KronikaPresidenciale

Mbaron mandati i Leskajt, Meta hap procesin për kreun e KLSH

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka njoftuar hapjen e procesit për kandidatë për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Hapja e procesit vjen pas përfundimit të mandatit 7-vjecar të Bujar Leskajt. Afati i paraqitjes së kandidatëve është nga data 12 tetor 2018 deri më datë 30 tetor 2018.

“Hapjen e procesit për çdo të interesuar, për të shprehur interesin për të qenë kandidat për pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që do të zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me propozim të Presidentit të Republikës”- thotë ndër të tjera Presidenca.

Njoftimi i plotë:

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 19 pika 2, 20, 21, 23 pika 1/a, të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, duke qenë se mandati 7-vjeçar i qëndrimit në detyrë i z. Bujar Leskaj si Kryetar i Kontrollit të Lartë Shtetit, përfundon më datë 22 dhjetor 2018, si dhe me vullnetin për realizimin e një procesi sa më objektiv e transparent për përzgjedhjen e një kandidature me integritet të lartë moral dhe profesional të përshtatshme për këtë pozicion Kushtetues, ka vendosur :

Hapjen e procesit për çdo të interesuar, për të shprehur interesin për të qenë kandidat për pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që do të zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me propozim të Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës fton;

Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 20 të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, dhe legjislacionin e brendshëm, që të marrë pjesë në këtë proces të hapur publik, për të shprehur interesin për të qenë kandidat për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës dokumentacionin si më poshtë;

– Kërkesën për shprehjen e interesit për të qenë kandidat për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit;

– Jetëshkrimin në gjuhën shqipe me të dhënat e plota të kontaktit;

– Dokumentacionin shoqërues që vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve për t’u zgjedhur në këtë pozicion, të përcaktuara në nenin 20 të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Kërkesa për shprehje interesi dhe dokumentat shoqëruese mund të dorëzohet me postë ose drejtpërsëdrejti në ambjentet e Presidencës, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr.1 Tiranë, Kodi Postar 1001.

Afati i paraqitjes së shprehjes së interesit shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, do të jetë duke filluar nga data 12 tetor 2018 deri më datë 30 tetor 2018.

Pas administrimit të dokumentacionit, emrat e personave që kanë shprehur interesin dhe CV e tyre do të bëhet publike në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës.

Kandidatit të përzgjedhur për këtë pozicion kushtetues, do t’i kërkohet paraqitja e dokumentacionit shtesë si më poshtë:

– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;

– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

– Vetëdeklarim i aplikantit se nuk ndodhet në kushtet e pengesës ligjore të papajtueshmërisë së funksionit sipas përcaktimeve të nenit 21 pika 1, të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button