Ekonomia

Koncesionet e check-up, dializës dhe sterilizimit, Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin

Autoriteti i Konkurrencës, pasi ka hartuar një studim në tregun e shërbimeve spitalore, bazuar në gjetjet e një raporti eksperti eksperti për konkurrencën në Shërbimin Shëndetësor, ka vendosur që të hapë një hetim të Përgjithshëm në Shërbimin Spitalor për një periudhë gati 3 vjeçare, nga janari 2016 deri në 30 shtator 2018.

Në fokus të këtij hetimi rezulton se do të jenë tre koncesionet e dhëna në sistemin e shëndetësisë, ai i check-up dializës dhe sterilizimit, duke parë ndikimin qe kanë sjellë në konkurrencën në treg këto kontrata.

Vendimi për hapjen e hetimit u mor pasi pas vlerësimit të gjetjeve, është e vështirë të konkludohet për konkurrencën në shërbimin shëndetësor në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit dhe eficensës ekonomike pasi çështjet e trajtuara në studim, që lidhen me konkurrencën në sistemin e shëndetësisë, e lidhur me koncesionet në këtë sektor kanë nevojë për një trajtim më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës.

Studimi, sipas raportit të Konkurrencës  u mbështet në gjetjet e raportit të ekspertit “Konkurrenca në Shërbimin Shëndetësor” dhe u fokusua në katër çështjet kryesore:

  1. Konkurrenca në sektorin e shëndetësisë nëpërmjet rritjes së shërbimeve shëndetësore, e cila do të vlerësohej përmes indikatorëve makro të sektorit të shëndetësisë dhe kryesisht në shërbimin spitalor. Informacioni i ardhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishte i mangët duke e bërë të pamundur vlerësimin e treguesve global të zhvillimit të konkurrencës në shërbimin shëndetësor.
  2. Politikat qeverisëse në sigurimin e shërbimit spitalor e fokusuar në konkurrencën mes shërbimit privat dhe shtetëror në drejtim të cilësisë së shërbimit. Elementi kryesor në këtë analizë ishte vlerësimi i koncesioneve apo partneritetit publik/ privat, duke analizuar llojet e shërbimeve të përfshirë në këtë formë shërbimi, efektet ne nivelin e cilësisë si dhe ndikimin qe kane sjelle ne konkurrencën në treg këto kontrata.

Nga analiza e informacionit të depozituar u konstatua se janë lidhur kontrata koncesionare për 3 shërbime; Koncesioni i Check –Up, me objekt “Për kontrollin mjekësor bazë 35-70 vjeç nëpërmjet një seti analizash të miratuara si dhe vizita mjekësorë, Koncesioni “Për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikal steril, furnizimin me materiale mjekësorë steril njëpërdorimshëm në sallat kirurgjikale” dhe Koncesioni i Dializës, me objekt ofrimin e shërbimit të dializës sa më pranë vendbanimit të të sëmurit me insuficience renale kronike.

  1. Në lidhje më çështjen e konkurrencës nëpërmjet sistemeve të referimit dhe ofrimit të shërbimeve u konstatua se Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të  Kujdesit Shëndetësor financon katër paketa shërbimesh; paketën e shërbimit të dializës, paketën e shërbimit te të kardiologjisë, paketat e shërbimit të transplantit të veshkës dhe paketën e shërbimit të implantit koklear.

Përfituesi me i madh i fondeve buxhetore është QSUT dhe Spitali Amerikan. Të dy këta ofrues ofrojnë të njëjtat shërbime, por referuar numrit të rasteve të trajtuara vihet re qartë që Spitali Amerikan është i orientuar drejt shërbimit të dializës, kurse QSUT drejt shërbimeve të kontrollit të zemrës. Shërbimi i transplantit të veshkës është ofruar vetëm nga Spitali Amerikan.

  1. Në lidhje me çështjen e fundit që ka të bëjë me vlerësimin e përqendrimeve të tregut, apo marrëveshjet vertikale dhe horizontalë mes spitaleve privatë, rezulton se Spitali Amerikan është përfituesi i 15% të shoqërisë DiaVita SHPK, shoqëri e kontraktuar në shërbimin e dializës nëpërmjet kontratës së koncesionit. Gjykojmë që pjesa e madhe e tregut në shërbimin e dializës së Spitalit Amerikan mund të jetë e influencuar nga struktura aksionare mes dy shoqërive dhe niveli i ndikimit të kësaj mbivendosje aksionesh kërkon një analizë më të thelluar të kontratës së koncesionit dhe impaktit në treg të saj.

Pas vlerësim të gjetjeve, është e vështirë të konkludohet për konkurrencën në shërbimin shëndetësor në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit dhe eficensës ekonomike pasi çështjet e mësipërme kanë nevojë për një trajtim më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës, thotë Konkurrenca

Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur hapjen e Hetimit të Përgjithshëm në Shërbimin Spitalor.  Hetimi do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2016 deri në 30 shtator 2018.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button