Home / Politika / Mosdekretimi i Lleshit krisje kushtetuese, gati të dëgjojmë Metën në Kuvend

Mosdekretimi i Lleshit krisje kushtetuese, gati të dëgjojmë Metën në Kuvend

“Krisja që ka shkaktuar mosdekretimi i Gjeneral Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm nuk është as personale dhe as politike, por kushtetuese”, deklaroi sot në Kuvend, kryeministri Edi Rama.

Duke e përshëndetur dekretin e Presidentit për Kreun e ri të SHISH, Helidon Bendo, Rama kërkoi që ai të fillojë reformimin e thellë të atij institucioni kyç për sigurinë tonë kombëtare.

“Dhe ky lajm i parë i mëngjesit të sotëm ma përforcoi shijen e mirë të takimit që pata me Presidentin nga ku  dola me ndjesinë pozitive të nevojës reciproke për mirëkuptim dhe për një zgjidhje konstruktive, edhe pse është e qartë që nuk ishim aspak në një mëndje dhe nuk jemi lidhur me arsyen e mosarsyes të mosdekretimit të ministrit të Brendshëm”, deklaroi Rama në seancën e  sotme plenare.

Por vijoi, Kreu i Ekzekutivit, kjo kohë dhe ky vend imponojnë përqendrim te rrugëdalja nga situata e paprecedentë që është krijuar prej refuzimit të paprecedentë  prej Presidentit të Republikës për të refuzuar dekretimin e një ministri.

“Ky është një moment delikat pasi është vënë në pikëpyetje një ekuilibër i  rëndësishëm institucional i vendit”, deklaroi Rama.

“Uroj me gjithë zemër që e gjithë kjo të mos bëhet me ndonjë qëllim që shkon përtej dekretit për Gjeneral Sandër Lleshin. Këtë ia thash edhe Presidentit shumë sinqerisht por koha mos e sjelltë që të më duhet ta ndaj me shqiptarët që pse po e bëj këtë urim sot. Por e dinë shumë mirë që të gjithë që Shqipëria ka parë shumë shumë më keq se sa kaq. Shqipëria ka parë kryeministra që talleshin me Presidentin, apo i thonin Presidentit ‘horr bulevardi’,  apo që betoheshin me mustaqe dhe shërbenin të rruar”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se Gjeneral Sandër Lleshaj, si asnjë paraardhës i tij, disponon certifikatën më të lartë të sigurisë së NATO-s. “Por ne nuk kemi qenë asnjëherë si ata që i detyruam të largoheshin nga pushteti para 5 vjetësh dhe as si ata që i detyruam të largoheshin nga koalicioni para një viti, dhe as s’jemi ne dot që krisjet i kthejmë në thyerje”, nënvizoi Rama.

“Krisja nuk është personale, as politike, por Kushtetuese dhe ne jemi këtu mishërim i vullnetit popullit sovran mes dy raundeve zgjedhore dhe do bëjmë çmos në radhë të parë për ta ngjitur. Uroj që Presidenti të gjejë dëshirën dhe durimin për të mos e çuar krisjen në thyerje, që sigurisht nuk do të jetë fundi i botës, por patjetër që në të mirën e vendeve dhe të gjithëve bashkë, ta shmangim. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të ishte në ndërtim nuk do të ishim para kësaj vështirësie, por fakti që mungon dhe punohet ditën dhe natën për ta bllokuar reformën në drejtësi, nuk do të ishim përpara kësaj vështirësie që aq sa është artificial  është edhe serioze. Por fakti që mungon Gjykata, por fakti që punohet ditën dhe natën për ta bllokuar reformën në drejtësi, nuk është  mungesë e pakapërcyeshme për ne”, deklaroi kryeministri.

Ai shto se ne duhet vetëm të kemi dëshirën për mirëkuptim dhe e kemi.

“Durimin për t’i dhënë zgjidhjen në radhë të parë me mirëkuptim, dhe e kemi. Vendosmërinë për të arritur qëllimin është faza e rezistencës, mbrojtja e Kushtetutës, dhe e kemi”, deklaroi Rama.

“Nëse Presidentit nuk do t’i mungojë njëra nga këto të tre, dëshira për mirëkuptim, kjo krisje zhduket në pak kohë. Ne do i bëjmë hyzmetin këtij procesi dhe do të vijojmë që të komunikojmë me Presidentin në ditët në vijim”, u shpreh Rama.

“Kam një ndjesë, presidentin në radhë të parë, është sajesë mediatike që përmes një gazetari në një klub mbrëmë shefi i kabinetit të presidentit ka hedhur dorashkën për t’iu drejtuar Kuvendit apo grupit për të rrëfyer arsyen e vërtetë të mos dekretimit, që mos qoftë ajo që unë ende nuk e besoj që ma kanë dëgjuar veshët në takimin me të, madje jam gati që të pranoj që kam unë probleme me veshët, përpara se të pranoj se ma ka thënë Presidenti i Republikës mua atë arsye, që në vendin ku unë jetoj me ëndërra dhe kujtimet e mia, mirë se të vijë  zoti President dhe të na rrëfejë me dyer të mbyllura apo të hapura, gjithçka që e ka mbajtur për brenda me shumë gjasë nuk arriti të ma thotë do as mua në sy”, tha Rama.

”Por larg qoftë ajo që më ka thënë mua, çdo gjë e  pranoj, por jo një president qesharak të vendit tim”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se “sot le të votojmë shkarkimin e Fatmir Xhafes, të cilin unë e falënderoj edhe një herë për kontributin që dha. Më pas, do të vendosim në qeveri ministrin e brendshëm të refuzuar nga Presidenti për dekretim, natyrisht në drejtimin e ministrisë së brendshme si zv/ministër dhe do t’i japim ca ditë kohë, jo vetëm Presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë, por dhe vetes për të hedhur hapin tjetër”.

“Dua ta mbyll fjalën time para jush, duke ju falënderuar ju dhe të gjithë ata të njohur dhe të panjohur që brenda vendit dhe jashtë vendit, përmes mesazheve të panumërta dhe të një lumi të pafundmë komentesh në rrjetet sociale, e kanë shprehur me një forcë të madhe mbështetjen për gjeneralin, që nga sot do të drejtojë punët e brendshme të Shqipërisë. Kam shumë besim se jo vetëm nuk do të zhgënjejë askënd në punën e tij, por dhe do të japë një shtysë të fortë dhe të domosdoshme përpara, punëve të brendshme. 7 ditët e pamjaftueshme që Presidenti mori për të krijuar bindjen e tij, mua më tepruan për të konsoliduar më tej bindjen time se gjeneral Sandër Lleshi në krye të punëve të brendshme është njeriu i duhur, që vjen në kohën e duhur dhe gjendet në vendin e duhur, si përfaqësues i shumicës së duhur, sot dhe nesër të Republikës së Shqipërisë”, përfundoi kryeministri.

Leave a Reply

%d bloggers like this: