Bota

Trump: në kufirin SHBA-Meksikë mund të çohen rreth 15 mijë trupa

Presidenti Donald Trump thotë se në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën mund të çohen deri në 15 mijë trupa amerikane, për të ndalur karvanin e imigrantëve nga Amerika Qendrore, shumë prej të cilëve kërkojnë strehim në SHBA.

“Ata janë një grup njerëzish të rrezikshëm”- tha presidenti, pasi i pati quajtur më parë imigrantët “hajdutë të këqinj dhe anëtarë bandash.”

Por një grua nga El Salvadori, e cila bën pjesë në grupin e imigrantëve që po udhëtojnë drejt veriut, tha se do që zoti Trump ta dijë se ajo dhe të tjerët nuk janë “kriminelë”.

Në kërkim të punës

“Ne nuk po shkojmë të vjedhim, apo t’i bëjmë keq njeriu. Ne duam të punojmë me duart dhe djersën tonë, për të fituar pak para. I lutemi zotit që të arrijmë në SHBA dhe të gjejmë atje punë”, – tha ajo.

Shifra e 15,000 vetëve që dha Presidenti është shumë më e madhe se rreth 5 mijë e 200 ushtarëve aktivë që Pentagoni po çon në kufi, krahas me 2 mijë e 100 anëtarë të Rojes Kombëtare, që tashmë ndodhen në kufi. Departamenti amerikan i Mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se rreth 2 mijë trupa shtesë do të jetë në gjendje gatishmërie, për t’u ardhur në ndihmë trupave aktive në kufi.

Kjo do ta çonte numrin e përgjithshëm të trupave të vendosura në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, në më tepër se numri i amerikanëve që luftojnë me grupet kundër terrorizmit në Irak dhe në Siri. Në Afganistan ndodhen rreth 14 mijë trupa amerikane.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis, duke folur në një konferencë shtypi me gazetarë në Pentagon, mohoi se dislokimi i trupave aktive në kufi është një manovër, që synon t’i ndihmojë republikanët për zgjedhjet e javës së ardhshme për në Kongres.

“Ne nuk merremi me manovra të tilla në Departamentin tonë”- tha Mattis. “Mbështetja që i japim Sekretarit të Sigurisë Kombëtare është praktike, e bazuar tek kërkesa e komisionerit të doganave dhe policisë kufitare.”

Edhe Presidenti mohoi që komentet e tij për imigracionin synojnë të nxisin frikë, ndërsa republikanët përballen me mundësinë e humbjes së kontrollit të Kongresit ndaj demokratëve.

Trupat amerikane të caktuara me detyrën për të ndihmuar për sigurinë kufitare ndalohen me ligj që të angazhohen në veprime të zbatimit të ligjit brenda vendit, siç është arrestimi i imigrantëve që kalojnë kufirin.

Zyrtarët e mbrojtjes i thanë Zërit të Amerikës, se personeli ushtarak do t’i ndihmojë agjentët e patrullës kufitare, për ngritjen e gardheve me tela me gjemba dhe ndërtimin e strehimeve të përkohëshme për agjentët kufitarë, kur të jetë e nevojshme.

Një zyrtar i Pentagonit tha se disa nga trupat mund të jenë armatosur, bazuar tek vendi ku ata do të çohen në kufi dhe puna me të cilën ata do të ngarkohen.

Karvani kryesor i imigrantëve të varfër nga Amerika Qendrore ende ndodhet në Meksikë, më tepër se 1 mijë e 600 kilometra larg Shteteve të Bashkuara. Atyre do t’u duheshin disa javë që të arrinin në kufirin SHBA-Meksikë.

Të mërkurën, Presidenti Trump tha në një tweet, se në mesin e karvanit ndodhen edhe disa “luftëtarë të egër”, që “janë përleshur me forcë” me policinë meksikane.

Ai i referohej disa njoftimeve të dielën, se një grup imigrantësh kapërcyen me forcë kufirin mes Guatemalës dhe Meksikës dhe u përleshën me policinë. Një numër policësh u plagosën dhe një imigrant u vra në këtë përplasje, por nuk janë të qarta detajet.

Zoti Trump po ashtu ka kritikuar Meksikën, duke thënë se ushtarët meksikanë “ishin të paaftë, ose nuk donin t’i ndalnin” imigrantët. Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, i tha televizionit told Fox News, se Meksika “ka marrë masa të jashtëzakonshme”, duke i ndaluar makinat dhe duke i detyruar imigrantët të ecin më këmbë, gjë që ka ngadalësuar avancimin e tyre.

Aktualisht janë katër karvane të ndryshme që janë nisur drejt kufirit të Shteteve të Bashkuara: grupi i parë, që u nis nga San Pedro Sula e Hondurasit, më tepër se dy javë më parë; karvani i dytë, që u nis nga Guatemala për në Meksikë këtë javë dhe dy karvane të reja që sapo janë nisur nga El Salvadori.

“Ne jemi njerëz që punojmë shumë dhe në se imigrojmë në SHBA, duam të trajtohemi si qenie njerëzore”, – tha një anëtar i grupit të nisur nga El Salvadori.

Gjithsej, numri i imigrantëve që janë nisur drejt kufirit të Shteteve të Bashkuara është më tepër se 7 mijë vetë, me shpresën që t’i shpëtojnë dhunës dhe në kërkim të mundësive, të cilat nuk i kanë në vendin e tyre.

Por Presidenti Trump thotë se kufiri i Shteteve të Bashkuara është “i shenjtë” dhe e përsëriti thirrjen e tij të mërkurën, se cilido që do të imigrojë në Shtetet e Bashkuara, duhet ta bëjë këtë në mënyrë të ligjshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button