Home / Opinion / Letrat e Obamës dhe deliret e Trumpit

Letrat e Obamës dhe deliret e Trumpit

Nga: CHRIS PATTEN

Ndryshe nga ish-presidenti amerikan Barack Obama, i cili lexonte dhe i përgjigjej letrave nga amerikanë të zakonshëm, Donald Trump e ka futur veten në një flluskë vetë-mashtrimi dhe deliresh. Por edhe nëse këshilltarët e tij dhe Fox News nuk i tregojnë atij të vërtetat e ashpra, votuesit afatmesëm të SHBA-së ende mund ta bëjnë këtë.

Kur ka qenë herë e fundit që je ulur dhe ke shkruar letër? Nuk e kam fjalën për ndonjë email apo mesazh. Nuk do të llogarisja as një mesazh që i dikton një makinerie apo një asistenteje personale. Jo, e kam fjalën për një letër të stilit të vjetër te tipit “I dashur Donald” ose “E dashur Hillary”.

Arsyeja pse e bëj këtë pyetje është se 65,000 njerëz i shkruan letra të tilla Barak Obamës çdo javë kur ai shërbente si president i Shteteve të Bashkuara. Sipas një reportazhi të kohëve të fundit në The Guardian, një ekip i stafit të Shtëpisë së Bardhë do të përzgjidhte dhjetë letra çdo ditë për t’ia kaluar presidentit, i cili më pas do t’u përgjigjej atyre personalisht atë mbrëmje.

A ishte ky ritual mbrëmjeje një humbje kohe për udhëheqësin më të fuqishëm në botë? Dikush mund të mendojë se Obama do të kishte bërë më mirë të lexonte broshurat e politikave mbi Sirinë ose për zbatimin e reformës së kujdesit shëndetësor. Pa dyshim, ai i lexoi edhe ato. Por dyshoj se ai e kuptoi vlerën e një takimi të përditshëm me votuesit. Rituali i tij ishte një zgjidhje e pjesshme për një problem themelor që hasin të gjithë liderët politikë: të mbajnë kontakt me botën reale.

Tani merrni si shembull Donald Trumpin. Me disa përjashtime të ndershme siç është Sekretari i Mbrojtjes James Mattis, Trump është i rrethuar nga njerëz që i thonë atij se bota është ashtu siç ai beson se është, në vend që t’i tregojnë se si është ajo në të vërtetë. Sepse sahanlëpirësit e oborrit të Trumpit, konfirmojnë bindshëm së zhgënjimet e presidentit janë de rigueur. E njëjta gjë vlen edhe për ata në Fox News, të cilët në mënyrë rutinë i tregojnë publikut të tyre saktësisht atë që Trump dëshiron të dëgjojë.
Natyrisht, edhe liderët që janë më shumë si Obama sesa si Trumpi luftojnë për të mësuar gjithçka që po ndodh. Në mënyrë ideale, krerët e shteteve do të kenë grupe të punonjësish publik të përkushtuar për të garantuar që vendimet politike të bëhen me një kuptim të plotë të kontekstit dhe pasojave të tyre. Në një demokraci, liderët mund dhe shpesh duhet të ndjekin kurse veprimi që përfshijnë ndonjë rrezik. Por ata duhet ta bëjnë këtë vetëm pasi të kenë shqyrtuar të gjitha faktet.

Një problem tjetër është se sa më gjatë janë në pushtet liderët, aq më pak u pëlqen t’u thonë se gabohen. Jetëgjatësia politike ushqen lajkatime. Unë personalisht e pashë këtë me ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher, e cila i lexonte përmbledhjet e politikave të saj dhe e njihte mirë shumicën e çështjeve. Thatcher ishte më i suksesshme kur lejoi që instinktet e saj të sfidoheshin. Por sa më gjatë që ajo rrinte në post, aq më shumë mendonte se ajo i dinte më mirë gjërat.

Përfundimisht, izolimi epistemologjik i Thatcherit do ta varroste atë. Ajo zakonisht dinte t’i zotëronte mirë çështjet që kishin të bënin me standardin e jetesës; dhe megjithatë ajo nuk arriti të kuptonte ndikimin që një taksë e re për kokë do të kishte mbi buxhetet e familjes. Si përfundim, kjo – dhe jo një debat i lartë rreth vendit të Britanisë në Europë, siç sugjerohet shpesh – ishte ajo që e fundosi atë.

Për më tepër, të drejtosh kërkesat e llogaridhënies parlamentare nuk është njësoj si të angazhohesh me votuesit. Dikush mund të zotërojë të gjitha trukimet politike të tregtisë për t’i mbijetuar debateve parlamentare ose marrjeve në pyetje nga komitetet. Dhe nëse jeni ministër, duhet të dini më shumë rreth fushës tuaj sesa çdo bashkëbisedues i mundshëm. Sfida e vërtetë vjen kur takoni zgjedhësit tuaj.

Sistemi elektoral zgjedhor britanik të paktën krijon një lidhje pak a shumë të drejtpërdrejtë midis deputetëve dhe njerëzve që votojnë për ata. Çdo deputet përfaqëson një qytet të veçantë, periferi, apo fshat  dhe shumica kthehen atje çdo javë për të dëgjuar votuesit dhe për të mbajtur seanca të njohura si operacione në zonat zgjedhore. Në këto raste, njerëzit zakonisht vijnë për të diskutuar problemet e strehimit, përfitimet e sigurimeve shoqërore, ose shkollimin; ose ata duan thjesht të ankohen për ndonjë polemikë kombëtare.

Si ish-deputet, mbaj mend kohët kur e kisha bindur lehtë parlamentin se kisha të drejtë për një vendim politik, vetëm për të mësuar nëpërmjet takimeve ballë përballë me votuesit e mi se nuk isha dhe aq i zgjuar sa mendoja se isha. Kur dikush fillon të qajë duke u përpjekur të shpjegojë ndikimin që ka pasur vendimi juaj në jetën e tyre, zakonisht e mendon dy herë këtë çështje.

Obama nuk kishte nevojë për grupe fokusi që t’i thoshin atij se amerikanët e zakonshëm po mundoheshin shumë për të paguar faturat e tyre mjekësore dhe se po u mohohej trajtimi mjekësor për shkak të kushteve paraprake. Ai e dinte këtë nga leximi i letrave të tyre, disa prej të cilave ai i kishte vendosur në kornizë dhe i kishte varur në mur.

Me të drejtë kujdesi shëndetësor është një çështje kaq e madhe në zgjedhjet afatmesme të SHBA këtë vit. Ndoshta rezultatet do t’i dërgojnë një mesazh Trumpit. Në vend të një letre, atij mund t’i dorëzohen një sërë humbjesh republikane në Kongres. Nëse kjo do të ishte ndopak ngushëlluese, ai mund të mësojë rreth tyre në Fox News, ku asgjë nuk ndodh kurrë për faj të tij.

Leave a Reply

%d bloggers like this: