Opinion

Axhenda “Rama” spostoi Babalen dhe opozitën

Nga Skënder Minxhozi

“Prisni dhe do të shihni shtatorin”. Ky ka qenë gjatë gjithë verës refreni i një pjese të opozitës zyrtare, teksa shqiptarët shtriqeshin para televizorit duke parë Botërorin e futbollit, ose shetisnin nëpër plazhet e Jugut. Shtatori erdhi dhe përmbysja e madhe opozitare nuk ndodhi. Gjithçka megjithatë ka ndodhur dhe e ka emrin “axhenda mediatike e opozitës kundër qeverisë”. Një numër denoncimesh video, audio, të shkruara e të thëna, të hedhura në eter nga një listë e paracaktuar zyrtarësh dhe më së shumti nëpër studio televizive. Jo në Parlament, dhe as në nëpër sheshe protestash. Babalja, Alizoti, Xhisiela, sulme ciklike ndaj Taulant Ballës dhe një shi akuzash që nuk duket se ka ndërmend të qetësohet, kjo është taktika që po luan sot Lulzim Basha, në kërkim të shkërmoqjes së imazhit të shumicës dhe të sensibilizimit të një opinioni publik që nuk lëvizi nga vendi as nga Çadra, e as nga lufta “trup me trup” e opozitës në Kuvend.

Kjo strategji mediatike acarimi në distancë e nervave të qeverisë dhe më së pari të shefit të saj, duket se ka prodhuar një panoramë me disa pamje, e cila vlen të analizohet në më shumë se një shkrim. Shkurtimisht ja vlen të thuhet se vala e përgjimeve dhe përgojimit të përditshëm të maxhorancës për fakte e rrethana kriminale, vështirë se është një shteg që të çon tek pushteti. Rama duket politikisht i qetë (përtej shpërthimeve të fundit në disa debate televizive), dhe shifrat e sondazheve të ndryshme që shfaqen aty-këtu japin përshtypjen se palët nuk kanë lëvizur dukshëm nga raporti i fundit shifror i zgjedhjeve të vitit 2017.

Megjithatë axhenda demokrate e sulmeve mediatike duket se ka lëvizur shumë ujë në katet e larta të pozitës. Hiç më pak sesa vetë kryeministrin Edi Rama, i cili prej ditësh ka ndërmarrë një pelegrinazh të vërtetë studiosh, të paraprirë nga një numër nismash të cilat kanë bërë të ndizet një debat i ri paralel i përmasave kombëtare, me atë të Xhisielës e Babales. Lojrat e fatit, të fortët dhe portalet duket se janë përzgjedhur me kujdes si një trekëndësh paraje dhe pushteti, për të provokuar një kthim të fortë të qafës të shikuesit të mesëm shqiptar, nga telenovelat e përgjimeve të PD, tek lista e përpiluar nga kryeministri.

Debatet që shefi i qeverisë ka angazhuar personalisht me analistë e gazetarë në emisionet kryesore televizive, por edhe këmbëngulja për t’i dhënë udhë largimit me ligj të kazinove e basteve nga qytetet shqiptare brenda 1 janarit, apo urdhëresat për regjistrimin e portaleve – duken që të gjitha pjesë e një skeme të mirëmenduar, për të krijuar një axhendë të dytë kombëtare të lajmit dhe debatit publik në Shqipëri.

Politikisht Rama po shfrytëzon fuqinë e tij si kryeministër dhe si debatues publik i fortë, për të avancuar me axhendën e tij mediatike, në dëm të asaj të Bashës. Prej disa ditësh media e madhe dhe e vogël, ajo lokale apo kombëtare, nuk merren më me përgjimet e Alizotit apo deklaratat e Xhisielës, por me fatin e lotove dhe sherret e portaleve. Dy kategori të cilat, duhet thënë, pasqyrojnë një sektor të kaosit dhe rrëmujës e informalitetit që ka pllakosur në Shqipëri, prej kohësh që s’mbahen mend.

Edi Rama nuk bën përjashtim nga raca e politikanit tipik shqiptar. Para se të reflektojë me kujdes për të gjithë pasojat e mundshme të hapit që hedh, ai fikson më së shumti impaktin politik dhe mediatik të asaj që propozon. Rasti klasik janë bastet. Një ekonomi gri, që ka pësuar një degjenerim masiv, me përhapjen pa kontroll gjatë viteve të dekadës së fundit, por që gjithsesi duhet trajtuar me kujdesin që meriton një sektor, ku lëvizin më shumë se 150 milion euro në vit. Vendi që një herë lejon gjithçka, e më pas papritur ndalon gjithçka, është anormal në të dyja gjendjet.

Por kjo për kryeministrin Rama ka pak rëndësi. Për të bastet janë një axhendë që bën zhurmë dhe që së dyti, jep një mbështetje të shpejtë e të pakufizuar publike, nga shqiptarët e lodhur me skedinat e kudondodhura dhe pasojat sociale të tyre. Në afat të mesëm dhe të gjatë, ky është i vetmi aspekt që ka peshë në llogaritë politike të kryeministrit, që duket se ja arriti të spostojë nga ekranet dhe faqet e portaleve fytyrën rrumbullake të Babales apo syzet firmato të Xhisielës, për të instaluar aty axhendën e tij të luftës ndaj basteve dhe të fortëve që vriten rrugëve të Bllokut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button