Bota

Angela Merkeli hapi rrugën për epokën pas saj

Vendimi i Angela Merkelit për t’u tërhequr nga drejtimi i CDU-së u ishte hap dinjitoz. Ajo do të qendrojë kancelare, por tek CDU ka nisur një garë e ethshme për kryesimin e partisë. Po Evropa, si do ta ndjejë këtë?

Argumentat për tërheqjen

Dinjitet, përgjegjësi, kulturë e punës, më e mira për vendin. Këto fjalë të mbeten në mendje nga deklarata e bujshme e kancelares Merkel, për të mos kandiduar më në dhjetor si kryetare e kristjandemokratëve gjermanë. Ajo u dha të drejtë të pakënaqurve me figurën që bën qeveria federale: e quajti të papranueshme pamjen që përcjell qeveria në popull. Kjo në një kohë kur rezultatet e punës nuk mungojnë.

Kam ndjesinë se është koha për të hapur një kapitull të ri, u tha ajo të pranishmëve në konferencën e shtypit, të parën të mbajtur pas zgjedhjeve në Hessen. Politika nuk mund të vazhdojë njësoj, pas rezultateve të dobëta të partive qeveritare në Bavari dhe Hessen. Prandaj Merkeli hap rrugën. Ajo thotë shprehimisht se CDU-ja mund të përgatitet në dhjetor për kohën pas saj, me drejtues të rinj dhe program të ri.

Berlin Merkel-Pressekonferenz nach Hessen-Wahl (Getty Images/AFP/T. Schwarz)

Kancelare ajo dëshiron të qendrojë deri në fund të mandatit, në vitin 2021. Por thotë se nuk e ka “harruar që nuk ka lindur kancelare”. Një veprim pa precedent ky hap i Angela Merkelit, edhe në historinë e Gjermanisë. Ajo thotë se është e ndërgjegjshme për këtë, por ai sjell më shumë shanse se rreziqe.

CDU-ja do të hapë një fletë të re: 18 vjet pasi politikanja me origjinë nga lindja e Gjermanisë mori drejtimin e partisë së Helmut Kohlit, që i kishte drejtuar konservatorët 25 vjet me radhë.

Po kancelare, a do të qëndrojë Merkeli?

Në konferencën e shtypit Angela Merkeli tha se ndarja e postit të kryetarit të partisë nga ai i kancelarit është e mundur, edhe për CDU-në. Sepse është e përkohshme. Ajo nuk do të rikandidojë më si kancelare, as si deputete pas këtij mandati. Merkeli ndërpret me ndërgjegje një traditë të CDU-së, ku postet e kancelarit dhe të kryetarit të partisë i ka ushtruar një person. Por me këtë, ajo nuk i lë ngjarjet ta vënë përpara.

Erozioni i besimit për CDU-në në popull u kishte dhënë më parë forcë kritikëve të politikës së saj: Volker Kauder, i besuar i kancelares dhe prej 13 vjetësh në krye të Grupit Parlamentar CDU/CSU, papritur nuk u rizgjodh në post. Spekulimet se kjo mund t’i ndodhte edhe Merkelit në kongresin e partisë mbeten spekulime, aq më tepër kur te CDU-ja posti i kryetarit është i lidhur me atë të kancelarit.

18 vjet më parë: Angela Merkel zgjidhet kryetare e CDU-së (10.04.2000)18 vjet më parë: Angela Merkel zgjidhet kryetare e CDU-së (10.04.2000)

Përsa i përket pozicionit në sistemin politik, një kancelar në Gjermani ka pozitë të fortë. Kushtetuta gjermane përcakton që kancelarin nuk mund ta largojnë dot kundërshtarët, nëse parlamenti nuk mbledh dot një shumicë për një kancelare të re. Dhe kjo duket e pamundur për momentin. Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble, i tha DW se CDU-ja është e vendosur të mos e lërë tani kancelaren të duket e dobët, lame duck, si i thonë amerikanët.

Kandidatët për postin e kryetarit të CDU-së

Për Gjermaninë ka nisur periudha, kur shikohet për kohën pas kancelares, siç e dëshiron edhe ajo. Në këtë kuadër, me shpejtësi pas deklaratës së Merkelit, paraqitën kandidaturën për kryetarë partie tre kandidatë: Annegret Kramp Karrenbauer, sekretare e përgjithshme e CDU-së, e preferuara e kancelares. Ministri i shëndetësisë, Jens Spahn, i njohur më parë si kritik i kancelares. Ai është përplasur me të për temën e migrantëve dhe ka kundërshtuar më parë nënshtetësinë e dyfishtë.  Dhe Friedrich Merz, ish-kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU – por prej dhjetë vjetësh sipërmarrës ekonomik. Ai u largua pasi kundërshtoi zhvendosjen e CDU-së drejt qendrës, nga Merkeli.

Annegret Kramp-Karrenbauer Annegret Kramp-Karrenbauer

Faktorë me ndikim për kancelaren

Në tre vitet e ardhshme mund të dalin shumë faktorë. Më të afërmit në kohë: Në 2019-ën, veç zgjedhjeve evropiane, janë zgjedhjet rajonale. Në katër lande të Gjermanisë: në Bremen, në Brandenburg, në Saksoni dhe në Tyringi. Në këto lande lindore, vjet hyri në parlamente partia populiste AfD, me refuzimin e qartë të migrantëve. Po u forcua më AfD-ja, përgjegjësia do të kërkohet sërish në qeverinë federale.

Faktor tjetër janë socialdemokratët në qeveri. Ata nuk duan të dalin nga qeveria, sepse SPD ka rënë shumë në elektorat. Dhe do ta shfrytëzonin shansin rivalët. Të Gjelbrit gjithsesi po forcohen, edhe në kurriz të SPD. Por po u detyruan socialdemokratët të dalin nga qeveria, nga presioni i bazës, priten zgjedhje të reja. Dhe Merkeli deklaroi se në një rast të tillë nuk kandidon më.

Një faktor i tretë është edhe se kush do të zgjidhet kryetar i CDU-së në dhjetor. Me zonjën Kramp-Karrenbauer kancelarja kuptohet shumë mirë. Në postin që ka atë e solli vetë Merkeli, pas suksesit të bujshëm të AKK (siç i thonë në parti) si kryeministre e Landit të Zarës.

Friedrich MerzFriedrich Merz

Më pak do të kuptohej me ministrin e Shëndetësisë, Jens Spahn. Spahn konsiderohet talent politik. Pas hyrjes në qeveri, nuk u dëgjuan më kritika publike të tij ndaj Merkelit. Vëzhgues të ndryshëm thonë megjithatë se atij i duhet ende kohë për të fituar aftësi për postin e kryetarit të CDU-së.

I vështirë shihet një bashkëpunim me Friedrih Merz-in. Pas largimit nga drejtimi i grupit parlamentar, Merz-i bëri karrierë të suksesshme në ekonomi, në bordin e koncerneve të mëdha. Pozicionimi i tij ideologjik do ta kthente CDU-në në fillimet e saj: më pranë krahut liberal dhe konservator ekonomik. Vëzhguesit thonë se synimi i tij është posti i kancelarit. Por ai do të ishte i papranueshëm për SPD-në dhe do të pasonin zgjedhje të reja.

Klima politike dhe ndaj kancelares

Jens SpahnJens Spahn

Ka vazhduar rënia e mbështetjes për partitë e mesit, të qendrës. Nga 53,4 përqind që kishin ato në zgjedhjet vjet, tani diskutohet nëse CDU/CSU dhe SPD e kanë apo jo shumicën për qeverisje. Por ekstremizmi, mbështetja për partitë e skajit të majtë dhe të djathtë është te 20 përqindshi. Ende nën kontroll.

Tërheqja e pjessshme e Merkelit pritet të ketë edhe psikologjikisht efekt pozitiv. Tek ata që e bëjnë kancelaren përgjegjëse për çdo pakënaqësi në jetën e tyre. Në radhë të parë te ata që bezdisen nga migrantët, për praninë e të cilëve në Gjermani akuzojnë hapjen e dyerve nga kancelarja. Dhe që ndiheshin të provokuar edhe vetëm nga shprehja e Merkelit “Do t’ia dalim mbanë”.

Në radhët e politikës gjermane, në pjesën dërrmuese tërheqja e ardhshme e kancelares nga posti i kryetares së partisë u vlerësua si hap dinjitoz. U shpreh më tej keqardhje, edhe nga njerëz të medieve. Së shpejti, me tërheqjen e Merkelit mund të marrë fund edhe mënyra si i trajton ajo gazetarët: me modesti, me respekt dhe e përqendruar në fakte. Vlera të rralla sot, kujtoi një gazetare.

Samiti i Ballkanit Perëndimor, Berlin 2014Samiti i Ballkanit Perëndimor, Berlin 2014

Evropa dhe Ballkani pas vendimit të Merkelit

Gjermania hyn tani në një periudhë tranzicioni politik. Mundësitë janë që përsa i përket Evropës, roli stabilizues dhe vendimtar i Gjermanisë të vazhdojë njësoj. Kjo ka rëndësi, pasi pa miratimin e Gjermanisë ose angazhimin e plotë të saj në procese, pak gjëra lëvizin në Evropë. Merkeli do të qëndrojë në postin ekzekutiv, vendimmarrës të kancelares.

Por tërheqja nga drejtimi i CDU-së i shtyn analistët të nisin që tani bilancet. Të kujtojnë p.sh. sa i fortë dhe stabilizues ka qenë ndikimi i Angela Merkelit për Evropën: në krizën financiare; në kohën e dobësisë së Francës, kur Britania e Madhe kishte (dhe ka) probleme, kur situata në Itali është e paqartë etj.

Angela Merkeli e ka mbështetur personalisht zgjerimin e Bashkimit Evropian me anëtarë të rinj, në këtë kuadër dhe me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me iniciativën e saj nisi Procesi i Berlinit, dhe pas tij Berlin Plus, seria e programeve dhe iniciativave për investime ekonomike, që afrojnë Ballkanin me BE. E paqartë nëse dikush tjetër do të tregojë të njëjtin përkushtim personal. Gjithsesi, Evropa funksionon edhe në bazë të proceseve të nisura. Gjermania do të jetë njësoj pjesë e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button