Kronika

Arrestohen dy ish-deputetë, akuza: Ndoka i lidhur me kryebashkiakun e PD

Arrestohet ish-deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka. Mësohet se ish-deputeti i Lezhës akuzohet për tjetërsim prone në Shëngjin. Sëbashku me të ka rënë në pranga edhe vëllai Xhevahir Ndoka.

Ndoka akuzohet si pjesë e një grupi ku më parë para drejtësisë ka dalë edhe kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

Frrokaj asokohe u akuzua dhe arrestua për tjetërsim të pronave. Në pranga në mars të këtij viti ranë edhe nënkryetari i Bashkisë, kreu i Hitepokës dhe dy juristë, ndërsa prokuroria kishte lëshuar 23 urdhërarreste.

Më herët u prangos edhe ish-kreu i burgjeve, Arben Çuko, që ka qenë i zgjedhur edhe si deputet.

Raportohet se Çuko dhe Ndoka ndodhen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ende nuk dihen se përse është arrestuar Ndoka.

Ndoka është prangosur nga RENEA pasditen e sotme së bashku me dy persona të tjerë.

Në shtator të vitit 2015, Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit, pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit, pasi kishte një dënim në Itali. Ndërsa sot ai ka rënë në pranga si pasojë e goditjes së ‘Forca e Ligjit’.

Por si është zbuluar Ndoka? Gjatë përgjimeve të një grupi kriminal ka dalë emri i Ndokës, i cili më pas është vendosur në përgjim duke zbuluar aferën që solli më pas arrestimin e tij nga policia pas urdhrit të prokurorisë. Ish-deputeti ishte në përgjim prej disa muajsh për këtë çështje.

Për skandalin e pronave në Lezhë janë arrestuar disa persona në vitin e fundit, mes tyre ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj.

Ndërkohë që Arben Çuko u shkarkuar si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve nga Ministria e Drejtësisë më 3 Shtator të këtij viti.

Ministrja Etilda Gjonaj tha se pas një auditimi, provat dhe dyshimet iu dërguan Prokurorisë që prangosi edhe Çukon në bashkëpunim me policinë.

NJOFTIMI ZYRTA PER ARBEN ÇYKON:

Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër arrestin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve A. Ç

A. Ç dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve

Urdhër arresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht A.Ç është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

NJOFTIMI ZYRTAR PER ARBEN NDOKEN:

Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhrin e arrestit për shtetasin A. N., 46 vjeç, nga Lezha, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”.

Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.

Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.

Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim.

Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button