Kryeartikull

Nga Babale, në Banale!

Nga Skënder Minxhozi

“Po na ikin poetet. Po na mbesin Babalet”, me këto fjalë dhe i përlotur, mediat publikonin sot foton e Xhevahir Spahiut, teksa merrte vesh lajmin për vdekjen e poetit të njohur Fatos Arapi. Është një paradigmë e saktë, për kontrastin mes vlerave unikale që ikin dhe llumit që mbetet nëpër indin e shoqërisë shqiptare. Vdekja e të madhit Arapi, njërit ndër korifenjtë e poezisë shqiptare të 50 viteve të fundit, ka zënë në faqet e mediave vetëm një përqindje të vogël e simbolike, krahasuar me telenovelën politike më absurde të kohëve të fundit: atë të dyshes Babale-Alizoti. Dy personazhe të dala nga hiçi, që vetëm një fantazi e sëmurë prej dedektivësh politikë mund t’i vendosë me dhunë në piedestalin e lajmeve kombëtare.

Këto orë është rikthyer me forcën e katër muajve më parë një dosje e cila u kujtua si Vaterloja e qeverisë në ditën kur shpërtheu, por që prodhoi më shumë tym sesa zjarr. “Babale” dhe historia e rrëmujshme me audiopërgjimin e pretenduar të vëllait të ministrit të brendshëm Xhafaj, vazhdon të pasionojë habitshëm studiot televizive dhe portalet, kurse opinioni publik tashmë e ka humbur prej kohësh fillin logjik të historisë. Sepse, që ta themi hapur dhe shkoqur, mesa duket kjo që po shohim as që ja vlen të quhet histori. Është thjesht një përçartje që po bën me dhimbje koke një shoqëri të tërë, të sëmurë nga ethja e lajmit të fundit dhe nga thashethemi i rradhës në barin e lagjes.Sorry, there are no polls available at the moment.

Epiqendra e këtij tërmeti të stisur mediatik është opozita. Ajo që muaj më parë, teksa Agron Xhafaj merrte rrugën e burgut në Itali, kujtonte se përgjimi i famshëm i Babales do të provokonte një reaksion zinxhir, i cili do të hante në episodin e fundit, kokat e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Në fakt nuk ndodhi asgjë e tillë. Ditët e para të qershorit kaluan me protesta të vogla poshtë zyrës së Fatmir Xhafajt dhe fillimi i Kampionatit Botëror të Futbollit “vuri rregull”, duke e spostuar vëmendjen e publikut të stadiumet e Rusisë.

Sot, kur kjo ngjarje e ka konsumuar tërësisht sharmin e saj dhe kur debati mbahet ndezur jo më për vëllain e ministrit, por për deklaratat e njërit prej personazheve të përgjimit, gjithçka duket si një lojë e marrë njerëzish që s’kanë me çfarë të merren. Nga dosja Babale, tashmë kemi kaluar tek dosja Banale! Një fazë e fundit dhe e holluar me ujë, e një afere e cila nuk shkrepi politikisht as në ditët e saj më të mira.

Nuk dihet se për çfarë qëllimi opozita e ka zhvendosur diskurin politik dhe debatin me qeverinë, në terrenin e historive banale dhe me personazhe qesharake. Nuk dihet përse PD e LSI kanë braktisur parlamentin dhe në vend të debatit për paratë publike dhe politikat e qeverisë, preferojnë studiot televizive ku si zakonisht bërtitet, në vend që të flitet. E sigurt është se duke vepruar kësisoj, Basha, Berisha e Kryemadhi po ja bëjnë më të lehtë punët Edi Ramës dhe ministrave të tij. Babale është një hallakatje e kotë nëpër kallamishte. Dilni në det të hapur, nëse doni t’ju shohin e t’ju votojnë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button