Opinion

Miku i dyshimtë i Donald Trump në Lindjen e Mesme

Peter Bergen, CNN

Zhdukja misterioze e shkrimtarit saudit, Xhamal Kashogi, kontribuues në Uashington Post, menjëherë pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll, ka kthyer vëmendjen te regjimi saudit që tani drejtohet nga 33-vjeçari, Princi Muhamed Bin Salman (i njohur gjerësisht si MBS).

Veç kësaj, kjo ngjarje ngre pyetje për natyrën e rreziqeve që ka ndërmarrë administrata e presidentit Trump nëpërmjet Princit të Kurorës.

Princi ka akumuluar gabime për çdo gjë që e ka bërë pozitive, si lejimi i grave në timon, lejimi i koncerteve, përpjekjet për ta bërë më të lirë kontrollin shtetëror, për ta bërë ekonominë më pak të varur nga nafta dhe për të ulur më shumë fuqitë e policisë fetare, të cilës ia kanë aq shumë frikën në vend.

Ndërhyrja e ushtrisë saudite në Jemenin fqinj, që nisi në vitin 2015, nuk ka qenë e suksesshme. Rebelët huti janë afruar më shumë me Iranin, ndërkohë që Jemeni mbetet në prag të një krize humanitare, me mijëra civilë të vrarë në konflikt.

Pas më shumë se një viti, bllokimi që iu bë Katarit nga një numër i madh shtetesh arabe, (me Sauditët si drejtues të nismës), vazhdon edhe sot dhe nuk duket se ka ndërmend të mbarojë së shpejti. Në ligjin ndërkombëtar, bllokada të tilla janë akte lufte. Katari po kërkon arbitraritet te Kombet e Bashkuara, por gjykimi i çështjeve të tilla mund të zgjasë me vite.

Për t’i ndërlikuar gjërat edhe më shumë, Turqia është bashkuar me Katarin kundër shteteve arabe që kanë ndërmarrë bllokadën. Nëse sauditët e kanë vrarë Kashogin në tokë turke, siç kanë thënë disa zyrtarë anonimë turq për Uashington Post, tensionet në rajon mund të ndizen edhe më keq. Zyrtarët sauditë i kanë mohuar akuzat.

Por këto nuk janë të vetmet shtete që ka zemëruar MBS. Ai ka detyruar kryeministrin libanez, Saad Hariri, (i cili ka nënshtetësi të dyfishtë, libaneze dhe saudite), ta njoftonte dorëheqjen teksa po vizitonte Arabinë Saudite, nëntorin e kaluar. MBS besonte se Hariri po tregohej shumë i respektueshëm me Hezbollahun, që është një forcë e madhe politike në Liban, si dhe që ishte klient i Iranit. Hariri u kthye mbrapsht dhe shkoi në Liban. Megjithatë, plani i MBS shkoi dëm, sepse si Hariri, ashtu dhe Hezbollah, u fuqizuan më shumë pas ngjarjes së çuditshme.

Në nëntor, MBS urdhëroi arrestimin e qindra biznesmenëve dhe princave të tjerë, të akuzuar për korrupsion. Pasi u mbajtën të mbyllur në dhomat luksoze të Ritz Karltonit, në Riad, ata u liruan gradualisht nëpërmjet një procesi që dukej më shumë si sulm i ashpër, sesa masë ligjore. Por, sipas New York Times, lirimi i tyre erdhi vetëm pasi u morën shuma të mëdha parash. Qeveria saudite ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje.

MBS ka arrestuar gjithashtu edhe shumë aktivistë të padëmshëm të shoqërisë civile, shumë prej të cilëve rrezikojnë edhe dënimin me vdekje. Ata variojnë që nga aktivistët shiitë që shpresojnë më shumë të drejta për pakicën e tyre në mbretërinë saudite, e deri te Isra-Al-Gomgam, një grua 29-vjeçare, apo te Selman Al-Udah, një zyrtar fetar 61-vjeçar, që ka peshë të madhe në publik dhe 14 milionë ndjekës në Twitter.

Edhe pse u dha grave të drejtën për të drejtuar makina, në maj të këtij viti MBS arrestoi disa nga femrat kryesore të lëvizjeve që çuan në lejimin e grave në timon. Në atë kohë, Kashogu shkruante se kjo ishte një luftë kundër aktivizmit. “Ai do që njerëzit të tërhiqen e të pranojnë atë që u jep ai, dhe që ai do t’i udhëheqë drejt së ardhmes.”

Por pse po e bën MBS të gjithë këtë? Sepse po e çon Arabinë Saudite drejt një diktature totalitare, ku të gjitha aspektet e shoqërisë kontrollohen prej tij, dhe ku mbyten të gjitha llojet e mendimeve të kundërta, një qasje që përforcohet edhe më shumë me zhdukjen e Kashogit. Është një metodë e vjetër, që është bërë nëpër histori edhe nga Luigji XIV i Francës, i cili citohet të ketë thënë: “Shteti jam unë.”

Këto gjëra janë shqetësuese sidomos për faktin se administrata e presidentit Trump e ka mbështetur haptazi MBS-n. Udhëtimi i parë presidencial i Trump-it ka qenë në Arabinë Saudite. Presidentët amerikanë i bëjnë zakonisht udhëtimet e para presidenciale te aleatët më të afërt demokratikë. Por Trump e sheh Arabinë Saudite si aleatin kryesor në Lindjen e Mesme, kundër Iranit. Ndërkohë, dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, ka shpresa se MBS do të luajë një rol kyç për të zgjidhur çështjen midis Palestinës dhe Izraelit.

Që nga ajo kohë, administrata e presidentit Trump nuk e ka qortuar mbretërinë saudite as për mijëra viktimat e shkaktuara në Jemen, as për arrestimin  biznesmenëve, figurave fetare e mbretërore, e gjithashtu të aktivistëve të shoqërisë civile.

Të hënën, Trump tha që ishte i shqetësuar për zhdukjen e Kashogit. Ndërkohë, ambasadori saudit në SHBA, princi Kalid Bin Selman, vëllai i MBS, tha se akuzat që Kashogi ishte vrarë në Stamboll ishin të rreme dhe të pabaza.

Nëse dalin prova se Kashogi është vrarë në Stamboll, SHBA-ve do t’u duhej t’i vinin sanksione mbretërisë.

Administrata e presidentit Trump ia shtoi sanksionet Rusisë këtë vit, pasi u vërtetua që ish agjenti rus Skripal dhe vajza e tij, të cilët jetonin në Mbretërinë e Bashkuar, kishin qenë të shënjestruar nga agjentët rusë gjatë një përpjekjeje për t’i vrarë me helm nervor. Pse sauditët duhet të trajtohen ndryshe?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button