Opinion

Lavdi guximit të heshtjes!

Jani Malo

Nga sot e tutje atje në Zvërnecin e tij, në Zvërnecin tim hëna do të shëtisë e trishtë nëpër qiparisat e ishullit dhe pastaj do të ulet mbi gjol si sqep i verdhë i pelikanit.

Nga sot e tutje atje në Zvërnecin e tij, në Zvërnecin tim pulëbardhat në fluturimin e tyre të beftë do të mundohen të shkruajnë metaforat e pathëna të Arapit.
Jam krenar që botova të plotë veprën e tij poetike, një nga trashëgimitë më të vyera të letrave shqipe të shekullit të 20.

Lavdi guximit të heshtjes!

Diku në vitin e largët 1962, kur sapo kisha filluar klasën e parë, atje në Zvërnecin e bukur të Vlorës, “atje ku puqet Adriatiku me Jonin”, në atë “vendth midis qiparisave të urtë, … ku yjet si zilet e shkollës tingëllojnë mbi fëmijërinë time”, para se të mësoja këta vargje, dëgjova së pari emrin e Fatos Arapit. Është djali i fshatit tonë, më mësuan në shkollë. Është djali i Tol Arapit, më tha Vasil Malo në shtëpi. Ka shkuar në Tiranë e çoç shkruan në gazeta, shtoi i pasigurtë. Kaq!
Ai plak i urtë, teksa mundej me padijen e tij prej analfabeti, nuk mund të dinte se po atë mot, të atyre viteve të vështira, poeti botonte “Shtigje poetike” dhe paralajmëronte: “shkoj nëpër rrugë të porsa çelura / dhe fishkëllej ndër buzë tani / këngët e mia që askush nuk i njeh…” për të treguar se njeh të tjera shtigje dhe u flet shqiptarëve për të tjera rrugë, të cilat po të kishin mundësinë t’i përshkonin, do ta kishin bërë më të mirë Shqipërinë, po sigurisht edhe vetë do të ishin bërë më të mirë. Është problem i gjithsejcilit njeri, i gjithsecilit popull të ndjejë ndriçimin, të kërkojë mësim.
“Un’ nuk erdha në jetë që të lus perënditë;/që profetët e mykur mësonjës t’i kem; … un’ erdha t’i blatoj/ këngë të gëzuara mejtimit të lirë”, gati sa nuk bërtet Arapi dhe tregon një tjetër botë, në një vend ku ende tek tuk feksnin tone të purpurtë shprese. Po zëri tij, zëra si ai, pak u dëgjuan, për të mos thënë u shpërfillën, u nënvlefteësuan.
Vite më pas, kur shkova dhe vetë në Tiranë e çoç shkruaja dhe unë në gazeta, e njoha më mirë bashkëfshatarin tim. Tashmë kisha takuar Fatosin, njeriun dhe poetin. Edhe për mua ashtu si për Preç Zogajn, Fatos Arapi “është një sovran i poezisë që ka përndritur rininë time dhe ka modeluar konceptet e mia për të bukurën me lirikat e tij të mrekullueshme.”
Poezitë tij i lexoja dhe rilexoja dhe çdo herë më dukeshin tjetër gjë. Vonë kuptova se tekstet nuk ndryshojnë, ndryshojmë ne. Kështu ka ndodhur edhe me leximin e Arapit. Poezia e tij nuk njeh kufij kohorë. I ka thyer ato, shumë më herët se kufijtë gjeografikë, mbase që atëherë, kur autori ndihej ngushtë “në kaq pak Tiranë” dhe fjala – si edhe vetë njerëzit – e kishte të vështirë të kalonte traun doganor të ideologjisë…
Fatos Arapi nuk rreshti së kërkuari me guxim rrugën për tek njeriu, ku nuk është frikë të shpresosh edhe pse sheh që shpresa s’ka më fuqi; ai nuk priti “të ndizen dritat e gjelbërta, / të kapërcejmë matanë shek. XX-XXI, / të mbjellur me vdekjen / e zotave tanë të egër”. Me poezinë e tij avangardiste ai u bë arkitektet i shpirtit shqiptar.
Në bibliotekën time e ruaj edhe sot një libër me firmën e Fatos Arapit. Është “Fije Bari” i Uollt Uitmanit, një dhuratë që më bën të kujtoj se trishtimet e poetit – që nuk janë të pakta- kishin me kë të çmalleshin. Dhe këtë ai nuk e fsheh teksa, shumë vite më pas, i thotë vetes: “Ke pasur fat në jetë: / miq të urtë e besnikë – Homeri / Dantja, Shekspiri, Ronsardi, / Lorka dhe Uitmani …”

Poezia e Arapit është si një det i paanë i populluar nga gjallesa të panumërta metaforash. Jo më kot, në më shumë se 50 vjet, është deti figura që ai ka më për zemër, e përthyer thuajse në çdo motiv “në miliarda grimcëza të kristalta”, është deti që autori nuk e ndau nga jeta e poezia. Po, si në çdo marrje e dhënie të ndërsjelltë edhe deti “ashtu fantastik e i madhërishëm” e ndjek pas poetin…
Dhe në hapësirën oqeanore të fantazisë së tij poetike, që shkon nga antikiteti tek e ardhmja, me finesën e një mjeshtri të vërtetë, Arapi kalon plot elegancë në litarin e tendosur të gjuhës shqipe. Zgjedh fjalën si hapin. E ndien se pak më andej apo pak më këtej ka vetëm mendim, i zakonshëm apo i mënçur qoftë, ka vetëm rrëfim. Poezi nuk ka. Syri i tij poetik dallon nëpër errësirë shtegun e dritës e nuk lodhet t’ua tregojë të tjerëve edhe pse e di se kjo rrezikon Fatosin, të cilit i jep zemër: “Një mikesha jote e vjetër,/ Safo, / i ka shkrepur në kokë, / si gjithë zonjat e ëmbla, / është bërë ëngjëlli yt, / të të udhëheqë prej dore si të verbërin, / mes pyllit të errët / të hijeve të frikshme…”
35 vjet më vonë, në ditët e marrezisë popullore të 1997-ës, tashmë në cilësinë e botuesit të vëllimit të tij “Gloria Victis”, do të takoja te Fatos Arapi poetin e rilindur dhe njeriun e dëshpëruar. Askush s’na ka fyer më shumë se liria! dukej se shkruhej në çdo rrudhë të ballit të tij, teksa vërrente me trishtim sa ” e frikshme kjo natë shqiptare mbi mua, / ku shpresa në mesin e udhës, /hap krahët e saj të pashpresë”. Fati i Atdheut është edhe fati tij dhe, përderisa “me frymë tiranësh ndoten fatet”, poeti nuk e fajëson popullin e vet, nuk e shan atë, madje ia kursen edhe ironinë, por “shfryn” ndaj Kohës: “Ç’është kjo logjika jote kështu, / kjo rrjedhë e pandalshme shkumbuese? / A s’i sheh fatet e mia shqiptare / si kanë ndaluar; s’lëvizin e s’lëvizin / si mushkat para greminës, fatet. / Ti di vetëm të ikësh, / moj budallaqja kohë”.
Përmbledhja e fundit poetike, në të katër vëllimet e saj, më bën të mos mëdyshem aspak se Fatos Arapi është liriku më i madh shqiptar i kohës sonë. Ky pohim, që natyrisht nuk artikulohet nga unë për herë të parë, mund të ngjallë diskutime, por zor se mund të kundërshtohet fakti se Arapi është zëri më i veçantë, që nuk ngjason me asnjë tjetër, më magjepsësi, me elitisti në poezinë bashkëkohore shqiptare.
Tashmë ai hesht dhe është tërhequr në vetmi, si një muzg i thyer. Mbase ngaqë nuk u kuptua kur fliste, meriton të kuptohet tani që hesht. Dhe të respektohet për atë që shkroi, për atë që përjetoi dhe për atë kurrë nuk e tha. Asgjë nuk do të shkonte në mbyllje të këtij shkrimi më shumë se vargu i tij: Lavdi guximit të heshtjes!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button