Politika

BSH, i vetmi institucion që rrezaton qëndrueshmëri konstante

“Banka e Shqipërisë është i vetmi institucion që nuk është anatemuar nga partitë politike duke u dëshmuar si një qendër e rëndësishme dhe e pakontestueshme graviteti”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë, me temë “Politika monetare, integrimi ekonomik dhe normaliteti i ri”.

Kryeministri theksoi se “BSH është ndoshta i vetmi institucion që rrezaton një qëndrueshmëri konstante në të gjithë periudhën e ekzistencës së vetë, pas rënies së komunizmit”.

“Nëse nuk i kam bërë gabim llogaritë, BSH është i vetmi institucion në këtë vend që nuk është anatemuar nga njëra palë për llogari të kacafytjes me palën tjetër politike. Kjo mjafton për ta përcaktuar BSH si një qendër të rëndësishme dhe të pakontestueshme graviteti që padiskutim është meritë e ekipit të drejtimit, bordit dhe guvernatorëve njëri pas tjetrit”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “është një trashëgimi shumë e çmuar që ne jo vetëm nuk kemi luksin ta vëmë në pikëpyetje, por sa herë na kërkohet, kemi detyrimin ta mbrojmë dhe ndihmojmë të pasurohet më tutje si e tillë”.

Për të ilustruar rolin e Bankave Qendrore në realitetin e sotëm, Kryeministri Rama u rikthye në periudhën e 50 viteve më parë kur “BE sapo kishte dalë nga pelenat dhe duhej ende të provonte rezultatet e shkëlqyera të gjysmë shekullit që pasoi”.

Ai solli në vëmendje deklaratën e atëhershme të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Suedisë, i cili parashikonte që roli i bankave do të ndryshonte ndër vite, duke mos qenë vetëm garantues i politikës monetare dhe komerdarja e fundit e shpëtimit përballë krizave, por do të bëheshin gjithmonë e më përcaktuese në ekuilibrat globalë.

Kjo, tha Rama, nuk është kurrë më e vërtetë se sa në ditët e sotme, kur politikat monetare i kanë kapërcyer kufijtë ndërkombëtarë dhe janë më shumë se asnjëherë më parë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën.

“Sot kur në Shqipëri ngrihet pyetja e integrimit europian me tërësinë e kushteve që duhen përmbushur dhe kushteve të reja, Banka Qendrore është përballë nevojës për t’i dhënë një përgjigje adekuate nga ana e vetë kësaj pyetje, në dukje të thjeshtë, por shumë komplekse në të gjithë përbërësit e sfidës së integrimit”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë dhe punën e lavdërueshme në vijimësi për të përballuar pasojat në momente të caktuara dramatike.

Padiskutim, tha ai, që BSH ka pasur një rol jashtëzakonisht pozitiv edhe në përballjen me periudhën pas krizës duke qenë në vijimësi një pikë referimi për të gjithë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button