Ekonomia

Terminali i ri doganor në pikën kufitare me Malin e Zi

“Bashkëpunimi rajonal i cili mbështetet edhe nga programet ndërkufitare të Bashkimit Europian, ka një rëndësi të veçantë së pari, sepse përmes këtyre programeve, krijohet një mundësi për bashkëpunimin ekonomik përtej mundësive që i lejojnë buxhetet respektive vendeve kufitare”, deklaroi sot ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Europian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e vitit 2016”.

Bushati tha se “në rastin e bashkëpunimit me Malin e Zi ka një aspekt disi të veçantë për shkak të faktit që të dy vendet tona janë anëtare të NATO-s dhe aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Europian, duke qenë dhe vende kandidate”.

Ky lloj bashkëpunimi, theksoi Bushati, “është dhe konfirmimi konstant i politikës sonë të Jashtme për një dinamizim të marrëdhënieve me fqinjët”.

Në kontekstin kombëtar, shtoi Bushati, “ky program merr një rëndësi të posaçme për shkak sepse synon të korrigjojë defiçencat, në kuptimin e zhvillimit ekonomik të fjalës që përgjithësisht ne i kemi në rajonin e Veriut dhe në rajonin e Verilindjes, dhe kësisoj, përmes aplikimit të këtyre projekteve synohet që të kemi një ndërlidhje më të mirë mes zonave ndërkufitare siç ishte dhe rasti i Kosovës”.

Bushati theksoi se, “bëhet fjalë për alokimet e vitit 2016, që janë pjesë e ciklit 7-vjeçar buxhetor të BE-së, me të njëjtën filozofi e logjikë dhe në rastin në fjalë, nga momenti i alokimeve, tek disbursimet dhe zbatimi i projekteve, ka një afat 3-vjeçar që përcaktohet në përputhje me rregulloren e Bashkimit Europian.

Bëhet fjalë për alokime rreth 1.7 milionë euro, duke përfshirë dhe bashkëfinancimet që japin qeveritë e dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Flasim për 2 milionë euro dhe kjo është arsyeja pse ky grant vjen për t’u miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë në total bëhet fjalë për rreth 11 milionë e 900 mijë euro, pra, rreth 12 milionë, i cili është një fond i hapur për aplikantë dhe funksionon mbi bazën e projekteve ku aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë duhet të sjellin projekte të cilat miratohen për zona që preken nga ky program, siç janë qarku i Shkodrës, i Lezhës, bashkia e Tropojës. Ndërsa për Malin e Zi janë një pjesë gjithashtu e rëndësishme e komunave dhe një pjesë e këtyre komunave siç e thashë dhe në fjalën për pikën e kalimit doganor (kufitar) në Zogaj, janë të populluara nga shqiptarë”.

E rëndësishme, vijoi ai, “gjithashtu është që në këtë projekt të bashkëpunimit me Malin e Zi, ne kemi një qasje të integruar që për herë të parë është trupëzuar dhe në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u zhvillua në Shkodër në 3 korrik të këtij viti, ku energjitë që burojnë kryesisht nga projektet kombëtare, kombinohen me projektet e karakterit rajonal, apo ndërkufitar. Dhe pikërisht 2016 dhe alokimet e 2016-tës do të funksionojnë mbi bazën e disa projekteve të cilat, gjerësisht konsiderohen si projekte të suksesshme. E kam fjalën për rikonstruksionin e pikës së kalimit të Hanit të Hotit dhe ky është një program i financuar pikërisht nga bashkëpunimi ndërkufitar, nga fondet ndërkufitare, plus fondet IPA kombëtare dhe rikonstruksioni, është një proces i cili përveçse do i ndryshojë faqen komplet pikës së kalimit doganor, shoqërohet edhe me zgjerimin e rrugës dhe mbi të gjitha dhe me terminalin e ri doganor”.

Së dyti, shtoi Bushati, “me vendosjen e shenjave të demarkacionit në liqenin e Shkodrës. Këto ditë dhe këto kohë që flitet gjithnjë e më tepër për procese të vështira të demarkacionit, ne shpresojmë që ky projekt dhe zbatimi i këtij projekti t’i shërbejë sadopak dhe paqëtimit mes fqinjëve dhe të shërbejë si pikë referimi për raste të ngjashme”.

Së treti, tha ai, “për pikën e kalimit kufitar që është ndërtuar në Grabovë dhe komplet infrastrukturën që lidh Malin e Zi me Shqipërinë, e cila kalon përgjatë lumit Cem, një lumë i rëndësishëm, pjesë e bjeshkëve tona në Malësinë e Madhe, pavarësisht se pak përmendet në retorikën tonë. Të gjitha këto projekte ne synojmë që t’i fuqizojmë përmes fokusit të qartë që kanë projektet e bashkëpunimit ndërkufitar, kryesisht në çështjet e turizmit, të ndërlidhjes infrastrukturore, në çështjet e komunikimit dhe kërkoj vëmendjen dhe në të njëjtën kohë mbështetjen e kolegëve të nderuar deputetë që është në interesin strategjik të Shqipërisë që të jetë sa më aktive në këto procese, duke qenë se vendi ynë ka një specifikë që përgjithësisht në zonat ndërkufitare, ne rrethohemi po me shqiptarë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button