Politika

Ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Elisabetta Trenda në Tiranë, Xhaçka: “Italia është aleat historik i Shqipërisë”

Italia do të vazhdojë mbështetjen për reformat në Shqipëri dhe procesin e integrimit evropian të vendit, deklaroi sot në Tiranë ministrja italiane e Mbrojtjes, Elisabetta Trenta, pas takimit me homologen e saj të Shqipërisë, Olta Xhaçka, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhaçka dhe Trenta në një deklaratë të përbashkët për mediat, pas takimit mes tyre, u ndalën në disa çështje, si në bashkëpunimin mes dy vendeve, mbështetjen e Italisë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian (BE) të Shqipërisë dhe bashkëpunimin rajonal.

Ministrja Xhaçka tha se Italia mbetet një nga partnerët më të ngushtë dhe aleat historik i rrugëtimit të Shqipërisë për integrim në strukturat euroatlantike.

“I konfirmova ministres Trenta vullnetin tonë më të plotë për të vijuar me ritmin që kërkohet për përfaqësimin tonë në operacionet, misionet dhe iniciativat në kuadër të NATO-s. I jemi përgjigjur nevojave të Aleancës, por edhe të aleatëve tanë strategjikë gjithmonë. Vetëm këtë vit kemi dyfishuar trupat tona ushtarake pjesëmarrëse në Resolute Support Mission në Afganistan. Diskutuam se prezenca e ushtarakëve tanë në KFOR Kosovë është shembull korrektësie dhe bashkëpunimi, reflektim i qartë i dëshirës tonë për paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe bashkëjetesë në rajon. Shqipëria dhe shqiptarët do të vijojnë të jenë faktorë stabiliteti dhe promotorë të politikave integruese në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Xhaçka.

Vitin që vjen, tha Xhaçka, Shqipëria do të ketë kryesimin e disa iniciativave rajonale siç janë iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut (A5) dhe Iniciativa e Ministerialit të Mbrojtjes së Evropës Juglindore.

“Shqipëria dhe Italia janë dy aleatë të vyer brenda Aleancës të cilat e konkretizojnë bashkëpunimin e tyre të gjerë edhe në nivel rajonal. Shqipëria mbetet e angazhuar në luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë.

“Mbështetje e palëkundur e Italisë për rrugën evropiane të Shqipërisë”

Ndërsa ministrja italiane deklaroi se gjatë takimit ka shprehur mbështetjen e Italisë për rrugën evropiane të Shqipërisë.

“Falënderoj autoritetet shqiptare për shprehjen e vlerësimit pozitiv mbi rolin e shtetit italian në Shqipëri dhe Ballkan. Kam shprehur mbështetjen e palëkundur të shtetit italian për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe mbështetjen për reformat e nisura në kuadër të negociatave për aderimin e Shqipërisë në BE. Me homologen Xhaçka kemi trajtuar një sërë argumentesh të interesit të përbashkët, që nga forcimi i bashkëpunimit dypalësh, në veçanti në sektorët e edukimit, stërvitjes, mjekësisë ushtarake e deri tek pjesëmarrja në misionet e rëndësishme ushtarake ndërkombëtare”, tha ministrja Trenta. Trenta u shpreh më tej se një tjetër temë me interes të përbashkët që kanë diskutuar ka qenë ajo në lidhje me vëmendjen që NATO po i kushton sfidave në brigjet jugore të Aleancës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button