Home / Kosova / Limaj: Tash kompletimi i Delegacionit, Rezoluta e ndalon Presidentin të flasë për kufij

Limaj: Tash kompletimi i Delegacionit, Rezoluta e ndalon Presidentin të flasë për kufij

Lideri i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj po beson se me miratimin në Parlament të Rezolutës për Dialogun mbyllet përfundimisht mundësia që dikush të flasë e negociojë me Serbinë për kufij e territore.

Kryenegociatori i propozuar nga Qeveria për dialog me Serbinë thotë se në dokumentin e propozuar është përfshirë edhe kërkesa e opozitës që askush të mos flasë për territore e kufij.

Në këtë situatë, Zëvendëskryeministri Limaj po beson se shpejt do të ketë konsultime me partitë opozitare për të ndërtuar Ekipin Dialogues me Serbinë.

Limaj i ka bërë thirrje opozitës të bëhet pjesë e këtij procesi, pasi që dokumenti i propozuar i ka përfshirë të gjitha kërkesa e opozitës dhe shqetësimet e aktorëve tjerë.

“Besoj se ajo është brendapërbrenda Rezolutës. Shikojeni atë dokument që i ka të gjitha pikat që përputhen edhe me Kushtetutën. Flet për territore, flet për sovranitetin dhe integritetin territorial, pacenueshmërinë e territorit”, ka thënë Limaj në një intervistë për Gazetën Express, një ditë pasi partitë në pushtet propozuan një Rezolutë për Dialogun me Serbinë.

Express: Përsëri opozita doli kundër rezolutës së Qeverisë. Po kërkojnë që të miratohet rezoluta e tyre e pastaj të diskutohet për tema të tjera. Cila është përgjigjja juaj?

Fatmir Limaj: Para se gjithash dhe mbi të gjitha, të gjithë ne duhet të dalim unikë nga ky proces. Qëllimi i Rezolutës është që të gjejmë pika të përbashkëta me të cilat pajtohemi të gjithë që kanë një qëllim: qartësimin e një procesi të mundshëm të dialogimit që mund të ndodhë mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Pra, ideja është të dalim unikë dhe të përbashkojmë qëndrimet pozitë dhe opozitë. Të gjitha pikat e kësaj rezolute çojnë në atë drejtim. Shqetësimet e pozitës dhe opozitës janë të futura brendapërbrenda Rezolutës së propozuar. Ne besojmë dhe jemi të hapur edhe për çkado tjetër që duhet të forcohet e shtohet në Rezolutë. Ne do t’i inkorporojmë propozimet e opozitës.

Express: Kërkesa e Opozitës është që t’i ndalohet Presidentit që të flasë për korrigjim e ndryshim kufijsh si dhe për bashkimin e ndonjë pjesë te shteteve tjera me Kosovën. A ka mundësi që kjo pikë të futet në rezolutën e pozitës dhe të kemi një pajtim të opozitës?

Fatmir Limaj: Besoj se ajo është brendapërbrenda Rezolutës. Shikojeni atë dokument që ka të gjitha pikat që përputhen edhe me Kushtetutë. Flet për territore, flet për sovranitetin dhe integritetin territorial, pacenueshmërinë e territorit. Flet po ashtu edhe për çështjet e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Askush nuk ka të drejtë dhe asnjë institucion nuk ka të drejtë të negociojë më shumë sesa ajo që parashihet në Kushtetutë. E njëjta është edhe në Rezolutë. Në Rezolutë është theksuar në mënyrë eksplicite se askush s’mund të negociojë për çështje të kufijve dhe të territorit.

Express: Mirëpo, opozita po vazhdon të mos përgjigjet pozitivisht edhe ndaj kësaj nisme të Qeverisë. Do të vazhdoni të jeni ju ende kryenegociator apo ju do të kërkoni një zgjidhje tjetër?
Fatmir Limaj: Çka kemi bërë sot është se kemi marrë parasysh shqetësimet dhe kërkesat e opozitës, shoqërisë civile, njerëzve të shqetësuar të këtij vendi. Kjo Rezolutë përmban të gjitha shqetësimet e përbashkëta të Kosovës. Tash s’duhet të humbim kohë por të flasim për përmbajtjen e kësaj Rezolute. Përmbajtja është shumë e qartë. Mandati është shumë i qartë si dhe temat çka mund të bisedohet e çka jo. Duhet të ikim nga kalkulimet e ngushta partiake. Duhet ta japim një qëndrim të qartë për dialogun e mundshëm me Serbinë. Jemi duke diskutuar për çështje nacionale. Nëse vazhdojmë kështu me konfuzion, vetëm sa do ta dëmtojmë vendin tonë, pozicionin e Republikës së Kosovës. Ideja ime është që të bashkohemi në një dokument që jep siguri, siguri dhe qartësi procesit.

Express: Ka pasur pritje që pas emërimit tuaj si kryenegociator mund të ketë lëvizje të LDK’së, VV e PSD’së, kur dihen raportet tuaja sidomos me Kryetarin e LDK’së, Isa Mustafën. Ka pasur ndonjë lëvizje të opozitës në këtë drejtim?

Fatmir Limaj: Besoj se qartësia e kësaj Projektrezolute e cila nuk lë asnjë dilemë e dyshim dhe ekuivokë se çka duhet të diskutojmë ne si delegacion, ndikon mbi mua dhe ndikon që edhe opozita së bashku me pozitën të ulemi dhe të shkojmë në Parlament për ta votuar rezolutën. Në ditët në vazhdim do të bashkëbisedojmë me të gjitha grupet që Kosova ta ketë një dokument të përbashkët dhe një delegacion shtetëror të përbashkët. Një delegacion që ka për obligim t’i përmbahet tërësisht rezolutës e cila pritet të miratohet në Parlament. Shpresoj se të gjitha grupet politike në ditët në vazhdim do të pajtohen dhe do të votojnë këtë dokument, sepse i përfshin të gjitha shqetësimet e tyre. Ne jemi të hapur që në ditët në vazhdim, nëse shihet e nevojshme ta bëjmë ndonjë përforcim. Me të vetmin qëllim që kjo rezolutë të jetë e Parlamentit të Kosovës, e Shtetit të Kosovës.

Express: Nëse opozita e vazhdon refuzimin, a jeni ju i gatshëm të vazhdoni të jeni Kryenegociator dhe të shkoni në bisedime në Bruksel?

Fatmir Limaj: Secili nga ne duhet të shikojmë në dy drejtime: së pari, duhet të provojmë të ofrojmë qëndrimet të njëjta, sepse jemi një vend dhe kjo nuk është garë se kush është më patriot e kush jo.  Ky dokument përmban shqetësimet e këtij vendi. Pas këtij dokumenti, përpjekja ime është që të kemi një Delegacion të përbashkët shtetëror. Kjo përpjekje e imja nuk do të ndalet. E dyta, Republika e Kosovës, Shteti i Kosovës, ka disa përgjegjësi që duhet të jetë serioz dhe të demonstrojë vullnetin para partnerëve tanë për dialog, i cili riafirmon dhe fuqizon shtetësinë e Kosovës. Dialog, i cili sjell njohjen ndërmjet dy vendeve, Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Dialog që ia siguron Kosovës anëtarësimin në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare. Të gjithë duhet të bashkohemi rreth delegacionit shtetëror dhe përfundimisht debati të kthehet nga përplasjet dhe përçarjet në përgatitjen e dialogut me njerëz me përvojë që mund të arrijnë objektivat e Republikës së Kosovës. Kjo Projektrezolutë qartëson rrugën tonë që askush s’mund të flasë për territorin e Republikës.

Express: Nëse vazhdon bllokada e opozitës, a mund të shkohet në zgjedhje të reja?

Fatmir Limaj: Nëse ne nuk u përgjigjemi temave që janë në interes të vendit, nëse veprimet tona zbehin rolin e Republikës së Kosovës, dëmtojnë Republikën e Kosovës, atëherë s’ka kuptim që të ketë institucione që nuk u përgjigjen interesave të Shtetit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: