Kronika

Braçe: Sa më parë procesi i dixhitalizimit në RTSH

Kryetari i  Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe ka kërkuar shpejtim të procesit të dixhitalizimit në RTSH, ndërsa zhvilloi një mbledhje informuese në mjediset e Radio-Televizionit Shqiptar lidhur me nevojat buxhetore dhe me investimet e këtij institucioni.

Të pranishëm në takim ishin Thoma Gëllçi -drejtor i Përgjithshëm i RTSH, Martin Leka – zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, si dhe drejtorë të tjerë të TVSH-së.

Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik Shqiptar Thoma Gëllçi  u shpreh se gjatë këtyre dy viteve mbështetja financiare e qeverisë ka qenë në rritje krahasuar me vitet e shkuara, por për shkak të problematikave të shumta, si procesi i dixhitalizimit dhe për shkak të prapambetjes teknologjike të krijuar prej 27 vjetësh, kjo mbështetje buxhetore ka qenë e pamjaftueshme.

Pjesë e diskutimit ishin problemet me stacionet e RTSH, transmetimet analoge dhe dixhitale, projekti i dixhitalizimit të arkivës, apo probleme të tjera që lidhen me infrastrukturën e këtij institucioni.

Kryetari i  Komisionit për Ekonominë dhe Financat Braçe u shpreh se  duhet të ketë një qëndrim të qartë në mbështetje të interesit publik.

“Lehtësitë ligjore, lehtësitë fiskale dhe mbështetja buxhetore që krijohet nga burime të ndryshme, si taksat të përgjithshme apo taksa specifike si ajo e aparatit, i adresohen një transmetuesi publik, që përmbush interesin publik të qytetarëve të këtij vendi. Procesi i dixhitalizimit duhet të mbarojë sa më parë të jetë e mundur në mënyrë të tillë që të ndërpriten të gjitha pagesat që RTSH bën për privatët, për të larguar kështu barrën buxhetore nga RTSH”, tha Braçe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button