kanë ndikuar në rritjen e cilësisë së birrës dhe qëndrueshmërisë së birrës, në pëlqyeshmërinë e tregut.

Edhe në rast se ne mund të mos kemi rritje, të paktën është frenuar rënia, jo vetëm e Birrës Tirana, por edhe e kompanive të tjera në vend, të cilat u ballafaquan me mungesën e konkurrencës. Kjo është një arritje shumë e madhe për ne. Është një arritje që Birra Tirana ka filluar që të konsolidohet në treg, ka rimarrë tregun e humbur, ka rifituar klientelën, për shkak të cilësisë së produktit. Gjithsesi kjo situatë nuk është e favorshme për të kryer investime të mëdha në industri. Duhet të jesh konkurrues për të bërë investime. Nuk kemi bërë investime për të shtuar kapacitetet dhe kjo është e lidhur me vështirësitë që ka ky produkt në tregun vendas.

Krahasuar me vitin 2017, si ka qenë ky vit për sa i përket industrisë?

Në 2017-n, pothuajse është frenuar rënia, ndërsa 2018 është e barabartë në sasinë e prodhuar me një vit më parë. Duke pasur në konsideratë që është frenuar rënia, për ne ky është një sukses shumë i madh. Birra Tirana ka filluar që të rimarrë tregun e humbur. Kjo do të thotë se edhe Birra Elbar, edhe Birra Peja, që në tre vjet konkurruan produktet e birrës vendase në mënyrë të pandershme, kanë filluar të sillen normal në treg, për shkak të zbatimit të ligjit dhe kjo ka dhënë ndikim pozitiv.

Ne kemi marrë një nismë, për të gjithë industrinë vendase pasi kjo është një industri që ka investuar me miliona euro, ka në punë afërsisht 30 mijë të punësuar, paguan miliona euro në shtet në formën e taksave dhe pikërisht për të vlerësuar këtë gjë do të bëjmë një konferencë kombëtare që të tërheqim vëmendjen e qeverisë që të kthehet pak nga prodhimi vendas dhe nga kjo industri, se Shqipëria nuk ka shumë prodhues. Shteti duhet të ketë filozofinë që të mbështesë prodhimin vendas, në mënyrë edhe që ekonomia të riaktivizojë vlerat e veta. Kemi kërkuar të hiqet kostoja e ambalazhit, të hiqet kosto për pullën fiskale, është një para që nuk shkon as në buxhetin e shtetit. Këta marrin nga pulla rreth 20 milionë euro në vit dhe vetëm prej Birrës Tirana rreth 1 milion euro.

Këtë vit jemi prekur edhe nga beteja për formalizimin e tregut dhe për formalizimin e biznesit të madh, edhe pse ky i fundit ka kërkuar rregullimin dhe formalizimin e tregut. Ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël ka qenë një faktor frenues në rritjen e tregut. Kjo masë u mor që nëpërmjet biznesit të vogël, të gjurmohej biznesi i madh dhe në këtë mënyrë, mbyllej i gjithë zinxhiri i transaksionit. Në mendimin tim, duhet që biznesi i vogël ta deklarojë TVSh-në, por të mos e paguajë. Pavarësisht lehtësive që u morën ndaj biznesit të vogël, jam për lehtësi të mëtejshme. Ne kemi një rezistencë të jashtëzakonshme nga biznesi i vogël për të marrë mall me faturë, një nga arsyet që ka rënie të biznesit prodhues është mospranimi i produkteve me faturë prej nesh.

INTERVISTA 3

Flet Armando Xoxa, përfaqësues i Birra Korça

Lehtësitë fiskale për importin, vështirësia jonë më e madhe

Birra Korça ka pasur një bilanc pozitiv gjatë 2017-s. Armando Xoxa, menaxher i shitjeve, thotë se presin që Birra Korça të vijojë zgjerimin edhe këtë vit në segmente të tjera të tregut. Ai shton se nuk kanë munguar as investimet për rritjen e kapaciteteve.

Si ka qenë ecuria e Birrës Korça në tregun vendas?

Për sa i përket ecurisë së Birrës Korça në tregun vendas ka një rritje graduale vit pas viti. Në vitin 2018, Birra Korça ka zhvilluar pjesën e kapacitetit prodhues me 30% për të mbuluar kërkesat e shumta në pikun e sezonit veror dhe për të pasur mundësi për eksport.

Importi vijon të ketë një peshë të lartë në treg, cilat janë disa nga vështirësitë që keni ju si operatorë vendas në treg?

Vështirësitë më të mëdha si operatorë vendas në treg vijnë prej faktit se disa kompani importuese rajonale ose më gjerë trajtohen me politika fiskale të zbutura, për të mos krijuar një diferencim midis birrave të importit dhe atyre vendase.

A keni mundësi zgjerimi në tregun rajonal të birrës?

Për sa i përket pjesës së zgjerimit në tregun rajonal, Birra Korça ka një vlerësim pozitiv nga konsumatorët dhe tregjet rajonale. Shtimi i kapaciteteve prodhuese për këtë vit do të na japë mundësinë që për vitin 2019 të lidhim disa kontrata të reja me vendet rajonale dhe më gjerë.

Si është sjellja e konsumatorit shqiptar në raport me birrën (ose dhe pije alkoolike në përgjithësi)?

Për hir të së vërtetës duhet thënë se konsumatori shqiptar vitet e fundit po fillon të bëhet një shijues i mirë birre. Kjo na ka dhënë mundësinë të kemi një numër konsumatorësh në rritje vit pas viti.
Vlen të theksohet fakti se Birra Korça kërkohet jashtëzakonisht shumë edhe nga turistët e huaj të cilët vizitojnë Shqipërinë.

Si ndahet tregu me birrat e tjera vendase?

Birra Korça ka qenë lider në tregun vendas për sa i përket formateve të shishes, tashmë prej dy vitesh jemi në treg edhe me formatin kanoçe ku jemi duke u pozicionuar mjaft mirë në treg dhe pritet të bëhemi lider edhe në këtë segment të tregut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button