Kosova

Gjermania shuplakë Thaçit, dy zyrtarë vijnë në Kosovë nuk e takojnë

Një delegacion i lartë i shtetit gjerman i përbërë nga sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Thomas Silberhorn, dhe sekretarja e shtetit për Bashkëpunim Ekonomik, Maria Flachbarth, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Mikpritës i tyre është Kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa dy mysafirët nga Berlini, të cilët do ta shënojnë në Kosovë Ditën e Bashkimit të Gjermanive, nuk e kanë në agjendë takimin me Hashim Thaçin, me të cilin kanë mospajtime për çështjen e kufijve.

Në këtë vizitë Silbehorn dhe Flachbarth, janë takuar me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ministrin e financave, Bedri Hamza, megjithatë në agjendën e tyre të takimeve  dërguar mediave nuk figuron askund presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë vizitës së tyre në Kosovë zyrtarët gjerman do të qëndrojnë edhe në qytetin e Prizrenit, ku do të bëhet shndërrimi i kampit të ushtarëve gjerman në një qendër inovative për zhvillimin e biznesit, ngjarje në të cilën nuk është paraparë që të marrë pjesë Thaçi.

Gjermania e kancelares Angela Merkel është njëra ndër fuqitë më të mëdha perëndimore që e ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin drejt shtet ndërtimit, dhe tashmë  pas dhjetë viteve pavarësi, kur po flitet për një ide të propozuar nga Hashim Thaçi për ndryshim të kufijve të Kosovës, kancelarja Angela Merkel ka dalë kategorikisht kundër.

Në takimin me Haradinajn i cili është në një linjë me kancelaren Merkel rreth idesë së Thaçit për ndryshime të kufijve, zyrtarët e lartë gjerman kanë shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën, ndërkohë Haradinaj ka thënë se Gjermania është boshti i përkrahjes së Republikës së Kosovës.

“Shteti dhe kombi gjerman vazhdojnë të jenë bosht i përkrahjes shumëdimensionale të Kosovës. Kënaqësi dhe nder i posaçëm të pres delegacionin e lartë nga Qeveria gjermane, kryesuar nga Thomas Silberhorn, Sekretar Shteti në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Maria Flachsbarth, Sekretare Shteti në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonom”, ka thënë Haradinaj pas takimit.

“Me mysafirët e nderuar dhe me të gjithë gjermanët që shërbejnë në Kosovë, sot po festojmë Ditën e Unifikimit të Gjermanisë. Njëkohësisht, shënojmë edhe një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm të marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Gjermani. Nga sot, prania ushtarake gjermane në Prizren kalon në prani ekonomike. Shndërrimi i kampit ushtarak gjerman në Park Inovativ-Trajnues të biznesit, është parakusht për zhvillim ekonomik dhe investime. Flamuri i Gjermanisë përherë do të valëvis në Kosovë”, ka vazhduar  Haradinaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button