Home / Ekonomia / Intesa Sanpaolo Bank Albania finalizon Bashkimin me Përthithje të Veneto Banka Sh.A

Intesa Sanpaolo Bank Albania finalizon Bashkimin me Përthithje të Veneto Banka Sh.A

Intesa Sanpaolo Bank Albania  njofton se procesi i Bashkimit me Përthithje të Veneto Banka është finalizuar nga pikëpamja ligjore dhe operacionale. Në vijim, duke nisur nga 1 Tetori 2018, Veneto Banka sha është fshirë nga Regjistri Tregtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa Intesa Sanpaolo Bank Albania Sha ka mbartur të gjitha asetet, të drejtat e detyrimet, si dhe marrëdhëniet me klientët, të cilët shërbehen tashmë nga një rrjet i njëjtësuar degësh bankare dhe sistemi operimi.

 Silvio Pedrazzi, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, daklaroi: “Qëllimi ynë kryesor ishte të realizonim këtë bashim në mënyrë të lehtë e efektive, duke u siguruar që klientët të mos përballeshin me asnjë vështirësi gjatë këtij procesi; ne mund të konfirmojmë tani përfundimin e suksesshëm të të gjithë operacioneve dhe unë po përfitoj nga ky rast për të falenderuar të gjithë njerëzit që e bënë këtë të mundur. Kjo blerje rrit praninë Intesa Sanpaolo në tregun shqiptar dhe sjell një vlerë të shtuar për klientët, të cilët mund të shijojnë tashmë një gamë të gjerë produktesh e shërbimesh konkuruese, të ofruara nga një prej grupeve bankare më të mëdha e më të forta të eurozonës.”

 Intesa Sanpaolo Bank Albania, si pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, lider bankar në Itali në të gjithë sektorët e biznesit, me një prezencë ndërkombëtare në 38 shtete, 5659 degë dhe rreth 19.4 milion klientë,

përfiton shumë nga njohuritë e thella në ecurinë e sektorëve të ndryshëm, duke kuptuar nevojat e klientëve dhe duke mbështetur rritjen e tyre, duke ndërmjetësuar krijimin e bashkëpunimeve mes aktorëve kryesorë të industrive të ndryshme dhe duke u bërë pararendëse e zhvillimeve teknologjike e kërkesave të tregut në shërbimet bankare, përfundon njoftimi për shtyp.

Pjesa e tregut

Intesa Sanpaolo Bank Albania është banka e katërt më e madhe në vend, pas BKT,  Raiffeisen Bank dhe Credins. Totali i aseteve të bankës ishte sa 10.9% e totalit të sistemit deri në fund të 6 mujorit të parë, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Pas përthithjes së Veneto Bank, e cila zotërone 1.4% të totalit të aktiveve, pesha në treg e Intesa Sanpaolo rritet në 12.3%, nga 10.9 që e kishte e vetme, por sërish mbetet e katërta më e madhe në vend.

Bashkimi i Intesa Sanpaolo me Veneto

Në qershor të vitit 2017, pas likuidimit të detyrueshëm administrativ të Veneto Banca në Itali, Intesa Sanpaolo SpA bleu disa aktive, detyrime dhe marrëdhënie juridike të Veneto Banca, duke përfshirë, ndër të tjera, Veneto Banka sh.a në Shqipëri, sipas një materiali të mëparshëm te bankes.

Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dha miratimin paraprak për blerjen e 100% të kapitalit aksioner të Veneto Banka Sh.a. nga ISP SpA, ndërsa në dhjetor u realizua regjistrimi i transferimit të aksioneve të Veneto Banka Sh.a në ISP SpA në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Sipas dokumentit të planit të bashkimit, konfirmohet se bashkimi i Veneto Banka sh.a me Intesa Sanpaolo Bank Albania sh.a., është zgjidhja më e mirë për arsyet e mëposhtme:

-Ecuria e ISBA-s është mjaft e mirë mbi nivelin mesatar të sektorit bankar për pjesën më të madhe të treguesve, me mundësi për të përmirësuar pjesën e tregut për kreditë dhe depozitat në të ardhme;

-Veneto Banka ka regjistruar vazhdimisht një fitim negativ gjatë viteve të fundit (kryesisht për shkak të zhvlerësimit neto të ekspozimeve të kredisë) dhe ka ndaluar pothuajse çdo kredidhënie gjatë 12-18 muajve të fundit. Nga ana tjetër, pas integrimit disa potenciale komerciale mbeten për t’u zhvilluar;

-Integrimi do të ruajë marrëdhëniet e biznesit me klientët ekzistues dhe do të kontribuojë në rritjen e pjesës së tregut dhe volumit të biznesit të Intesa Sanpaolo Bank Albania sh.a, duke e lejuar Grupin të zvogëlojë kostot e përgjithshme operative që rrjedhin nga pasja e dy strukturave operative të ngjashme në të njëjtin vend.

-Përgjatë procesit të integrimit do të nevojiten investime kapitale për të garantuar respektimin e kërkesave të detyrueshme, për të siguruar një qeverisje dhe administrim të shëndoshë të riskut dhe për të lejuar klientët e ish VB Sh.a që të operojnë në sistemet dhe rrjetin ISP Albania menjëherë pas bashkimit të dy bankave.

Leave a Reply

%d bloggers like this: