Politika

Vizita e Netanyahut në Tiranë, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve

“Vizita në Tiranë e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Izraelit, në emër të interesit reciprok si dhe të paqes e të stabilitetit në botë”, deklaron Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, i cili shpreh kënaqësinë e veçantë për këtë vizitë.

“Populli shqiptar i ka dëshmuar në kohëra shumë të vështira ndjenjat e tij miqësore ndaj popullit hebre, duke e renditur veten ndër shembujt e rrallë të atyre që morën në sy rrezikun nazist për të mbrojtur hebrenjtë e përndjekur. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Izraelit dhe ka mbrojtur vazhdimisht ekzistencën e tij si shtet i pavarur”, thekson Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh në këtë rast shpresën se kjo vizitë do të ketë si rezultat të rëndësishëm edhe zhbllokimin e njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga ana e shtetit të Izraelit.

“Pavarësia e Kosovës është pjesë e natyrshme e procesit historik të shpërbërjes së ish – Jugosllavisë dhe është kryer jo vetëm në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës, por edhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare siç është provuar edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit do t’i shërbejë fuqishëm forcimit të ndjenjave miqësore të të gjithë shqiptarëve ndaj popullit hebre”, deklaron Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë inkurajon drejtuesit e lartë të shtetit e të qeverisë tonë që çështjen e njohjes së pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës ta shtrojnë përpara mikut të nderuar me seriozitet, vendosmëri dhe argumente, gjithnjë në frymën e mirëkuptimit, si një çështje e mbetur pezull.

“Njohja zyrtare e Kosovës do të vlerësohej jo vetëm si një hap miqësor nga ana e shtetit të Izraelit ndaj shqiptarëve në mbarë botën, por edhe si një vendim që i shërben paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne presim që Izraeli të ndjekë shembullin e aleatëve të vet të mëdhenj, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB, të cilët e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe zhvillojnë tashmë me të marrëdhënie të ngushta politike, diplomatike, ekonomike e kulturore”, shton Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button