Ekonomia

BB: Rritja ekonomike pritet 4 % këtë vit. ‘Eurobondi’ hap i mirë

Rritja ekonomike në Shqipëri pritet të jetë 4 për qind këtë vit, duke sjellë më shumë vende pune, sipas Raportit të rregullt ekonomik për Ballkanit Perëndimor, i cili mban titullin “Rritje më e lartë por e brishtë”. Rritja e punësimit ndihmon në uljen e varfërisë në vend, ndërkohë që pritet të zvogëlohen edhe deficiti fiskal dhe borxhi publik.

Gjatë prezantimit të raportit përfaqësuesja e Bankës Botërore, Maryam Sali tha se “Eshtë një hap mjaft i mirë në tregun monetar dhe banka po punon me qeverinë për të ecur para me reformat”.
Shkalla e rritjes për rajonin e Ballkanit Perëndimor çmohet se është fuqizuar në 3,5 për qind për vitin 2018, sipas këtij Raporti. Edhe pse punësimi është rritur në pesë nga gjashtë vendet e rajonit, 91.400 vende të reja pune të krijuara gjatë periudhës korrik 2017 – korrik 2018 janë ndjeshëm më pak se 214.000 vende të reja pune të krijuara një vit më parë. Shumica e vendeve të reja të punës janë në sektorët e industrisë dhe shërbimeve.

“Në të gjithë rajonin shohim një rritje të mbështetur nga investimet dhe shpenzimet publike,” – thotë Linda Van Gelder, Drejtoresha Rajonale për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore. – “Vendet me rritje të investimeve private kanë pasur edhe rritjen më të shpejtë. Megjithëse shpenzimet sociale të përgjithshme dhe pagat publike kanë ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike në periudhën afatshkurtër, ato rrisin cenueshmërinë fiskale. Një mënyrë më e qëndrueshme për të pasur rritje ekonomike është rritja e investimeve private dhe e eksporteve”.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, borxhi publik, i cili është në nivele të larta dhe vijon të rritet, shoqërohet me mungesa ekuilibri buxhetor dhe të jashtme, çka e bën të cenueshëm parashikimin për të ardhmen për shkak të rritjes së kostove të financimit, nëse do të ketë shtrëngim në tregjet financiare. Mbështetja e rritjes ekonomike në periudhën afatgjatë kërkon pra reforma të brendshme të cilat u hapin rrugën investimeve private dhe eksporteve.

Në raport bëhet thirrje edhe për më shumë integrim ekonomik, për të nxitur një rritje më të lartë dhe të qëndrueshme dhe për të stimuluar krijimin e vendeve të punës. Për ta përshpejtuar rritjen ekonomike, për ta kapërcyer problemin e tregjeve të vogla dhe të copëzuara vendase dhe për të siguruar stabilitet ekonomik afatgjatë nevojitet më shumë integrim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokusin te tregtia, investimet, lëvizshmëria dhe integrimi digjital.

Perspektiva e rritjes ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitive. Por, pavarësisht të dhënave të mirëpritura që dëshmojnë më shumë rritje dhe krijim të vendeve të reja punës, konsolidimi fiskal, rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe reformat strukturore janë shumë të rëndësishme për të siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe që sjell barazi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button