Bota

NATO-ja nis stërvitjet më të mëdha ushtarake, marrin pjesë mbi 50 mijë ushtarë

Norvegjia do të jetë mikpritësja e stërvitjeve më të mëdha të kryera të enjten nga NATO-ja prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke i rikujtuar Rusisë që aleanca mbetet e bashkuar pavarësisht dyshimeve që ka shpërfaqur në këtë aspekt presidenti amerikan, Donald Trump.

Më shumë se 50,000 ushtarë, 10,000 automjete, 65 anije dhe 250 aeroplanë nga 31 shtete do të jenë pjesë e stërvitjeve ushtarake të titulluara “Trident Juncture”, të cilat kanë për qëllim trajnimin e Aleancës për të mbrojtur vendet anëtare nga agresioni.

“Në vjetët e fundit, ambienti i sigurisë në Evropë është përkeqësuar ndjeshëm”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Norvegji.

“Trident Juncture dërgon mesazh të qartë për kombet tona dhe për ndonjë armik potencial. NATO-ja nuk kërkon përballje mirëpo ne jemi të gatshëm për të mbrojtur të gjithë aleatët tanë kundër çdo kërcënimi”, ka thënë ai para gazetarëve të mërkurën.

Ndonëse “armiku potencial” nuk është identifikuar zyrtarisht, Rusia ka qenë në mendjen e secilit.

Ky shtet, që ndan një kufi prej 198 kilometrave me Norvegjinë në Veri, ka përmendur vazhdimisht në vjetët e fundit fuqinë e saj ushtarake.

Ushtria ruse ka aneksuar Krimenë, ka ndihmuar në destabilizimin e lindjes së Ukrainës, ka rritur kapacitetet ushtarake në Arktik dhe ka kryer stërvitjet ushtarake më të mëdha të realizuara ndonjëherë në muajin shtator.

Stërvitje “antiruse”

Ambasada ruse në Oslo i ka konsideruar stërvitjet e NATO-s “antiruse”.

“Një aktivitet i tillë është provokativ edhe nëse tentoni ta arsyetoni kinse është duke u realizuar për qëllim të pastra të mbrojtjes”, është thënë në deklaratën e kësaj Ambasade.

Përveç tjerash, Moska ka qenë e zemëruar për muaj të tërë për rritjen e prezencës ushtarake të Perëndimit në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë rritur numrin e trupave të tyre në Norvegji për t’i ambientuar me luftime në mot të ftohtë.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, pati dënuar në muajin janar hapat e NATO-s, duke premtuar se Moska do të marrë “masa hakmarrëse”.
“Shtetet kryesore të NATO-s janë duke rritur prezencën e tyre ushtarake në rajon, afër kufirit me Rusinë”, ka thënë ajo.

“Hapa të tillë të papërgjegjshëm ndikojnë në destabilizim të situatës politike në veri dhe rrisin tensionet”, pati thënë ajo.

Mirëpo tensionet veç janë rritur nga dita e shtunë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për tërheqjen e SHBA-së nga Traktati për Armët Bërthamore, që ka nënshkruar me Rusinë më 1987.

Pas këtyre deklaratave, Rusia ka thënë se një vendim i tillë amerikan mund të nxisë “garë të re armësh”.

Mirëpo duke akuzuar Rusinë për shkelje të këtij Pakti, Trump ka kërcënuar me rritje të arsenalit të armëve bërthamore amerikane.

A është i sigurt Artikulli 5?

Pavarësisht shqetësimeve lidhur me përkushtimin e Trumpit në Aleancën veri-atlantike, përkatësisht “Artikullit 5” që përcakton mbrojtje të përbashkët, ushtria amerikane është kontribuuesja më e madhe në stërvitjet e së enjtes, pasi më shumë se 14,000 trupa të saj do të jenë pjesë e organizimit.

“Ne do të kryejmë stërvitje në Novergji, mirëpo natyrisht se mësimet nga to janë të rëndësishme edhe për shtetet tjera”, është shprehur Stoltenberg.

Katër ushtarë amerikanë janë lënduar lehtë të martën, teksa kanë bartur materialin e nevojshëm për stërvitje.

Përveç 29 shteteve të NATO-s pjesë e këtyre stërvitjeve do të jenë edhe fqinjtë e Norvegjisë, Suedia dhe Finlanda.

Për të monitoruar manovrimet e NATO-s, të cilat zgjasin deri më 7 nëntor janë ftuar edhe dy zyrtarë ushtarakë nga Rusia dhe Bjellorusia.

Stoltenberg ndërkaq ka thënë se shpreson që Rusia “të shmangë qasjen e rrezikshme”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button